Kritikët e kapitalizmit, ende nuk e kanë vënë re
Të gjithë ankohen për punën. Punonjësit e ditëve të sotme, edhe nëse kanë fat dhe mund t’i shpëtojnë “ekonomisë gig” (e cila ndodh në një treg të lirë dhe ku kontratat e punës janë të përkohshme) dhe të kenë një punë të vërtetë, gjithsesi e kanë humbur kontrollin mbi jetën e tyre, shkruan The Economist.
Ata nuk paguhen aq sa duhet dhe ç’është më e keqja, shfrytëzohen nga punëdhënësit. Ata përballen edhe me një të ardhme të pasigurt, pasi krijimi i makinerive të ndryshme mund t’i nxjerrë ata jashtë loje, duke i lënë të papunë.
Ekziston vetëm një problem me këtë tablo të zymtë: ajo është në kundërshtim me realitetin. Por duke u bazuar në këtë artikull të “The Economist”, një pjesë e konsiderueshme e botës së pasur jo vetëm që po përjeton një bum të paprecedentë të vendeve të punës, por edhe një rritje të cilësisë, sepse kapitalizimi i ditëve të sotme po i përmirëson punëtorët shumë më shpejt në krahasim me vitet e kaluara.
Vetëm puna
Në Amerikë, norma e papunësisë është vetëm 3.6%, më e ulëta në gjysmë shekullin e fundit. Më pak i vlerësuar është bumi i vendeve të punës në pjesën më të madhe të botës së pasur. Dy të tretat e anëtarëve të OBZHE-së, një organizatë shtetesh, kryesisht të pasura, kanë një nivel të lartë punësimi të grupmoshës 15-64 vjeç. Në Japoni, 77% e këtij grupi ka një punë, duke shënuar rritje me gjashtë pikë përqindjeje në gjashtë vjet. Këtë vit, britanikët do të shënojnë një rekord prej 350 miliardë orë punë në muaj.
Gjermania po shijon frytet e një fitimi të lartë të të ardhurave tatimore, si pasojë e një rritjeje të fuqisë së saj punëtore. Edhe në shtete si Franca, Spanja dhe Italia, ku papunësia është ende relativisht e lartë, punësimi në moshën e lejuar për të punuar është afër ose i tejkalon nivelet e vitit 2005. Ky bum në vendet e punës në botën e pasur është pjesërisht ciklik dhe rezultat i një dekade nxitjeje dhe rimëkëmbjeje ekonomike që nga periudha e recesionit të madh. Por ajo pasqyron edhe ndryshime strukturore. Popullatat po bëhen gjithnjë e më të arsimuara. Faqet e internetit janë shumë efikase në përzgjedhjen dhe caktimin e aplikantëve të duhur (sipas kualifikimeve të tyre) në pozicione të caktuara të lira.
Dhe gjithnjë e më shumë gra po punojnë. Në fakt, gratë kanë shkaktuar pothuajse të gjithë rritjen në normën e punësimit në botën e pasur që prej vitit 2007. Kjo lidhet kryesisht me politikat pro-familjare në Europë, por që prej vitit 2015, trendi po vërehet edhe në Amerikë. Falë bumit të vendeve të punës, papunësia, dikur çështja më e rëndësishme e ekonomisë politike, tani nuk është më e tillë në shumë shtete të botës. Ajo është zëvendësuar me një sërë ankesash në lidhje me cilësinë dhe drejtimin e punës.
Dhe fatkeqësisht këto janë më të vështira për t’u analizuar në krahasim me statistikat e punësimit. Më e rëndësishmja është se automatizimi po shkatërron mundësi shumë të mira që individët të punësohen dhe më e keqja është se, edhe pse në nivele më të larta në krahasim me të kaluarën, cilësia e vendeve të punës është e ulët dhe ato janë të pasigurta.
“Tregu ynë i punës po bëhet gjithnjë e më i pasigurt”, shprehet Jeremy Corbyn, kreu i Partisë Laburiste të Britanisë.
Realiteti priret të jetë ndryshe nga situata e përshkruar më sipër. Në industrinë e prodhimit, makineritë kanë zëvendësuar një numër madh njerëzish që prej disa dekadash, duke shkaktuar humbjen e punës te një numër madh meshkujsh amerikanë. Por në të gjithë OBZHE-në, apokalipsi i vendeve të punës i shkaktuar nga makineritë dhe algoritmet, nuk po shihet askund. Madje një numër i madh njerëzish me arsim të mesëm apo edhe më pak janë në punë, duke shënuar nivele më të larta në krahasim me vitin 2000.
Është gjithashtu e vërtetë që vendet e punës për punëtorët me kualifikim të mesëm po bëhen më të vështira për t’u gjetur, përderisa struktura e ekonomisë ndryshon dhe sektori i shërbimit, duke përfshirë ekonominë gig, zgjerohet. Sipas disa parashikimeve zyrtare, deri në vitin 2026, Amerika do të ketë më shumë persona që do të punojnë si kujdestarë në shtëpi (për t’u kujdesur për fëmijët apo të moshuarit) sesa persona që do të punojnë si sekretarë.
Megjithatë, duke qenë se tregjet e punës po zbrazen, po krijohen më shumë vende pune që kërkojnë kualifikime të larta sesa të ulëta. Punët më pak të paguara po paguhen më mirë, kryesisht për shkak të rritjes së nivelit të pagës minimale. Në të gjithë botën e pasur, pagat nën dy të tretat e mesatares kombëtare po bëhen gjithnjë e më të rralla dhe jo më të zakonshme. Të dhënat e shënuara në Amerikë janë vërtetimi më i mirë për të gjithë skeptikët, ku punët tradicionale me orar të plotë zunë të njëjtën përqindje të punësimit si në vitin 2017 ashtu edhe në vitin 2005. Ekonomia gig përbën vetëm rreth 1% të vendeve të punës në këtë shtet.
Në Francë, pavarësisht nga reformat e kohëve të fundit për të bërë tregjet e punës më fleksibël, sasia e vendeve të punës me kontrata të përhershme ka arritur një nivel shumë të lartë kohët e fundit. Vendet e punës, që janë me të vërtetë të pasigurta, ndeshen në shtete të Europës Jugore, si Italia, ku as punëdhënësit shfrytëzues dhe as teknologjia moderne nuk duhen fajësuar. Fajtori kryesor është ligji i vjetër mbi tregun e punës, i cili duhet ndryshuar sa më parë.
Diku tjetër, përfitimet e këtij “bollëku në vendet e punës” që përmendëm edhe pak më lart, po bëhen më të qarta. Si pasojë e tregjeve të kufizuara të punës, firmat detyrohen që të kërkojnë për punëtorë edhe në mesin e personave që i përkasin kategorisë së ish të dënuarve, apo që të rrisin kurset trajnuese aty ku vihet re se ka mungesë aftësish. Një cilësi tjetër e bumit të vendeve të punës është potenciali i tij për të ndihmuar në zgjidhjen e problemeve shoqërore, pa u dashur që qeveritë e shteteve të ndryshme të përpiqen shumë në këtë drejtim apo të shpenzojnë shuma të mëdha parash.
Sidoqoftë, politikëbërësit mund të mësojnë shumë nga kjo situatë. Ekonomistët përsëri janë të zhgënjyer. Ata vazhdimisht kanë nënvlerësuar punësimin potencial, duke çuar në një politikë fiskale dhe monetare ngurruese. Ashtu sikurse parashikimi i tyre mbi financat në vitet 2000 pati ndikim në situatën e mëvonshme, në po të njëjtën mënyrë edhe pesimizmi i tyre, edhe pse i gabuar në lidhje me potencialin për rritjen e vendeve të punës në 2010-n, ndikoi në mënyrë të panevojshme duke ngadalësuar rimëkëmbjen. E majta duhet të pranojë se shumë prej kritikave për të cilat ajo bën përgjegjës kapitalizmin nuk përputhen me faktet.
Jeta nuk është aspak e bukur dhe e gëzueshme, sa i takon vendeve të punës që bëjnë pjesë në kategorinë më të ulët të tregut të punës. E megjithatë, një punë edhe pse në nivelet më të ulëta, është më mirë sesa të mos ta kesh fare atë. Dështimi për ta pranuar këtë fakt do të çojë në ndërhyrjen e qeverisë, e cila do të ishte më mirë që të mos ndërhynte fare, sepse nëse e bën këtë, ajo ka shumë mundësi që të rrezikojë përparimin e kohëve të fundit. Duhet pasur parasysh se bumi i vendeve të punës nuk do të zgjasë përgjithmonë. Një recesion i mundshëm do ta shkatërronte atë, prandaj ai meriton vëmendje pak më të madhe dhe një vlerësim më të lartë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.