Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) pritet të dyfishojë mbështetjen e financimit të urgjencës për Bosnjën në krizën e koronavirusit, duke ofruar një ndihmë prej 330 milionë eurosh (356 milionë dollarë), deklaroi qeveria.
Shuma prej 330 milionë eurosh, e barabartë me 100% të kuotës së FMN-së për Bosnjën, do të ofrohet përmes Instrumentit të Financimit të Shpejtë të Fondit (RFI), tha Këshilli i Ministrave në një deklaratë të premten, pasi kryetari Zoran Tegeltija mbajti një video-konferencë me kreun e misionit të FMN-së në Bosnjë, Martin Petrin, dhe përfaqësuesin rezident të FMN-së, Andrew Jewell.
Këshilli i Ministrave shtoi se është shumë e rëndësishme për FMN-në që dy subjektet autonome të Bosnjës – Federata dhe Republika Serbe, secila me qeverinë dhe Parlamentin e vet, të arrijnë në një marrëveshje mbi mënyrën sesi do t’i shpërndajnë fondet ndërmjet tyre. Në rastin e kundërt, oferta e financimit do të mbahet në pritje.
Për më tepër, përfaqësuesit e FMN-së kanë shprehur zhgënjimin e tyre që autoritetet e të dyja entiteteve nuk kanë diskutuar masat stimuluese ekonomike për të zbutur ndikimin e krizës së koronavirusit me FMN-në ose huadhënësit e tjerë ndërkombëtarë, edhe pse presin që këto institucione të marrin pjesë drejtpërdrejt në financimin e masave të ndihmës.
Zoran Tegeltija tha muajin e kaluar se qeveria planifikon të përdorë financimin e FMN-së për të mbështetur sistemin shëndetësor të Bosnjës, si dhe për të siguruar mbështetje të drejtpërdrejtë për ekonominë lokale.
Javën e kaluar, Tegeltija u kërkoi institucioneve financiare ndërkombëtare që të sigurojnë të paktën 600 milionë euro në mbështetje të ekonomisë dhe sistemit të kujdesit shëndetësor boshnjak, të prekur nga kriza e koronavirusit.