Që nga periudha e viteve të pasluftës, Bosnjë dhe Hercegovina gjithmonë ka luftuar ndaj një ekonomie të paqëndrueshme, një korrupsioni sistematik dhe së fundmi po rrethohet vetëm nga investitorë të huaj, gjë kjo që është më shumë shqetësuese sesa të ardhurat neto të vetë vendit, shkruan Zheljana Grubishiç për Osservatorio Balcani e Caucaso.
Që prej vitit 2011, rritja e shpejtë ekonomike e Bosnjës dhe Hercegovinës (referuar të dhënave të Bankës Botërore në 2015, rritja e PBB-së ishte me 3.2%) ka ardhur nga blerjet e huaja masive të pasurive të paluajtshme, së bashku me investimet në biznese të ndryshme, të cilat janë zhvilluar së bashku me rritjen e pranisë së shtetasve të pasur nga Lindja e Mesme, Turqia dhe të shtetasve të tjerë të huaj, të cilët janë vendosur kryesisht në kryeqytetin e Sarajevës, rrethinat e saj, dhe në qendër të Bosnjës.
Në vend të nxitjes së rritjes ekonomike, këta manjatë të huaj sipërmarrës në Bosnjë dhe Hercegovinë luajnë me ambiciet e anëtarëve të partive politike, oligarkëve të tyre drejtues dhe noterëve vendas. Ky sistem i paaftë burokratik dhe që çalon në nxjerrjen e reformave të duhura, nuk bën gjë tjetër veçse ushqen oportunizmin e politikanëve vendas nga investimet e huaja.
Dosjeve të blerjes së tokës dhe pronësisë mbi pasuritë e patundshme që i transferohet shtetasve të huaj në Bosnjë dhe Hercegovinë, në më të shumtën e rasteve, u mungon dokumentacioni i duhur dhe transaksionet në përputhje me ligjin. As shteti dhe as qytetarët e tij, por vetëm disa individë të caktuar, përfitojnë nga këto investime të fuqishme, të cilat janë kthyer në praktika korruptive që kërcënojnë ta zhysin vendin në një humnerë të thellë ekonomike.
Investime me çdo kusht
Shtetas të pasur nga Turqia, Arabia Saudite dhe Lindja e Mesme janë ata që po blejnë pasuri të patundshme në Bosnjë dhe Hercegovinë në një shkallë alarmante. Ata vijnë fillimisht si investitorë apo thjesht si turistë për periudha të gjata kohore, duke kërkuar shpëtim nga vera përvëluese e vendit të tyre, të paktën kështu thonë. Por e vërteta është se i gjithë ky është vetëm një justifikim në mënyrë të tillë që të mos zbulohet qëllimi i tyre kryesor, që është blerja e sipërfaqeve gjigante të tokës dhe pasurive të patundshme.
Deri më tani, investimet e huaja, veçanërisht nga Lindja e Mesme dhe Turqia, janë fokusuar në blerjen e pasurive të patundshme në Sarajevë dhe rrethinat e saj, ku një numër i konsiderueshëm ndërtesash të rëndësishme, si Hotel Bristol, janë rinovuar me paratë e investitorëve arabë. Qendra e madhe tregtare në Sarajevë – në të cilën ndodhet një hotel gjigant me pesë yje dhe qendra tregtare ku mund të gjeni argëtime nga më të ndryshmet, është ndërtuar nga kompania arabe Saudi Al Shiddi Trading Establishment.
Kryetarët e tre komunave të Sarajevës, ajo e Trnovos, Hadzicis dhe Ilidzas dhe anëtarët e Partisë boshnjake Demokrate, janë shumë entuziastë për këtë potencial investimesh të huaja.
Investimi ynë në të gjithë projektin nuk do të jetë 10, por 30% fitim. Në Komunën e Trnovos, ne kemi llogaritur një fitim prej 500 deri në 600 milionë të hollash, pa përmendur këtu edhe rritjen e nivelit të punësimit, shprehet kryetari i Komunës së Ibro Barilo, në lidhje me ndërtimin e qytetit turistik Buroj Ozone në Trnovo, 20 km jashtë Sarajevës.
Vendosja e gurit të parë të qytetit turistik, u mbajt në shtator të këtij viti, në një ceremoni zyrtare në prani të figurave publike. Kompania e Emirateve të Bashkuara Arabe do të investojë 2.3 miliardë euro në Buroj (investimi më i madh i huaj i bërë ndonjëherë në Europën Juglindore, ku e gjithë vlera e investimit është dhënë në një këst të vetëm) dhe ku ndërmjetësi në këtë investim gjigant është kryetari i komunës, z. Barolo.
Qyteti i ardhshëm turistik do të ofrojë mijëra njësi banimi, disa hotele dhe qendra tregtare.
Në Hadzici, investitorët nga Kuvajti përuruan në tetor të vitit 2015 një rezort luksoz, i vlerësuar mbi 200 milionë euro. Rezorti ka planifikuar të përfshijë pishina të brendshme dhe të jashtme, fusha sportive, një liqen artificial dhe një hotel.
Edhe kryetari i Komunës së Ilidžas, Senaid Memic, është në mbështetje të investimeve të manjatëve arabë. Ai shpërblen investitorët, duke i ofruar zbritje për blerjen e infrastrukturave, jep me qira ndërtesa në pronësi të shtetit kundrejt një vlere qesharake, dhe merr pjesë në shitjen e tokës së rrethinave afër komunës për investime të reja.
Fshati i Pazaricit, afër Sarajevës, është tashmë një komunitet luksoz. Çmimi më i lartë i paguar u dha për shtëpitë e vogla fshatare që investitorët e pasur nga Dubai i kthyen në vila. Personat përgjegjës për blerjet, të cilët janë paguar mjaft mirë, kanë bërë të mundur që marrëveshjet të nënshkruheshin në heshtje dhe në mënyrë sa më diskrete.
Kohët e fundit, shitja e parcelave në afërsi të monumentit “Vrelo Bosne” në komunën Ilidza shkaktoi protestë të gjerë publike, dhe fitoi një hashtag online #Ne#Damo#Vrelo#Bosne# [Ne nuk do ta lëshojmë kollaj Vrelo Bosnen].
Tre parcelat kadastrale, të mbrojtura nga Komisioni Botëror i Zonave të Mbrojtura, në fillim të gushtit, iu shitën kompanisë së Investitorëve nga Kuvajti kundrejt një çmimi (38 euro për metër katror, sipas një raporti nga Al Jazeera Ballkan) që konsiderohet nga shumë njerëz si shumë i ulët.
Dënimi publik erdhi si pasojë e shitjes së parcelave në afërsi të zonës së ujërave të mbrojtura dhe, mbi të gjitha, për çmimin e ulët për metër katror. Zyrtarët e Komunës së Ilidzas nuk e kanë pranuar këtë protestë publike duke u shprehur se ajo ishte tërësisht e shtyrë nga partia politike opozitare, duke shtuar se procesi i transaksionit ishte transparent dhe në përputhje me ligjin.
Mungesë transparence, kompani fiktive, akuza për korrupsion
Sipas Agjencisë për Promovimin e Investimeve të Huaja, investitorët e huaj gëzojnë të njëjtin status, të drejta dhe detyrime si kompanitë vendase në Bosnjë dhe Hercegovinë. Megjithatë, kompanitë e regjistruara, por joekzistente dhe agjencitë e pasurive të patundshme janë thjesht justifikimi për të mbuluar blerjet e pasurive të patundshme dhe për të siguruar lejet e qëndrimit.
Ministria e Sigurimit e BH thotë se shtetasit kuvajtianë deri tani zotërojnë 232 kompani të regjistruara, edhe pse shumë prej tyre janë joaktive, gjë kjo që ngre dyshimet se ato janë thjesht një mashtrim për të justifikuar blerjet e pasurive të patundshme.
Rubina Çengiç, gazetare e medias ‘Start’, paralajmëron në lidhje me trendin e investimeve arabe në fushën e pasurive të patundshme. Ajo thotë se është mjaft e vështirë të mësohet vlera reale e fitimeve të investitorëve arabë, sepse ata kanë blerë sipërfaqe toke si publike ashtu edhe private nga persona të cilët janë në kushte të vështira financiare apo nga ata që janë larguar nga vendi dhe që e shesin atë kundrejt një çmimi fare të lirë.
Në vazhdë të komenteve mbi këtë fenomen dhe rritjen e vëmendjes që i kanë kushtuar kohët e fundit mediat boshnjake, Esad Duraković, profesor i letërsisë arabe dhe filologjisë, ka shprehur shqetësimin në një intervistë në rrjetin N1: Ky proces i vazhdueshëm duhet të shihet si një strategji e qëllimshme, pasojat finale të të cilit do të shfaqen në një afat më të vonë, dhe ekziston rreziku që ato të kuptohen vetëm atëherë kur mund të jetë tepër vonë.
Dhe këtu nuk bëhet fjalë për investime frytdhënëse dhe as është një çështje për promovim dhe rritje të turizmit. Fakti është se burimet më të mira të këtij vendi janë duke u shitur te shtetasit e huaj. Nuk do të kalojë shumë kohë dhe të gjitha të ardhurave të fituara në fushën e turizmit në një aftat kaq të shkurtër, do t’i zbulohet burimi dhe pasojat do të jenë të parikuperueshme, sepse këtu nuk po flasim vetëm për një numër të caktuar turistësh që vijnë dhe ikin, por për banorë të përhershëm që vendosen në tokat e Bosnjës dhe Hercegovinës.