Qindra njerëz kanë organizuar një protestë në Sarajevë, menjëherë pas publikimit të një videoje ku kreu i organit më të lartë gjyqësor të Bosnjë-Hercegovinës po negocionte për të marrë një ryshfet.
Në fund të muajit maj, protestuesit në kryeqytetin boshnjak kërkuan dorëheqjen e Milan Tegeltija, kreut të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Prokurorial, i cili emëron, shkarkon dhe mbikëqyr punën e të gjithë gjyqtarëve dhe prokurorëve të vendit.
Protestuesit u mblodhën jashtë godinës së KLGJP-së, ku disa prej tyre mbanin në duar flamuj boshnjakë, ndërsa të tjerët bërtisnin “dorëheqje” dhe “drejtësi”. Ministri i Rendit, Dragan Mektic, u tha protestuesve se “nuk mund të ketë siguri dhe zhvillim ekonomik në vend nëse mungon drejtësia”.
Në video, publikimi i së cilës shkaktoi këto protesta, shfaqej z. Tegeltija së bashku me biznesmenin Nermin Alesheviç ku po negocionin për të mbyllur çështjen e këtij të fundit.
Z. Tegeltija i ka mohuar akuzat, duke thënë se ai nuk ka negociuar për asnjë ryshfet dhe se minutazhi i saj ishte shkurtuar, qëllimisht për ta bërë atë të dukej sikur ai po u premtonte favore z. Alesheviç, në këmbim të marrjes së ryshfeteve. Kjo video e regjistruar nga z. Alesheviç ishte bërë për t’i treguar KLGJP-së nivelin e lartë të korrupsionit brenda këtij organi. Z. Alesheviç deklaroi se edhe më parë, ai kishte bërë disa ankesa po në këtë drejtim, por KLGJP-ja nuk i kishte marrë në konsideratë.
Sipas Komisionit Europian, niveli i korrupsionit në Bosnjë është shumë i lartë dhe lufta kundër tij pengohet nga mungesa e harmonizimit të legjislacionit në të gjithë vendin dhe nga mungesa e bashkëpunimit dhe koordinimit të dobët institucional.