Bosnja dhe Hercegovina/ Forcohet sektori bankar me mbështetjen e BB-së

27/05/2017 8:05 AM 0 komente
TEMA TE NGJASHME:

Reformat kryesore financiare për bankat në Bosnjë dhe Hercegovinë (BiH) po nxiten nga dhënia e një huaje të re prej 56.60 milionë eurosh e miratuar nga Banka Botërore.

Huaja për Projektin e Forcimit të Sektorit Bankar do të ndihmojë shtetin të përmirësojë rregullimin dhe mbikëqyrjen e bankave, të ulë sa më shumë faktorët negativë dhe të stabilizojë dhe të përmirësojë strukturën e qeverisjes dhe operacioneve të bankës.

Në sektorin bankar të BiH ndihen ende pasojat e krizës financiare globale që dobësoi sistemin financiar dhe institucionet e vendit. Pas rritjes mesatare vjetore të kredisë me 20% midis viteve 2004 dhe 2008, rritja e kredisë në sektorin privat rezultoi negative në fund të vitit 2009.

Rritja pastaj ra në një mesatare vjetore prej vetëm 2-3% gjatë viteve pasuese.
Edhe pse sistemi bankar në BiH mbetet gjerësisht i shëndoshë, ai gjithsesi ka disa pika të cilat mund të cenohen lehtësisht dhe që kërkojnë një strukturë institucionale, rregullatore dhe mbikëqyrëse sa më të fortë.
‘Ruajtja e stabilitetit të sektorit financiar është një kusht themelor për stabilitetin makrofiskal, i cili është një ndër parakushtet kryesore të rritjen ekonomike’, shprehet Tatiana Proskuryakova, drejtuese e Bankës Botërore për Bosnjë-Hercegovinën dhe Malin e Zi.

Nëpërmjet këtij projekti, Banka Botërore ofron ndihmë këshilluese dhe financiare për të mbështetur stabilitetin dhe zhvillimin e sektorit financiar në BiH, i cili do të ketë përfitime të gjëra sidomos për qytetarët.
Ky projekt është hartuar për të siguruar që aktivitetet e propozuara për sektorin bankar të jenë plotësisht të njëjta midis njësive, duke krijuar një mjedis të njëtrajtshëm për bankat që të veprojnë. Ai gjithashtu do të sigurojë stabilitet, transparencë dhe parashikueshmëri për bankat dhe mbikëqyrësit.
Asistenca teknike ofrohet gjithashtu me ndihmën e Qendrës Konsulente të Sektorit Financiar të Bankës Botërore në Vjenë dhe Ambasadës Britanike në Sarajevë.
Portofoli i Bankës Botërore i projekteve aktive në BiH përfshin 12 operacione, që arrijnë një vlerë prej 557 milionë dollarësh.

Fushat, të cilat do të kenë këtë mbështetje, përfshijnë atë të transportit, punësimit, energjisë, infrastrukturës lokale, mjedisit, pylltarinë dhe menaxhimin e ujit.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of