Nëse në pyjet e pasura të Bosnjës do të shfrytëzohej ashtu siç duhej potenciali nga energjia e biomasës, ai do të plotësonte deri në 7% të nevojave me energji elektrike, por sipas ekspertëve, një gjë e tillë nuk është ende duke ndodhur.
Bosnja mund të shfrytëzojë energji të pastër të biomasës për të mbuluar një pjesë të konsiderueshme të nevojave të saj elektrike, shprehen ekspertët.
Autoritetet boshnjake janë duke planifikuar ndërtimin e centralit të parë të energjisë së biomasës në qytetin perëndimor të Livno, por projekti është ende vetëm në letër, – citoi për BIRN, Fahrudin Kulic, një ekspert i biomasës.
Sipas Kulić, Bosnja mund të mbulojë rreth 7% të kërkesës së saj të përgjithshme për energji elektrike duke shfrytëzuar potencialin e biomasës. Megjithatë, ky potencial ende nuk është shfrytëzuar, tha Kulic, duke vënë në dukje disa prej arsyeve.
‘Investitorët kryesorë të burimeve të biomasës, kryesisht kompanitë boshnjake të sektorin e drurit nuk janë të familjarizuara me këto teknologji dhe prandaj e kanë të vështirë për të marrë leje për të filluar investimin në këtë sektor’, shpjegoi ai.
Një tjetër arsye, është kostoja tepër e lartë për ndërtimin e centraleve.
Biomasa i referohet materialit biologjik që mund të përdoret për të prodhuar energji, kryesisht drurit apo mbeturinave biologjike.
Nëse trajtohet siç duhet, niveli i ndotjes në mjedis që do të prodhohet si pasojë e përdorimit të saj do të jetë shumë i ulët, u shpreh për BIRN, Livio Visentin, CEO i kompanisë italiane “Ecos Energy”, e cila është një nga liderët kryesorë në këtë sektor në Europë.
Në ditët e sotme, ne kemi pasur sukses në krijimin e impianteve të cilat janë krejtësisht neutrale nga pikëpamja e ndikimit të tyre në mjedis, shpjegoi Visentin.
Gjatë një vizite të fundit në Bosnjë, së bashku me një delegacion të sipërmarrësve italianë që punojnë në këtë sektor, ata ua prezantuan teknologjinë e tyre sipërmarrësve boshnjakë dhe përfaqësuesve të 60 bashkive, të cilët mund të ishin të interesuar në këtë fushë.
Në një raport të OKB-së të vitit 2014, u theksua se Biomasa, veçanërisht nga derivatet e drurit, mund të përbëjë një burim të rëndësishëm për Bosnjën, duke qenë se pyjet mbulojnë më shumë se 50% të territorit të saj.
Pavarësisht kësaj, një burim i tillë nuk është duke u shfrytëzuar siç duhet, dhe kur biomasa përdoret në kushtet aktuale, ku druri përdoret për konsum privat, niveli i ndotjes në mjedis është shumë i lartë, u shpreh për BIRN, Irma Filipovic Karadza, menaxhere e projektit të Energjisë të Europës Juglindore në Sarajevë.
“Shumica e njerëzve që përdorin biomasën për përdorim vetjak, e bëjnë atë me një efikasitet shumë të ulët”, – vuri në dukje ajo, duke shtuar se përdorimi i drurit për ngrohje po përdoret gjithnjë e më shumë edhe në zonat urbane, kjo si pasojë e rritjes së çmimit të energjisë.
Ajo gjithashtu theksoi se ndërsa efektet e biomasës në mjedis janë ende duke u diskutuar, në Bosnjë kjo çështje është edhe më e ndërlikuar për shkak të mungesës së studimeve të duhura në këtë fushë.