Kylian Mbappé, futbollisti më i paguar në botë, nuk është një lojtar i ri në Botëror.
Vetëm 4 vite më parë, ai ndihmoi Francën të fitonte trofeun, gjë e cila nuk ndodhte prej vitit 1998.
Ky ishte si një shenjtërim për 19-vjeçarin e atëhershëm, i cili fitoi çmimin e lojtarit më të mirë të ri në kampionatin e organizuar nga Rusia.
Botërori 2022, futbollistët më të paguar
Kupa e Botës në Katar 2022 mund të përfaqësojë një pikë kthese për superyllin 23-vjeçar, pasi mund të rrisë më tej popullaritetin e tij, dhe ndoshta, të përfitojë një pagë edhe më të lartë.
“Në nivel botëror, fama e Kylian Mbappé ka kapur majat, veçanërisht falë bashkëpunimit me EA Sports dhe marrëveshjes së re [me Nike] dhe gjithçka që vjen pas saj”- thotë Rossi Biddle, pronar i shoqërisë aktive në marketingun e sportit XtraTimeFC, duke folur për partnerët e tij në nivel tregtar.
Ai shton se Mbappé, futbollist i kopertinës së videolojës FIFA23 të EA Sports, do të jetë me shumë gjasa fytyra e Botërorit të Katarit 2022, dhe nëse Franca do të bëjë një paraqitje të mirë, marrëveshjet e sponsorizimit mund të rriten.
Duke llogaritur Kupën e Botës të vitit 2018, e cila është ndjekur nga 3.6 miliardë njerëz, kjo ngjarje përfaqëson një ekspozim mediatik mbresëlënës për yjet e futbollit.
Në 64 ndeshje, turneu është ndjekur mesatarisht nga 191 milionë persona (numri një i FIFA, Gianni Infantinno, ka deklaruar në maj se pret që Botërorin e këtij viti ta ndjekin 5 miliardë spektatorë). Sa më shumë që një ekip arrin sukses, më i madh është ekspozomi për yjet e tij.
Kylian Mbappé është një nga atletët që fiton më shumë në këtë sport. Forbes vlerëson që për sezonin 2022-2023, do të fitojë 128 milionë dollarë para taksave dhe tarifave të agjentëve.
Falë rinovimit trevjeçar me Paris Saint-Germain, këtë vit do të fitojë 110 milionë dollarë mes pagës dhe një pjesë të bonusit të nënshkrimit, sipas ekspertëve të sektorit. Kësaj shifre u shtohen edhe rreth 18 milionë dollarë që Mbappé fiton çdo vit nga sponsorizimet, duke përfshirë marrëveshjet me Nike, Dior, Hublot, Oakley, Panini, EA Sports e Sorare.
Sfida mes Cristiano Ronaldo dhe Messi
Nëse nga një anë, Mbappé kërkon të fitojë për të dytën herë Kupën e Botës, në tjetrën, dy nga yjet më të mëdha të futbollit do të përpiqen, ndoshta për herë të fundit në karrierën e tyre të jashtëzakonshme, ta fitojnë për herë të parë.
Po flasim për futbollistin argjentinas Lionel Messi, 35 vjeç, i cili ka thënë se Botërori i këtij viti do të jetë i fundit për të, dhe për lojtarin portugez, Cristiano Ronaldo, i cili do të mbushë 38 vjeç në shkurt. Cristiano Ronaldo është bërë edhe njeriu i parë në botë i cili ka më shumë se 500 milionë ndjekës në Instagram.
Të dy së bashku kanë shënuar qindra gola, duke fituar 12 Topa të Artë dhe kanë fituar trofe të shumtë, përfshirë UEFA Champions League.
E megjithatë, nuk kanë mundur ende të fitojnë Kupën e Botës. Ata mbeten dy prej futbollistëve më të paguar në botë, me fitime në karrierë prej më shumë se 1 miliard dollarësh përkatësisht dhe ende pritet të kalojnë shifrën nëntëshifrore për sa u përket fitimeve totale këtë sezon. Messi pritet të fitojë 120 milionë dollarë në vit, duke përfshirë sponsorizimet, kurse Ronaldo, 100 milionë dollarë.
Për Ronaldon, lamtumira nga futbolli mund të jetë më afër se sa pritej. Qëndrimi dhe paraqitjet e tij me Manchester United janë kritikuar ashpër këtë sezon. Ronaldo, i cili thuhet se është përpjekur të gjejë një ekip tjetër në parasezon, ka pasur vështirësi për të zënë një vend titullar në klubin e tij, por është përplasur trajnerin e Manchester United, Erik Ten Hag.
Në një intervistë të fundit me Piers Morgan, Ronaldo kritikoi United, familjen Glazer dhe Ten Hag, duke thënë: “Nëse nuk keni respekt për mua, unë kurrë nuk do të kem respekt për ju”.
Disa orë më parë doli lajmi se Ronaldo do të largohet nga Manchester United.
Megjithatë, popullariteti i tij nuk është zbehur. Ronaldo është futbollisti që jashtë fushe, fiton më shumë, rreth 600 milionë dollarë, sipas vlerësimeve të Forbes, me sponsorë si Nike, Herbalife e Livescore (i vetmi lojtar afër është Messi, me 55 milionë dollarë).
Ndër të tjera, Cristiano Ronaldo është bërë edhe njeriu i parë në botë i cili ka më shumë se 500 milionë ndjekës në Instagram.
Në klubin e pesë lojtarëve më të paguar që luajnë në Katar janë edhe dy lojtarë ‘senior’, braziliani Neymar Jr. dhe polaku Robert Lewandowski. Edhe pse vetëm 30 vjeç, Neymar ka lënë të nënkuptohet publikisht se Botërori i Katar 2022 mund të jetë i fundit për të. Ndër të tjera, Brazili është favorit këtë vit për të fituar.
Ndërkohë Lewandowski, 34 vjeç, i cili u transferua te Barcelona për 45 milionë euro, ka rritur fitimet e tij dhe ka shënuar 18 gola në 18 ndeshjet e para. Këtë vit mendohet se do të fitojë rreth 35 milionë dollarë, nga të cilat, 8 milionë, jashtë fushe.
Në total, pesë lojtarët më të paguar në Botërorin e Katarit 2022 pritet të fitojnë 452 milionë dollarë këtë sezon, duke përfshirë 173 milionë dollarë jashtë fushës, sipas vlerësimeve të Forbes. Nëse ndonjë prej tyre do të arrinte në fundin e turneut, mund të rriste fitimet.
Si për çdo mundësi më të madhe sponsorizimi, por edhe falë çmimeve të tjera në para, ndonëse në një masë më të vogël. Franca fitoi 38 milionë dollarë kur ngriti trofeun e Kupës së Botës 2018, duke shpërndarë 11 milionë dollarë te 23 lojtarët e ekipit, një bonus mesatar prej rreth 480,000 dollarësh.
Për Kupën e Botës në Katar 2022, FIFA ka vendosur një shpërblim total 440 milionë dollarë, ku fituesit do të marrin në shtëpi 42 milionë dollarë.
Botërori i Katarit 2022: 5 futbollistët më të paguar
Kylian Mbappé, 23 vjeç, Francë: 128 milionë dollarë (110 mln në fushë, 18 mln jashtë fushe)
Lionel Messi, 35 vjeç, Argjentinë: 120 milionë dollarë (65 mln në fushë, 55 mln jashtë fushe)
Cristiano Ronaldo, 37 vjeç, Portugali: 100 milionë dollarë (40 mln në fushë, 60 mln jashtë fushe)
Neymar Jr., 30 vjeç, Brazil: 87 milionë dollarë (55 mln në fushë, 32 mln jashtë fushe)
Robert Lewandowski, 35 vjeç, Poloni: 35 milionë dollarë (27 mln në fushë, 8 mln jashtë fushe)
/ Forbes