Bosnja dhe Hercegovina, një vend në Gadishullin e Ballkanit në Europën Jugore, është optimiste se Marrëveshja e Tregut të Lirë (MTL) me Malajzinë do të vihet në jetë gjatë tre viteve të ardhshme.
Ambasadori i saj në Malajzi, Emir Hadzikadunic, u shpreh se Marrëveshja e Tregut të Lirë (MTL) duhet të arrihet sa më parë. Edhe pse nuk ka pasur ndonjë diskutim konkret në lidhje me MTL-në, shpresohet që negociatat të fillojnë shumë shpejt, në mënyrë të tillë që marrëveshja të arrihet sa më parë.
“Ne nuk jemi të kënaqur me marrëdhëniet ekzistuese ekonomike mes dy vendeve, pasi ka shumë më shumë potencial për bashkëpunim ekonomik. Lidhjet tona në fushën e biznesit mund të përmirësohen dhe ne jemi duke punuar për këtë gjë”, u tha ai gazetarëve gjatë një seminari gjysmëditor, organizuar nga Ambasada e Bosnjë-Hercegovinës në eksplorimin e mundësive në atë vend.
I pranishëm në këtë takim ishte edhe drejtori ekzekutiv i Zhvillimit të Tregtisë së Jashtme, Datuk Dzulkifli Mahmud.
Ai tha se ka pasur disa marrëveshje dypalëshe mes të dy vendeve, duke përfshirë këtu edhe marrëveshjen për mbrojtjen e investitorëve të huaj dhe taksimit të dyfishtë.
Ndërkohë, Dzulkifli tha se tregtia e ndërsjellë midis Malajzisë dhe Bosnjë-Hercegovinës pritet të rritet nga 5% në 10% gjatë 2017-s.
Tregtia e përgjithshme e Malajzisë me Bosnjë-Hercegovinën arriti në shifrën 4.9 milionë rinngit në vitin 2015 kryesisht nga produktet e eksportuara si ato elektrike dhe elektronike, ushqimet e përpunuara dhe pajisjet optike.
Ndërsa importi përfshiu kryesisht produktet kimike, produktet e drurit, tekstile, veshje, këpucë, si dhe produkte të ndryshme elektronike. Dzulkifli u bëri thirrje kompanive malajziane që t’i kushtojnë rëndësi të veçantë forcimit të lidhjes mes dy vendeve dhe të përdorin Bosnjë-Hercegovinën si portë lidhëse për tregjet e tjera europiane, duke përfshirë Kroacinë dhe Hungarinë. Aktualisht, ka më pak se 10 kompani malajziane që operojnë në tregun e pasurive të patundshme dhe sektorin e burimeve natyrore në Bosnjë dhe Hercegovinë.