Ekspertët paralajmërojnë se nëse Bosnja nuk jep prova konkrete për reforma gjatë tre muajve, Fondi Monetar Ndërkombëtar do të anulojë këstin e dytë të huas.
FMN ka aprovuar një hua prej 553,3 milionë eurosh për të mbështetur reformat ekonomike për tre vitet e ardhshme.
Bosnja do të mund të përdorë menjëherë rreth 79.2 milionë euro. Pjesa tjetër do të jepet me 11 këste çdo tre muaj.
Miratimi i huas është pezulluar për momentin, pasi autoritetet e Bosnjës nuk kanë mundur të nënshkruajnë në kohë marrëveshjen me Fondin në maj.
Vonesat e gjata në pagesa të FMN-së, të fundit të të cilave janë marrë në shtator të 2014-s kanë shkaktuar tensione politike në vend. Megjithatë, politikanët e të dy entiteteve boshnjake në fund kanë arritur një marrëveshje dhe në këtë mënyrë, shmangën një krizë likuiditeti.
“Gjëja më e rëndësishme [për politikanët] është që t’u japin zgjidhje të gjithë borxheve dhe të hyjnë në zgjedhjet e tetorit”– tha analisti ekonomik Zoran Pavlovic për BIRN.
Megjithatë, pas zgjedhjeve, Bosnja mund të zhbllokojë situatën dhe liderët të diskutojnë kushtet e rënda të FMN-së.
“Ne me siguri që do ta gjejmë në të njëjtën situatë ku jemi. Premtimet janë të lehta për t’u bërë, por kursimet, reduktimet e kostove administrative etj., do të duhet të presin për një kohë më të favorshme” – tha Pavlovic.
Marrëveshja e fundit e Bosnjës me Fondin Ndërkombëtar Monetar skadoi në qershor 2015. Fondi ‘ngriu’ huan për shkak të kushteve të paplotësuara dhe hoqi dorë nga negociatat për mbylljen e marrëveshjes së re.
Programi i ri i FMN-së kërkon prova konkrete për zbatimin e reformave në lidhje me tre objektiva: përmirësimin e mjedisit të biznesit; reduktimin e borxhit publik nëpërmjet konsolidimit fiskal; rigjallërimin e huave bankare, rritjen e kreditimit dhe marrjen e masave për të mbrojtur stabilitetin financiar.