Qeveria miratoi në mbledhjen e fundit një vendim që do të sigurojnë një transparence dhe menaxhim më mirë të borxhit shtetëror i cili po shkon drejt nivelit 73 % të Prodhimit të Brendshëm Bruto edhe pse të gjitha llogaritë nuk janë të gjitha të plota.
Vendimi i Këshillit të Ministrave i hap rrugë krijimit të bazës se të dhënave shtetërore të Sistemit të Menaxhimit të Borxhit dhe Analizës Financiare. Ato do të përmbajnë të dhëna për kreditorin, huamarrësin, termat dhe kushtet financiare për çdo kredi dhe letër me vlerë, shtetërore e të garantuar, sektorin për të cilin shpërndahen fondet e kredisë/letrës me vlerë si dhe kurset e këmbimit.
Sistemi, siç shpjegohet në vendim pasqyron të dhëna faktike dhe kryen parashikime në përputhje me termat financiarë të marrëveshjeve përkatëse.
Përbërësit e arkitekturës software dhe hardware të sistemit miratohen nga Autoriteti Rregullator Koordinues.
Të dhënat që përmban sistemi janë vetëm të dhëna parësore, pasi ai nuk merr të dhëna nga sisteme të tjera. Të dhëna parësore konsiderohen të dhënat që kanë të bëjnë me informacion për huadhënësin, huamarrësin, termat dhe kushtet e kredisë/letrës me vlerë, disbursimet, shërbimet e borxhit dhe kurset e këmbimit.
Sistemi bën të mundur prodhimin e raporteve të ndryshme mbi borxhin e jashtëm. dhe subjekti përgjegjës për administrimin e sistemit SMBAF është Ministria e Financave. Niveli i aksesit në sistemin dhe në bazën e të dhënave të SMBAF-it është, si më poshtë vijon:
Regjistrues: Kjo kategori regjistron informacion për marrëveshjet e kredive, kreditorët, huamarrësit, disbursimet, pagesat, kurset e këmbimit, normat e interesit etj.
Përdorues vetëm lexues: kjo kategori përdoruesish nuk është e lejuar të regjistrojë informacion në sistem. Përdoruesit e kësaj kategorie mund të ekzekutojnë vetëm raporte dhe t’i përdorin ato për qëllime raportimi.
Administratorët e sistemit janë administratorë teknikë, të cilët mirëmbajnë e administrojnë teknikisht sistemin dhe përdoruesit e sistemit SMBAF.
Në raportin e fundit për Transparencën Fiskale, përllogaritjet e Fondit Monetar Ndërkombëtar tregojnë se, zgjerimi i mbulimit me raporte fiskale të korporatave publike do të çojë në rritje të ndjeshme të borxhit dhe deficitit.
Po të ndodhte kjo detyrimet e sektorit publik do të arrinin në rreth 119 për qind të PBB-së, ndërsa ato të qeverisjes së përgjithshme (borxhit dhe llogaritë e pagueshme) do të arrinin në rreth 83 për qind të PBB-së, referon Fondi Monetar Ndërkombëtar në raportin e fundit mbi Transparencën Fiskale.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.