Nga
Arbër Lleshi
Bardhi Sejdarasi
Treguesi më i përdorur në botë për matjen dhe raportimin e borxhit është raporti i madhësisë së borxhit me Prodhimin e Brendshëm Bruto. Ka një dallim esencial ndërmjet madhësisë së borxhit dhe treguesit të borxhit. Treguesi i borxhit preferohet ndaj madhësisë së borxhit për arsye se:
- Një ekonomi që rrit aktivitetin e saj më shpejt, mund t’i lejojë vetes një sasi borxhi më të madh.
- Treguesi i borxhit, si tregues relativ, korrekton efektet inflacioniste, për të cilat nevojitet të korrektohet treguesi i madhësisë së borxhit.
Për sa i përket treguesit të borxhit tek ne, ai trajtohet me transparencë dhe i lexueshëm për gjithë publikun, në disa dokumente bazë: Kuadri Makroekonomik Fiskal[1] (ku përcaktohet edhe parashikimi i qeverisë për ecurinë e tij); Ligji i Buxhetit[2] (ku përcaktohet niveli i deficitit vjetor si tregues bazë që ndikon në madhësinë e borxhit); Strategjia afatmesme e menaxhimit të borxhit publik[3] (ku jepet edhe informacioni më i detajuar mbi borxhin sot dhe pritshmëritë për disa vite në vijim). Qeveria shqiptare është, gjithashtu, në një marrëveshje/program[4] me FMN, ku një nga pikat kryesore të tij është zhvillimi në vite i borxhit publik në raport me PBB-në.
Qeveria shqiptare në mbi dy dekadat e kaluara dhe për disa vite në vijim nuk është angazhuar në uljen e nivelit të madhësisë së borxhit, por siç është më e rëndësishmja, në uljen e treguesit të borxhit. Sipas Kuadrit Makroekonomik Fiskal, niveli i borxhit, i programuar nga qeveria, është:
Cilët faktorë ndikojnë në ecurinë vjetore të borxhit publik?
Janë disa, ku më të rëndësishmit përmendim:
- Deficiti buxhetor: nëse shpenzimet e qeverisë të një viti janë më të larta se sa të ardhurat, ato ndikojnë në rritjen e madhësisë së borxhit. Ndërsa treguesi i borxhit rritet kur rritja e madhësisë së borxhit (nga deficiti) është më e madhe se rritja e PBB-së. Kjo do të thotë që nëse deficiti është 3% e rritja ekonomike vetëm 2%, do të kemi rritje të treguesit të borxhit në atë vit me 1%.
- Rritja nominale (rritja reale ekonomike plus inflacionin) e PBB-së ndikon në uljen e treguesit të borxhit.
- Kursi i këmbimit: kursi i këmbimit ndikon në mënyrë të drejtpërdrejtë me rivlerësimin e madhësisë së borxhit të marrë në valutë. Duke qenë se borxhi raportohet në pasqyrat zyrtare në monedhën vendase, nëse leku nënçmohet, borxhi në valutën e huaj përkatëse rritet në të njëjtën masë dhe e kundërta.
Zakonisht, për vendet që kanë rritje pozitive ekonomike (por jo vetëm), madhësia e borxhit vjen duke u rritur. Por si rregull, treguesi i borxhit mbahet nën kontroll. Nga ky aspekt në rastin e ekonomisë shqiptare, madhësia e borxhit do të vazhdojë të rritet edhe në aspektin afatmesëm, ndërkohë që treguesi i borxhit (grafiku më sipër) do të vijë në ulje.
Masat që synojnë uljen edhe të madhësisë së borxhit, janë zakonisht ekstreme (sidomos në kushtet e një rritje pozitive ekonomike).
Cilësia e punës vjetore të qeverisë me borxhin publik, si rregull matet me raportin e deficitit ndaj PBB, pasi ndikimi i një vendi të vogël (me politikë kursi këmbimi të lirë si në rastin tonë) tek kursi i këmbimit është tejet i limituar. Nga grafiku më poshtë duket qartë përmirësimi:
Treguesi i deficitit në vitin 2013
Me tregues të deficitit kuptojmë raportin e madhësisë së deficitit vjetor të buxhetit me PBB. Ky tregues shprehet në përqindje.
- Në shtator të vitit 2013, kur qeveria e “Aleancës për Shqipërinë Europiane” mori detyrën, situata fiskale ishte e tillë:
- Në sistemin e Thesarit ishin rreth 10 mld lekë fatura që prisnin në radhë për t’u paguar, ndërsa kishte mungesë likuiditeti (llogaria e qeverisë ishte praktikisht rreth 0 lekë gjendje[5]).
- Mosrealizim të ardhurash në raport me planin në masën 23.4 mld lekë (pra, pritshmëritë për të ardhura nga administrata fiskale që kalonin nevojat e shpenzimeve, deri në fund të vitit, praktikisht, jo-realiste).
- Deficiti i planifikuar për të gjithë vitin 60.9 mld lekë. Deri në shtator 2013, deficiti ishte 58.5 mld lekë (pra hapësirë ligjore e re për të marrë hua në treg vetëm 2.4 mld lekë[6]). Në këtë moment, treguesi i deficitit (në % të PBB-së) kishte arritur në rreth 4.3%. Nëse do t’i shtonim treguesit të deficitit edhe rreth 10 mld lekë fatura të papaguara që prisnin në sistemin e thesarit, atëherë ky tregues shkon në rreth 5.0% (më i lartë se sa fundi i vitit 2013, i cili u mbyll me deficit rreth 66.9 mld lekë ose rreth 4.9%. Pra, qeveria e re, faktikisht, e ULI NIVELIN E DEFICITIT në 3 muajt e fundit të vitit 2013!).
- Arsyet përse ishte kjo gjendje nga qeveria e mëparshme dhe hapat që janë marrë më pas nga shtatori 2013 deri në fund të vitit, janë përshkruar në detaje në paraqitjen e Buxhetit Faktik 2013.
Qeveria shqiptare pati një deficit më të lartë në vitin 2014 se sa në vitin 2013. Përse?
Faktori kryesor është njohja, evidentimi, regjistrimi dhe më pas shlyerja e detyrimeve të prapambetura[7]. Por është e rëndësishme për të ripërmendur se si u zhvillua një nga proceset më të rëndësishme të financave publike të vendit në vitin e fundit.
- Duke parë situatën e financave publike si edhe performancën e ekonomisë së vendit (dhe në përputhje me programin elektoral dhe qeverisës), qeveria zhvilloi bisedime me misionin e FMN në fund të shtatorit 2013[8]. Në dhjetor 2013 u ra dakord në nivel stafi për përfshirjen e vendit në një program ekonomik[9]. Në këtë program[10], aprovuar më 19 mars 2014 nga bordi ekzekutiv i FMN, shprehen qartë reformat e shumanshme që do të ndërmarrë qeveria për stabilizimin e ekonomisë së vendit dhe objektivi i parë i shprehur është ulja e treguesit të borxhit (edhe në program flitet për treguesin e borxhit dhe jo për madhësinë e borxhit!).
- Në tetor 2013 u kontraktua njëri prej 4 audituesve më të mëdhenj ndërkombëtarë[11], Deloitte, për një vlerësim të borxhit të fshehur. Pasi kreu auditimin e 150 detyrimeve më të mëdha të ministrive ndaj biznesit privat deri më datë 31 gusht 2013, konkluzioni i auditit ishte se vetëm për këto 150 detyrime, qeveria u detyrohej biznesit 24.6 mld lekë (kryesisht në sektorin e ndërtimit të infrastrukturës rrugore). Më pas, së bashku me FMN, u vlerësua se detyrimet e prapambetura gjithsej rezultojnë në rreth 72 mld lekë.
- Në fund të vitit 2013[12] u paguan rreth 5 mld lekë detyrime të prapambetura te personat me aftësi të kufizuar dhe ata në ndihmë ekonomike (rreth 1.8 mld), si dhe për investime në infrastrukturë.
- Qeveria shqiptare në muajin shkurt 2014[13] miratoi Strategjinë e Shlyerjes së Detyrimeve të Prapambetura e të planit të veprimit ndaj biznesit dhe individëve. Kjo strategji është hartuar me mbështetjen dhe asistencën e FMN, BB dhe BE.
- Me buxhetin e vitit 2014, bazuar në Strategjinë e Shlyerjes së Detyrimeve të Prapambetura, janë shlyer 33.84 mld lekë nga 35 mld të planifikuara.
- U miratua VKM[14] për netimin e borxheve të ndërsjella ndërmjet institucioneve shtetërore – shoqërive tregtare CEZ – KESH – dhe garancive /financimit shtetëror dhënë kompanisë KESH (me efekt rreth 4.5 mld lekë).
- Procesi i shlyerjes së detyrimeve të prapambetura, përveç auditimeve të brendshme dhe pjesëmarrjes së KLSH, është audituar edhe nga Erst & Young, e kontraktuar nga Komisioni Europian, dhe nga shoqëria BDO Albania dhe BDO Croatia.
Deficiti i vitit 2014 është rreth 72.1 mld lekë (rreth 5.1% e PBB-së), por në të përfshihen edhe 33.84 mld lekë detyrime të prapambetura tashmë të paguara. Nëse i heqim deficitit 2014 këto detyrime të prapambetura të shlyera në buxhetin 2014 (pasi, nëse ato nuk do të ishin fshehur, do të ishin paguar nga buxhetet e viteve të shkuara dhe do të kishin rritur deficitet e viteve të mëparshme!) ai do të ishte rreth 38.26 mld lekë ose rreth 2.7% e PBB-së. Në qoftë se nuk do të llogarisnim detyrimet e prapambetura, shifrat e deficitit do të ishin si në grafikun e mëposhtëm:
Deficiti i qeverisë për vitin 2014 në raport me PBB-në (pa përfshirë detyrimet e prapambetura) është më i ulëti që nga viti 1996. Në përputhje me programin qeverisës, në gjysmën e dytë të mandatit, deficiti buxhetor kap vlerat më të ulëta historike, deri në 1.3% të PBB-së, dhe është në këtë mënyrë që do të ulet edhe borxhi publik.
Është e kuptueshme që, nëse nuk do të ekzistonte borxhi i fshehur, atëherë edhe borxhi publik do të ishte në trajektore të ndryshme, dhe do të arrinte në rreth 61.4% të PBB-së që në vitin 2017.
Ku ka shkuar rritja e borxhit gjatë 2014-s, përveç shlyerjes së detyrimeve të prapambetura?
Një informacion i detajuar për ndryshimin e borxhit publik është i përfshirë në publikimin periodik të Ministrisë së Financave “Treguesit e Borxhit”[15]. Gjithsesi vlen të përmenden disa faktorë.
Madhësia e borxhit të shtuar në 2014, duke mos llogaritur shlyerjen e detyrimeve të prapambetura, ishte rreth 58 mld lekë:
- Rreth 38.2 mld lekë është rritja nga deficiti, pa detyrimet e prapambetura (kujtojmë që në vitin 2014 vetëm investimet publike ishin rreth 60.5 mld lekë, shumë më tepër se sa ky deficit).
- Rreth 12.7 mld është shtuar si pasojë e ndryshimeve të kursit të këmbimit. Dollari amerikan në tregun ndërkombëtar e vendas, u mbivlerësua me rreth 30% në krahasim me dhjetorin 2013, dhe në mënyrë automatike borxhi i emërtuar në USD u rrit në vlerë (rreth 10.4% e borxhit është në USD).
- Janë lëshuar tri garanci të reja për sektorin energjetik gjatë 2014-s me shumë rreth 6.7 mld lekë (për të shmangur vështirësitë financiare të ndërmarrjeve të sektorit të energjisë).
Siç shihet, vetëm këta tre faktorë përbëjnë rreth 57.6 mld lekë.
Pra, nëse rritja e borxhit nga aktiviteti i qeverisë ishte 38.2 mld lekë, investimet publike janë 60.5 mld lekë, ose rreth 58% më shumë sesa deficiti.
[1] http:// www.financa.gov.al/al/raportime/programimi-ekonomiko-fiskal/kuadri-makroekonomik-dhe-fiskal
[2] http://www.financa.gov.al/al/raportime/buxheti/buxheti-ne-vite/buxheti-2015
[3] http://www.financa.gov.al/al/raportime/borxhi/strategjia-afatmesme-e-menaxhimit-te-borxhit-publik-2015-2017
[4] http://www.imf.org/external/pubs/ft/scr/2014/cr1478.pdf
[5] Operohej mbi bazën e mungesë likuiditeti në llogarinë e unifikuar të thesarit, sipas Udhëzimit Nr.2, Datë 06.02.2012, pikës 139
[6] Në buxhetin origjinal ishte planifikuar një deficit prej rreth 48.9 mld lekë, por kufiri i deficitit u rit edhe me të ardhurat e privatizimit të hidrocentraleve mbi Mat, duke u vendosur në nivelin 60.9 mld lekë (http://www.financa.gov.al/files/userfiles/Buxheti/Buxheti_ne_vite/Viti_2013/Buxheti_2013_Fillestar/LIGJ_nr.119_dt_17.12.2012.doc )
[7] Detyrime të prapambetura janë afërsisht 72 mld lekë (apo 720 mln dollarë) punime e shërbime apo detyrime të tjera që qeveria shqiptare kishte përfituar prej vitesh, por nuk i kishte regjistruar në nivelin e borxhit e për më tepër as shlyer.
[8] http://www.imf.org/external/np/ms/2013/092713.htm
[9]http:// www.imf.org/external/np/sec/pr/2013/pr13520.htm
[10] http://www.imf.org/external/np/sec/pr/2014/pr14109.htm
[11] Ligj Nr. 162/2013
[12]http://www.financa.gov.al/files/userfiles/Buxheti/Buxheti_ne_vite/Viti_2013/Akt_Normativ_nr7_date_14122013/Aktnormativ_i_KM_7_14.12.2013.doc
[13]Me anë të Vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 50, datë 05.02.2014
[14] VKM nr.198 datë 03.04.2014 “Për përcaktimin e shumave të shuarjes me kompensim të detyrimeve të energjisë”
[15] http://www.financa.gov.al/al/raportime/borxhi/treguesit-e-borxhit
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.