Borxhi  i jashtëm publik ra me 35 mln euro në 6 mujorin e parë, shkak nënçmimi i euros

11/09/2019 10:00 AM 0 komente

Ekonomia shqiptare uli ekspozimin e detyrimeve me jashtë vendit në gjashtëmujorin e parë të vitit si pasojë e efekteve pozitive të kursit të këmbimit në shlyerjen e borxhit të qeverisë.

Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë në fund të muajit qershor të vitit 2019, Borxhi i Jashtëm Bruto (BJB) i Shqipërisë shënon rreth 8,3 miliardë euro, në rënie referuar fundit të muajit mars 2019.

Gjatë mars-qershor stoku i BJB-së u ngushtua me 81.3 milionë euro, ku efekti i kursit të këmbimit u llogarit në masën 18.5 milionë euro, si dhe diferencat e rivlerësimit (ndryshime të tjera nga ri-klasifikimi) në nivelin 3 milionë euro.

Ngushtimi i stokut të BJB-së ka qenë kryesisht në drejtim të rënies së tepricës së detyrimeve afatgjata të Qeverisë së Përgjithshme, si dhe në masë më të ulët në rënien e detyrimeve në formën e huave midis kompanive të lidhura në një marrëdhënie investimi direkt.

Qeveria e Përgjithshme zotëron rreth 45% të totalit të Borxhit të Jashtëm Bruto të Shqipërisë.

Pjesa tjetër është e shpërndarë midis Sistemit Bankar (17%), Sektorëve të tjerë (37%) dhe Autoritetit monetar (1%). S

Sektori i Qeverisë së Përgjithshme mban peshën kryesore në stokun e BJB-së. Në fund të muajit qershor 2019, detyrimet e Qeverisë së Përgjithshme u vlerësuan në 3,794 milionë euro dhe prezantohen kryesisht si hua afatgjata, obligacione dhe dëftesa.

Referuar fundvitit 2018, borxhi i jashtëm i Qeverisë së Përgjithshme u zvogëlua me rreth 35 milionë euro. Teprica e huave afatgjata u zvogëlua me rreth 16 milionë euro, ndërsa ajo e obligacioneve ra me 19 milionë euro.

Stoku i borxhit të Autoritetit Monetar ose Bankës Qendrore, shënon 57 milionë euro, pa lëvizje të konsiderueshme gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2019. Detyrimet e Autoritetit Monetar përbëhen vetëm nga alokimet e SDR-së, pasi huatë afatgjata të akorduara nga FMN u shlyen gjatë tremujorit të parë të vitit 2019.

Në fund të qershorit 2019, stoku i borxhit të jashtëm bruto të Sistemit Bankar shënon rreth 1,428 milionë euro dhe prezantohet kryesisht në formën “hua” dhe “monedha e depozita”, respektivisht me rreth 14% dhe 84% të totalit.  Gjatë gjashtëmujorit, ky sektor ka rritur detyrimet afatgjata dhe zvogëluar ato afatshkurtra duke mos shënuar lëvizje të konsiderueshme në nivelin e borxhit. Referuar nivelit të fundvitit 2018,

Sektorët e tjerë kanë rritur detyrimet e tyre me jashtë, me rreth 21 milionë euro në nivelin 3,061 milionë euro. Lëvizjet kryesore reflektojnë zgjerim të detyrimeve afatgjata në formën e “kredive tregtare” (16 milionë euro) dhe detyrimeve në formën e huave midis kompanive të lidhura në një marrëdhënie investimi direkt “investime direkte – hua ndërkompani” (11 milionë euro).

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of