Në gusht të vitit 2010, ndërsa Shtetet e Bashkuara po përballeshin me një ekonomi të dobët dhe frikën për kalimin e një recesioni të dytë në të gjithë tregun botëror, retë u shfaqën në qiell. Në Britaninë e Madhe, për shembull, ajo verë ishte më e ftohta që prej vitit 1993. Këto kufizime e bëjnë rritjen e tregut të kremrave mbrojtës ndaj diellit edhe më mbresëlënës. Sipas “Mintel”, konsumatorët e zgjuar ishin të gatshëm të shpenzonin në siguri dhe vazhduan të investojnë mbrojtjen ndaj diellit.
Në Europë, sipas kërkimeve të analistëve, Franca dhe Italia përfaqësojnë tregjet më të mëdha, me vlera shitje për 2010-n përkatësisht në 389 milionë dhe 374 milionë euro. Në Britaninë e Madhe, shitjet e kremrave për kujdesin ndaj diellit u rritën me rreth 4%, duke arritur në 284 milionë paund. Në Gjermani shitjet e këtyre kremrave u ndalën në 239 milionë euro, ndërsa Spanja shënoi rezultat më modest, duke arritur në 148 milionë euro shitje.
Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, tregu i “marrjes së rrezeve të padëmshme në diell” ishte rreth 701 milionë dollarë, i orientuar drejt mbrojtjes “ultra” dhe “sport”, që shënoi rritje 77 milionë dollarë nga vitet 2009-2010.
Pavarësisht rezultateve të rritjes, recesioni ngadalësoi shitjet e kremrave që përdoren pas diellit. Për shumë konsumatorë, kremrat e pas diellit janë një produkt i tepërt dhe në vend të kësaj e trajtonin lëkurën me kremrat e zakonshme që përdornin gjatë pushimeve, duke e lënë këtë kategori në tregun britanik 3% më poshtë në shitje krahasuar me një vit më parë.
Në nivel global, kremrat me faktor të lartë mbrojtës kundër diellit mbeten nënkategoria më e zhvilluar. Sipas ekspertëve në këtë treg, kjo tregon rritje të vetëdijes për kancerin e lëkurës dhe plakjen e saj. Në vitet e fundit, edukimi në këtë drejtim është promovuar së tepërmi përmes bashkëpunimit mes prodhuesve dhe organizatave që merren me studimet e kancerit, dhe mesa duket, mesazhet e sigurisë po japin ndikim.
“Të edukosh blerësit është e rëndësishme, pasi ka shumë arsye për të qenë të vetëdijshëm si faktorët e mbrojtjes ndaj diellit, lloji i lëkurës, të sigurohemi për sasinë e duhur që do të përdorim, si dhe riaplikimin. Kjo shkon dorë për dore me prodhimin e produkteve që njerëzit duan të përdorin. Nëse merret lloji i duhur në sasinë e duhur, ata janë shumë më të gatshëm për ta përdorur dhe riaplikuar, duke rritur shanset e një mbrojtje të përshtatshme”, shpjegon Richard Duplock, menaxher i markës “Nivea Sun”.
Tregu global i kremrave të diellit sipas kategorive 2010 (milionë dollarë)
Viti 2009 2010
Totali i kujdesit ndaj diellit 7622.37 8181.31
Pas diellit 600.59 617.68
Ngjyrues (abronzante) 538.5 532.26
Mbrojtës nga dielli 6438.28 7032.37
Burimi: Euromonitor International
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.