Tarifat prej 100 për qind për mallrat nga Bosnja dhe Serbia u vendos nga Qeveria e Kosovës në nëntor të vitit 2018. Në këtë mënyrë, eksporti i këtyre dy vendeve në Kosovë u ndal pothuajse plotësisht. Prej dy ditësh, zyrtarë të Bosnjës kanë filluar të kërkojnë nga Kosova që kjo taksë të hiqet. Anëtari i Presidencës së Bosnjes, Zhelko Komshiq sot në Beograd ka folur për taksën e Kosovës. Kurse, gjata ditës së djeshme ministri i Tregtisë në Bosnje e Hercegovinë, Mirko Sharoviq, ka thënë se Bosnja pret heqjen e tarifës ndaj mallrave të saj.
Anëtari i Presidencës së Bosnje dhe Hercegovinës, Zhelko Komshiq ka deklaruar në Beograd se vendet e rajonit duhet të ndërtojnë marrëdhënie më të mira për veten e tyre dhe jo për dikë tjetër.
Këto komente ai i bëri në seancën “Dialogu diplomatik” me temën “Bashkimi Evropian, Ballkani Perëndimor dhe bashkëpunimi rajonal”, i organizuar nga Forumi i Marrëdhënieve Etnike.
Duke thënë se shumë çështje mbeten të hapura në rajon, Komshiq shtoi se zgjidhja e tyre është e nevojshme për jetën më të lehtë të qytetarëve.
“Ne aktualisht kemi disa çështje shumë të vështira në rajon, siç janë pengimi i njerëzve të thjeshtë, futja e taksës nga Kosova për mallrat që vijnë nga Serbia dhe Bosnja. Padyshim që kjo nuk ka nevojë të zgjidhet vetëm që ne ta tregojmë veten në Ëashington e as Bruksel”.
Ai ka thënë se këto gjera duhet të rregullohen vetë.
“Këto janë gjëra që duhet t`i bëjmë për vete. Synimi im është që këtu në Beograd të them se në Bosnjë dhe Hercegovinë, por edhe ju në Serbi, duhet ti përvjelim mëngët dhe t`i zgjidhim disa gjëra që i kanë tensionuar marrëdhëniet e dy vendeve tona për një kohë të gjatë. Është koha që fqinjët e mirë ta zgjidhin këtë në mes vete”, tha ai.
Kurse, gjata ditës së djeshme ministri i Tregtisë në Bosnje e Hercegovinë, Mirko Sharoviq, ka thënë se nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës – si dy forcat më të mëdha politike që dolën nga zgjedhjet e 6 tetorit në Kosovës – pritet që të qetësojnë raportet rajonale.
Ai ka thënë se para së gjithash Bosnja pret heqjen e tarifës ndaj mallrave të saj.
“Menjëherë pas formimit të qeverisë, unë pres heqjen e tarifave. Derisa kjo nuk ndodh, atëherë do të ketë komplikim të raporteve brenda CEFTA-s, por edhe në përgjithësi në rajon”, ka thënë Sharoviq.
Edhe kryetari i Odës Ekonomike të Bosnje e Hercegovinës, Nemanja Vasiq, pret heqjen e tarifave për mallrat nga Bosnja.
Vasiq thotë se është mirë që klima politike në Kosovë po ndryshon, dhe se kjo mund të çojë në eliminimin e tarifave.
“Sipas deklaratave të para të fituesve, pritet që ato të shkojnë drejt heqjes, por gjithashtu është e qartë se do të ketë kushte të reja politike. Kjo është ende në sferën e politikës”.
Tarifat prej 100 për qind për mallrat nga Bosnja dhe Serbia u vendos nga Qeveria e Kosovës në nëntor të vitit 2018. Në këtë mënyrë, eksporti i këtyre dy vendeve në Kosovë u ndal pothuajse plotësisht.
Kjo bëri që të ndërpritet edhe dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë që zhvillohej përmes lehtësimit nga ana e Bashkimit Evropian.
Në arsyetimin e saj, Qeveria e Kosovës kishte thënë se Bosnja dhe Serbia duhet të njohin pavarësinë e Kosovës.
Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë bërë disa herë thirrje për heqjen e tarifave, në mënyrë që të vazhdojë dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë./Monitor.al/.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.