Një forum rajonal mbi inovacionin, sipërmarrjen dhe teknologjinë synon të rrisë mundësitë që boshnjakët të hapin bizneset e tyre. Por burokracitë e ndryshme po u krijojnë atyre probleme që të kenë sukses brenda vendit.
Denis Zvizdic, kryetari i Këshillit të Ministrave në Bosnjë dhe Hercegovinë, e cilësoi si një nismë optimiste Forumin Rajonal të Sarajevës, duke theksuar se bashkëpunimi rajonal dhe rrjetëzimi do të ndihmojnë sipërmarrësit e rinj të gjejnë vendin e tyre në tregun global.
Z. Zvizdic këmbënguli se “numri i të rinjve të talentuar është shumë i lartë dhe se ata mund të ndihmojnë në zhvillimin ekonomik”. Kur bëhet fjalë për praktikat e hapjes së një biznesi të ri, boshnjakët përballen me procedura dhe vështirësi të shumta dhe thonë se autoritetet shtetërore duhet rishohin politikat tatimore dhe procedurat e tepërta burokratike.
Ena Sosevic, startup-i i së cilës, Bizbook, u ofron ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme një platformë interaktive për të promovuar shërbimet e tyre dhe për t’u lidhur me partnerët potencialë të biznesit ose klientë të rinj, tha se vendi duhet të ofrojë një strukturë më të mirë ligjore, gjithmonë nëse zyrtarët duan të kenë më shumë njerëz të angazhuar në biznese të vogla apo të mesme.
Znj. Sosevic tha më tej se ligje të ndryshme në të gjitha nivelet në shtet duhet të rishkruhen kur bëhet fjalë për tatime, financa dhe procedura të tjera të nevojshme që ndikojnë në hapjen e një biznesi ligjor.
Ajo tha se shumë të rinj boshnjakë mund të gjejnë një punë në sektorin e IT-së por kjo kërkon jo vetëm programet e duhura arsimore në shkolla, por edhe vullnet të fortë dhe kreativitet.
Të gjithë boshnjakët që dëshirojnë të hapin biznesin e tyre, u duhen rreth 81 ditë për të përfunduar të gjitha procedurat, të cilat përfshijnë gjithsej rreth 13 hallka, sipas raportit vjetor të Bankës Botërore të Biznesit. Nëse do ta krahasonim me Holandën, e gjithë procedura zgjat vetëm një gjysmë dite.
Raporti i Bankës Botërore e renditi Bosnjën dhe Hercegovinën në vendin e 89-të nga 190 vende në vitin 2018, kur bëhet fjalë për lehtësinë e bërjes së biznesit.
Vitin e kaluar, vendi u rendit i 76-ti, gjë që të bën të mendosh se situata po përkeqësohet. Sipas administratës tatimore, numri i bizneseve të reja të hapura në vitin 2017, ka qenë 14.500.
Statistikave tregojnë se taksat vazhdojnë të jenë të larta në Bosnjë dhe shumë pak kompani kanë arritur të gjenerojnë të ardhura të larta. Nga 14,500 biznese të reja të regjistruara në vitin 2017, vetëm 2,574 janë të regjistruara në Autoritetin e Taksave Indirekte të Bosnjës, si pasojë e gjenerimit të të ardhurave më të larta se 25,000 euro.
Raporti i Bankës Botërore vuri në dukje se, gjatë një viti, një pronar i një biznesi të caktuar duhet të paguajë rreth 33 taksa të ndryshme, gjë që shihet si pengesë nga shumë sipërmarrës të rinj.
Shoqatat e Punëdhënësve në vend, në nivel shtetëror, si dhe niveli i dy entiteteve të Bosnjës, Federata dhe Republika Srpska, kanë lobuar vazhdimisht për taksa më të ulëta, por kërkesat e tyre nuk janë marrë në konsideratë.