Banka Europiane e Investimeve do të sigurojë 10 milionë euro për Raiffeisen Leasing doo Sarajevo, dhe do të mundësojë financime për Ndërmarrjet vendase të Vogla dhe të Mesme. Kredia e BEI-së do t’i lejojë kompanisë të financojë projekte dhe kapital qarkullues për NVM-të që operojnë në sektorët e industrisë, turizmit, shërbimeve dhe bujqësisë. Kjo mbështetje vjen në një kohë kur NVM-të janë goditur rëndë nga pandemia e COVID-19 dhe po përballen me sfida të pashembullta.
Kredia nga Banka e BE-së gjithashtu nxit investimet që promovojnë punësimin e të rinjve në kuadër të Nismës Europiane të Punësimit dhe Trajnimit të të Rinjve për Ballkanin Perëndimor (“EYET”). Fondet nga kredia e BEI-së do të vihen në dispozicion të autoriteteve lokale në Bosnjë-Hercegovinë për investimet e tyre në mbrojtjen e mjedisit, kujdesin shëndetësor dhe arsimin.
Matteo Rivellini, Shefi i Divizionit të BEI-së, përgjegjës për Ballkanin Perëndimor, Kroacinë dhe Slloveninë tha: “BEI mbetet një partner të cilit Bosnjë-Hercegovina mund t’i besojë edhe në kohërat më të vështira. Ne jemi të përkushtuar për të mbështetur NVM-të lokale si shtylla kurrizore e ekonomisë lokale dhe një burim kryesor punësimi për boshnjakët. Kredia jonë është një burim i rëndësishëm financimi në një kohë kur ndihma e menjëhershme financiare është thelbësore për mbijetesën e NVM-ve teksa ato përballen me pandeminë. Së bashku me masat ndihmëse për Ballkanin Perëndimor të paraqitura nga Team Europe, ne jemi zotuar për të rritur mbështetjen tonë për vendin, duke adresuar dy sfidat e menjëhershme të shkaktuara nga pandemia dhe duke vendosur themelet për një shërim të shpejtë ekonomik pas krizës”.
Ambasadori Johann Sattler, shefi i delegacionit të BE-së dhe përfaqësuesi i posaçëm i BE-së në Bosnjë-Hercegovinë, tha: “Nisma e Bankës Europiane të Investimeve është një shembull tjetër konkret i angazhimit të Bashkimit Europian për të ndihmuar Bosnjë-Hercegovinën të zbusë ndikimin e pandemisë së koronavirusit. BE ka mobilizuar shpejt një paketë prej 7 milionë eurosh për të adresuar nevojat më urgjente mjekësore në vend. Ajo do të ndiqet nga një paketë e konsiderueshme prej 73,5 milionë eurosh shtesë të fondeve të BE-së për masat e rimëkëmbjes socio-ekonomike në Bosnjë-Hercegovinë. Këto fonde plotësojnë vendimin e Komisionit Europian për të siguruar 250 milionë euro në ndihmë makrofinanciare, e cila do të kontribuojë në përpjekjet e Bosnjë-Hercegovinës për të mbrojtur qytetarët dhe kompanitë e prekura nga kriza”.