Borxhi kinez drejt përkeqësimit

26/07/2019 10:03 PM 0 komente

Teksa rritja ngadalësohet, spektri i borxhit të qeverisë vendore kineze del edhe më shumë në pah. Qeveria qendrore po përpiqet të nxisë shpenzimet, por qeveritë lokale janë të mbuluara me borxhe

 

Statuja e një demi të artë qëndron përpara godinës së Xiangtan Jiuhua, një kompani në pronësi të shtetit, e cila financon pjesën më të madhe të investimeve në drejtim të infrastrukturës në Xiangtan, shkruan The Economist.

Statuja përpara godinës “ka parë ditë edhe më të mira”, ku ngjyra e artë e saj është zbehur dhe statuja është me plasaritje të shumta, simbolikë ideale që përfaqëson edhe situatën e vështirë të financave me të cilën po përballet jo vetëm ky qytet prej 3 milionë banorësh në Kinën qendrore, por edhe qytete të tjera.

Shqetësimet mbi bilancet e borxhit të qeverisë vendore dolën në pah kryesisht në dekadën e kaluar dhe ato janë rikthyer në qendër të vëmendjes ditët e fundit. Përpjekjet e ndryshme për të ulur nivelin e borxhit, fatkeqësisht nuk kanë funksionuar. Dhe ajo çka e përkeqëson këtë situatë është fakti se niveli i huamarrjes në vend që të ulet po rritet, sepse teksa lufta tregtare është në proces e sipër, Kina dëshiron që provincat dhe qytetet e saj të mbështesin rritjen, duke ndërtuar rrugë dhe hekurudha të reja.

Në vetëm 38% të PBB-së, më pak se gjysma e mesatares në ekonomitë e përparuara, borxhi qeveritar në Kinë mund të duket nën kontroll. Por shifra të tilla nuk e pasqyrojnë situatën, ashtu siç është në të vërtetë. Qeveritë vendore, prej kohësh janë mbështetur në borxhin jashtë bilancit për të zgjidhur problematika të ndryshme. Ato janë përgjegjëse për rreth 85% të shpenzimeve publike, por komandojnë vetëm 50% të të ardhurave. Për më tepër, autoritetet qendrore ua vështirësojnë atyre më shumë procedurat e huamarrjes, me shpresën se një lëvizje e tillë do të kufizojë mangësitë dhe dobësitë e tyre.

Për këtë arsye, ato kanë krijuar subjekte si Xiangtan Jiuhua, duke iu referuar atyre si “mjete financimi të qeverisë lokale (LGFVs)”. Edhe pse këto të fundit janë të regjistruara si kompani, kreditorët e dinë, ose më saktë e supozojnë se prapa tyre qëndron shteti. Sipas të dhënave të fundit të përditësuara, Kina ka rreth 11.566 institucione që shërbejnë si mjete financimi për qeveritë lokale. Sipas FMN-së, nëse edhe këto do të llogariten si pjesë e borxhit qeveritar, atëherë niveli i tij rritet në shifra alarmante, duke shkuar në 70% të PBB-së.

Kjo është shqetësuese për tri arsye. E para ka të bëjë me trajektoren e borxhit të LGFVs e cila është rritur, duke shënuar trefishin e vlerave në krahasim me një dekadë më parë. E dyta ka të bëjë me mënyrën sesi ato funksionojnë, e cila nuk është e qartë. Bankat dhe investitorët e obligacioneve mendojnë se ato janë të sigurta, por auditorët e qeverisë nuk kanë një tablo të qartë të funksionimit të tyre, të sasisë së borxheve që ato japin dhe se ku shkojnë paratë. Dhe së treti, provincat më të varfra të Kinës, kanë krijuar një varësi më të madhe ndaj LGFVs-ve.

Edhe qeveria qendrore, për të thënë të drejtën, nuk e ka mbyllur njërin sy, për të thënë se kjo situatë nuk ekziston fare, por përkundrazi ajo ka ndërmarrë masa të ndryshme. Ajo është përpjekur të kufizojë huamarrjen nga LGFVs-të që prej vitit 2010. Rregullatorët gjithashtu kanë kërkuar të lehtësojnë kufizimet financiare ndaj qeverive vendore, sidomos nëpërmjet një shkëmbimi gjigant të borxhit, në të cilin qeveritë lokale shkëmbyen triliona yuan kinezë në obligacionet LGFVs për obligacione zyrtare me norma interesi më të ulëta. Por megjithatë, rreziqe të shumta vazhdojnë të jenë të pranishme. LGFVs po bëhen gjithnjë e më pak të afta për të paguar borxhet e tyre.

Të ardhurat operative mbulojnë vetëm rreth 40% të detyrimeve të tyre brenda një viti, sipas Korporatës Ndërkombëtare të Kapitalit në Kinë (CICC). Dhe për një kompani të zakonshme, situata në fjalë do të sillte probleme më tej. Për më tepër, qeveritë lokale mbeten të varura prej tyre. Ndërprerja e shkëmbimit të obligacioneve, bëri që huamarrja nëpërmjet LGFVs të rritej me 20% në vit gjatë pesë viteve të fundit, duke tejkaluar rritjen e borxhit të përgjithshëm.

Vitin e kaluar, Kina dukej më e vendosur se kurrë për të reduktuar huamarrjen e padeklaruar. Për ta realizuar këtë gjë, ajo vendosi të pranonte vonesat në pagesa në kohën e caktuar. Situata u rëndua, sepse në mbi 15 raste, LGFVs nuk arritën të paguanin kreditë në kohën e caktuar, raporton agjencia e vlerësimit, Fitch. Situata shqetësoi tregjet. Normat e interesit të LGFVs u rritën dhe shitjet e obligacioneve të tyre u ngadalësuan.
Ndikimi i kësaj situate në qeveritë lokale ishte shumë i lartë, sepse ato kishin shumë pak para për të shpenzuar, dhe Xiangtan ishte një prej atyre qyteteve që e përjetuan më shumë atë.

Puna për disa projekte të rëndësishme infrastrukturore që bashkia e këtij qyteti kishte marrë përsipër t’i realizonte ndali. Të shqetësuar për ngadalësimin e rritjes së PBB-së, qeveria qendrore u kërkoi provincave dhe qyteteve që të lëshonin obligacione të posaçme për projekte të mëdha si për shembull modernizimi i rrjeteve të energjisë. E megjithatë, shumë mendojnë se qeveritë lokale do t’u drejtohen sërish LGFV-ve për huamarrje. Fatkeqësisht, besimi në LGFVs duket se po rritet sërish, thanë disa analistë të bankës kineze, ICBC.

 

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of