Qeveria e Federatës së Bosnjës do të hapë një tender për dhënien e një kontrate koncesioni për zbulimin dhe prodhimin e naftës dhe gazit në pellgun e Panonias dhe të Alpeve Dinarike, deklaroi ministri i Energjisë, Nermin Dzindic.
Qeveria ka vendosur të nisë aktivitetet përgatitore për dhënien e koncesionit, që krijon mundësinë për hapjen e tenderit, tha z. Dzindic në një deklaratë për shtyp.
Pasi të jetë hapur tenderi, të gjitha palët e interesuara do të kenë gjashtë muaj kohë për të paraqitur ofertat e tyre. Z. Dzindic tha se Federata do t’u ofrojë investitorëve të kërkojnë për depozita hidrokarbure në tre blloqe në pellgun Panonian (BiHPo1, BiHPo2 dhe BiHTz) dhe në një bllok në zonën e Alpeve Dinarike (BiHD1), që përfshin një sipërfaqe prej 5,115 kilometrash katrorë.
Në shkurt, qeveria e Federatës punësoi kompaninë IHS Global me qendër në Londër për t’i mundësuar asaj shërbime konsulence mbi këtë projekt.
Muajin e kaluar, IHS Global organizoi disa evente për të promovuar tenderin e planifikuar për investitorët e interesuar në Londër, në Sarajevë të Bosnjës, si dhe në Takimin e 7 të Ballkanit mbi Çështjet e Naftës që u mbajt në Budva të Malit të Zi. Qeveria e Federatës tha se një total prej 22 përfaqësuesish të kompanive të interesuara morën pjesë në eventin e organizuar në Londër.
Në shtator të 2015, u tha se kompania Shell do të kryente kërkime gjeologjike dhe gjeofizike për të përcaktuar perspektivat e naftës dhe gazit të Federatës. Sipas raporteve të mëparshme të mediave, pas tërheqjes së Shell-it, disa kompani ndërkombëtare, duke përfshirë Total-in e Francës, Key Petroleum të Australisë dhe Spectrum të Britanisë së Madhe treguan interes për projektin. Federata është një nga dy entitetet autonome që përbëjnë Bosnjën dhe Hercegovinën. Tjetra është Republika Serbe.