“Perspektiva e Bashkimit Europian (BE) është gjithnjë e më pak e pranishme në axhendën publike të Bosnjë Hercegovinës, për shkak të shumë faktorëve, si: pakënaqësia me zgjerimin e pafund, zhgënjimi i shkaktuar nga imazhi i krizës së brendshme të BE-së, perceptimi negativ i rolit të BE-së në krizën e emigrantëve në rrugën ballkanike apo barra e emigracionit”, shkruan Alfredo Sasso.
Nuk ka shumë dyshime se viti 2019 ishte një vit i humbur për integrimin e Bosnjë-Hercegovinës në BE. Megjithëse gjatë muajve të fundit ndodhën disa evente, si në nivel makro-rajonal dhe shtetëror, në të ardhmen e afërt mund të parashikohen vetëm pritshmëri të ulëta. Një vakuum qeveritar zgjati që nga zgjedhjet e përgjithshme në tetor 2018, e deri në mes të dhjetorit 2019, kur u formua një këshill i ri ministrash, nën drejtimin e Zoran Tegeltijas (SNSD – nacionalistët konservatorë serbë) dhe me mbështetjen e partive kryesore nacional-konservatore (SNSD, SDA – nacionalistët boshnjakë, HDZ – nacionalistët kroatë).
Gjatë udhëkryqit 14-mujor, marrëdhëniet BE-Bosnjë qëndruan praktikisht të ngrira. Në fund të majit, më në fund, Komisioni Evropian publikoi opinionin e vet mbi aplikimin e Bosnjë-Hercegovinës. Dokumenti ishte mjaft i kujdesshëm në formulim, por i ashpër në përmbajtje, duke pohuar se vendi ndodhej “në një fazë të hershme” të përgatitjes dhe rekomandonte “rritjen e konsiderueshme të përpjekjeve” për arritjen e standardeve të BE-së.
Ai identifikonte 14 prioritete në legjislaturën dhe kuadrin ligjor të Bosnjës që shtriheshin në katër fusha: demokracia dhe funksionaliteti, sundimi i ligjit, të drejtat thelbësore dhe administrata publike. Nga njëra anë, lista përfshinte çështje strukturore, si sisteme jo-diskriminuese elektorale (duke theksuar rastin e Sejdić-Finci dhe zgjedhjet bashkiake në Mostar, të cilat nuk janë mbajtur që prej vitit 2008) dhe reformën e organeve të larta gjyqësore; nga ana tjetër, dokumenti identifikonte gabime kontekstuale të kohëve të fundit që cenonin lirinë e shprehjes. Në raportin analitik të komisionit, ishin cituar edhe rastet e sulmeve ndaj gazetarëve dhe kufizimet e imponuara ndaj lëvizjes sociale “Drejtësi për Davidin”.
Pas udhëkryqit qeveritar, opinioni i komisionit praktikisht u shpërfill. Në tetor, qeveria e mëparshme kujdestare tentoi të hartonte një “plan veprimi” në përgjigje të komisionit. Gjithsesi, ai nuk ofronte masa konkrete për ndërmarrjen e reformave kushtetuese dhe nuk gëzonte konsensus partiak, prandaj plani u qortua nga analistët dhe organizatat civile shoqërore. Dështimi i tij përforcoi edhe më tepër përshtypjen se dhënia e statusit kandidat për Bosnjë-Hercegovinën, e cila aplikoi për anëtarësi në vitin 2016, mund të vonohej pas vitit 2020.
Një provë tjetër që dëshmon se fokusi kryesor i BE-së në Bosnjë-Hercegovinë po ndryshon nga reformat socio-ekonomike (një qasje që nisi të mbizotëronte pas valës së protestave sociale në vitin 2020), në sistemin gjyqësor dhe sundimin e ligjit, mund të gjendet në Raportin e Ekspertëve mbi Çështjen e Sundimit të Ligjit. Raporti, i cili iu dorëzua komisionit në dhjetor 2019 nga eksperti ligjor dhe ish-drejtori i komisionit, z. Reinhard Priebe, ishte tejet kritik dhe tërhoqi vëmendje të gjerë publike. Midis të tjerave, aty deklarohej se Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Prokurorial (HJPC, organi vetëmenaxhues për gjyqësorin, që ka për detyrë garantimin e pavarësisë së tij) “perceptohet gjerësisht si një pushtet imun, në duart e personave që i shërbejnë interesave të një rrjeti patronazhi dhe ndikimi politik”.
Fokusi në sundimin e ligjit ka një rëndësi thelbësore, sepse mund të shkaktojë ndryshime sociale dhe reforma institucionale. Perceptimi i korrupsionit dhe mungesa e mundësive që vijnë si pasojë e korrupsionit politik, ushqejnë apatinë dhe emigracionin, që kanë një ndikim të thellë te shoqëria. Megjithatë, disa analistë e kanë kritikuar raportin e Priebe, për mungesën e rekomandimeve specifike ose që u është përmbajtur organeve hierarkike, në vend që të përcaktojë të meta specifike dhe që nuk ka diskutuar problemet e sundimit të ligjit përtej sistemit gjyqësor. Si rrjedhojë, ka dyshime në lidhje me efikasitetin që do të ketë raporti për të shërbyer si një monitorues aktiv i problemeve me sundimin e ligjit – diçka që ndodhi me raportin e të njëjtit autor mbi Maqedoninë në vitin 2015.
Rrethanat që çuan në formimin e një qeverie të re rilindën disa shpresa të kufizuara për mbështetësit e BE-së. Palët e përfshira – midis të cilave SNSD-ja, e cila dallohet si pro-ruse dhe bashkëpunon me partitë euroskeptike të krahut të djathtë – pranuan kompromis mbi një program përkushtuar integrimit në BE dhe forcimit të partneritetit me NATO-n; gjithsesi dokumenti mbetet tepër i ndarë përsa i përket anëtarësimit në të ardhmen. Pjesëmarrja aktive në negociatat e ambasadorëve të vendeve të Kuintit të NATO-s (SHBA, Mbretëri e Bashkuar, Francë, Gjermani, Itali) së bashku me përfaqësuesin e posaçëm të BE-së, Johann Sattler, tregon se përfshirja e Aleancës në Bosnjë dhe rajonin e gjerë është sërish në rritje. Kjo mund të shihet si një shenjë tjetër e riangazhimit të SHBA-ve, pas emërimit të fundit të dy përfaqësuesve të posaçëm në rajon, një për Ballkanin Perëndimor dhe një për negociatat Kosovë-Serbi.
Megjithatë, fakti që kjo nismë kryesisht e nxitur nga NATO-ja u realizua me sukses, ndërkohë që shumica e negociatave të nisura nga BE-ja kanë dështuar (në gusht, bisedimet e udhëhequra nga ish-përfaqësuesi i posaçëm i BE-së, Lars-Gunnar Wigemark, iu afruan arritjes së një marrëveshjeje, por në fund nuk u realizua asgjë) mund të përcjellë mesazhin e një procesi integrimi më tepër “atlantik” sesa “evropian”, më tepër “gjeopolitik” sesa “politik”. Ky mesazh mund të jetë shkatërrimtar për BE-në, sidomos në një moment kaq delikat kur i gjithë modeli i zgjerimit në Ballkanin Perëndimor po vihet në pikëpyetje.
Mund të nxisë rënien e besimit dhe interesit ndaj rrugëtimit të Bosnjës për në BE, në sytë e aktorëve vendas politikë dhe opinionit më të gjerë publik. Sondazhet e paraqesin këtë rënie në mënyrë jo të njëtrajtshme: sipas një sondazhi nga Drejtoria Boshnjake për Integrimin Evropian, mbështetja për anëtarësim ra nga 76% në vitin 2016, në 56% në 2018. Në të kundërt, të dhënat e Barometrit Ballkanik tregojnë se ka një rritje të atyre që e shohin anëtarësimin si diçka “të mirë”, nga 33% në vitin 2016, në 47% në vitin 2019. Megjithatë, duhet pasur parasysh se kjo është shifra më e ulët në rajon me përjashtim të Serbisë.
Perspektiva e BE-së është gjithnjë e më pak e pranishme në axhendën publike, për shkak të shumë faktorëve, si: pakënaqësia me zgjerimin e pafund, zhgënjimi i shkaktuar nga imazhi i krizës së brendshme të BE-së, perceptimi negativ i rolit të BE-së në krizën e emigrantëve në rrugën ballkanike apo barra e emigracionit (“Ata që donin BE-në janë larguar tashmë nga Bosnja”, siç u shpreh Srdjan Puhalo). Është e nevojshme një nismë e re për BE-në në Bosnjë-Hercegovinë, me qëllime të besueshme dhe përfitime të arritshme. Kjo do të rriste trysninë publike mbi elitën politike, e cila, në thelb, është ende e gatshme të ruajë status-quo-në, të shmangë ndryshimet sociale dhe aksesin në BE për sa kohë të jetë e mundur.