Interesi i shqiptarëve për të lexuar mbetet i vakët. Loreta Berhami, drejtuese e shtëpisë botuese “Pegi”, pPjesërisht kjo varet nga fakti që jemi komb i vogël, por jo vetëm.
Por, ajo shton se ka edhe kombe të tjera, të vogla që kanë një treg botimesh më të shëndetshëm. Për Shqipërinë, interesi i ulët për të lexuar sipas saj lidhet me nivelin e përgjithshëm të zhvillimit ekonomik, nivelin arsimor dhe kulturor, modat e reja të përdorimit të kohës së lirë.
Arlinda Dudaj, drejtuese e shtëpisë botuese “DUDAJ” pranon se ka pasur rënie të shitjeve të librave dhe të lexueshmërisë. “ Kjo lidhet me disa arsye, jo vetëm me numrin e botimeve të reja, që në fakt këtë vit kemi botuar ca më pak. Por, lidhet edhe me vështirësinë e qasjes së lexuesit pranë librit. Ka më pak librari, libri nuk është i ekspozuar bukur, libri promovohet më pak”, pohon ajo.
Më optimist është Albert Gjoka, menaxher i platformës “Bukinist.al”, i cili pohon se Duhet të shkojmë drejt marketimit dixhital të librit, që të nxisim lexuesit dhe shitjet.
Intervista 1
Flet Loreta Berhami, drejtuese e shtëpisë botuese “Pegi”
“Zhvillimi ekonomik, arsimor e kulturor e bën Shqipërinë ndër vendet ku lexohet më pak”
Si ka qenë ecuria e tregut të librit krahasuar me një vit më parë, si për shitjet, ashtu edhe për lexueshmërinë?
Shitjet kanë qenë pak më mirë se vitin e kaluar, në tërësi, megjithëse ndoshta është ende “herët” për të folur me siguri, pasi panairi është pjesë e rëndësishme e vitit dhe mund të gjykohet saktësisht vetëm pas tij. Numri i lexuesve mbetet çështje e hapur në kuptimin që vetëm statistika të mirëfillta, të bazuara në pyetësorë dhe të dhëna të tjera, mund të hedhin dritë mbi këtë.
Ne si botues, shohim vetëm shitjet dhe komentet që marrim nga ata lexues që kanë diçka për të thënë, ose që kanë kohën dhe dëshirën të japin një mendim ose një kritikë. Sidoqoftë, mbeten ndërhyrje rastësore dhe jo të rregullta, pra është shumë pak për të arritur në përfundime.
Cilat janë vështirësitë kryesore që has libri në këndvështrimin e biznesit?
Ajo që u përmend më lart, interesi i kufizuar, pra shitje të vogla, relativisht me ato që janë puna dhe kapitali i nevojshëm për të krijuar një vepër të mirë, të çfarëdolloj zhanri. Pjesërisht kjo varet nga fakti që jemi komb i vogël, por jo vetëm. Ka edhe kombe të tjera, të vogla po aq sa ne, në mos më shumë, që kanë një treg botimesh më të lulëzuara dhe të shëndetshëm. Pra, ka diçka specifike shqiptare, të lidhur ndër të tjera, me nivelin e përgjithshëm të zhvillimit ekonomik, nivelin arsimor dhe kulturor, modat e reja të përdorimit të kohës së lirë, që e bën vendin tonë një vend ku blihen dhe lexohen pak libra.
Si është raporti i titujve të huaj me ata shqiptarë?
Ka disa herë më shumë tituj të huaj të përkthyer që botohen sesa tituj autorësh shqiptarë.
Cilat janë shijet e lexuesit?
Kjo është pyetje prej 1 milion dollarësh, siç është ajo shprehja… Është shumë e vështirë të flitet me siguri për këtë pasi shijet janë shpeshherë të ngjashme me modën: kalimtare dhe të ndikueshme. Në përgjithësi, emrat e njohur gjatë viteve të regjimit, ende përzgjidhen dhe lexohen. Pastaj, një pjesë e lexueseve parapëlqen shpesh romanet me përmbajtje më të thjeshtë, frymëzues, romantikë; ajo që në anglisht quhet “chick-lit”. Megjithatë, ka shpesh surpriza dhe tituj që mirëpriten edhe kur kjo gjë nuk është parashikuar as nga vetë botuesi.
Çfarë titujsh të rinj keni në duar?
Në këtë panair, tituj të botuar enkas për të, do të jenë: “Dita e mbetur”, nga Nobelisti i vitit 2017, Kazuo Ishiguro, nën përkthimin e mrekullueshëm të Parid Teferiçit; “Arti për t’u bërë i paharrueshëm”, një bestseller nga Dale Carnegie Training, nën përkthimin e Erion Kristos; tre libra fitues të çmimit europian të letërsisë, “Pa frymë” (L. Amurri), përkthyer nga Beti Njuma, “Viljevo” (L. Bekavac), përkthyer nga Ben Andoni dhe “Rojtari i fundit” (G. Josse), përkthyer nga Lorena Dedja.
Për mikeshat e letërsisë rozë, do të kemi një roman të ri në koleksionin tonë Fluturzat që titullohet ”Jam ende këtu”. Ndërsa për miqtë e vegjël, përveç dy titujve të rinj të serisë së Jeronim Stiltonit, do të kemi edhe një titull të ri, nga autorja shumë e dashur e serisë Nina, Moony Witcher: “Udhëtimi i gjatë i Gerri Hopit”.
Intervista 2
Flet Arlinda Dudaj, drejtuese e shtëpisë botuese “DUDAJ”
“Duhet qasje e re për të drejtuar librin te lexuesi”
Si kanë qenë shitjet këtë vit, po krahasuar me vitet e mëparshme?
Këtë vit, në gjykimin tim, ka pasur një tkurrje të shitjeve, si pasojë edhe të leximit. Kjo lidhet me disa arsye, jo vetëm me numrin e botimeve të reja, që në fakt këtë vit kemi botuar ca më pak. Por, lidhet edhe me vështirësinë e qasjes së lexuesit pranë librit. Ka më pak librari, libri nuk është i ekspozuar bukur, libri promovohet më pak. Në tërësi, janë elemente që shtëpia jonë botuese përpiqet që t’i korrigjojë aq sa mundet, por nuk mjafton. Fakti që ka gjithnjë e më shumë njerëz në panair, që blejnë në mënyrë të konsiderueshme, tregon që nuk e kanë të lehtë që të gjejnë librin. Këtu, në panair, i gjejnë të gjithë librat duke pasur përfaqësi të gjerë të shtëpive botuese.
Si vijon tendenca, çfarë librash pëlqejnë më shumë shqiptarët?
Letërsia zë vendin e parë, edhe në vitet e shkuara. Edhe letërsia për fëmijë ka pasur shitje të mira. Ndërsa edhe librat udhëzues, manualë, të tipit: dieta, gatimi, frymëzimi, janë libra që po preferohen shumë.
Sipas jush, cilat janë problematikat për rrudhjen e leximit, sidomos për brezin e ri?
Prindërit tentojnë që të nxisin leximin tek të rinjtë, fëmijët; janë këta që fundit që hezitojnë, bëjnë rezistencë. Lidhur me këtë, unë dua të theksoj se kjo vështirësi në tkurrjen e leximit të brezave të rinj, duhet nisur me shkollën. Kjo e fundit duhet të punojë më shumë në këtë drejtim: bibliotekat janë të varfra, titujt janë të vjetër, nuk adaptohen me ndryshimet që po pëson koha. Për pasojë, fëmijët nuk duan të lexojnë më libra aq të vjetër, duan letërsi më bashkëkohore.
Cilët janë titujt e rinj që sillni këtë vit?
Ne kemi marrë ekskluzivitetin e përkthimeve të Isabel Allende dhe nga kjo autore e preferuar e shqiptarëve kemi sjellë disa tituj të rinj. Gjithashtu, kemi edhe libra të rinj doracakë si ai i gatimit të Renato Mekollit. Si autore shqiptare kemi librin e Diana Çulit, “Vrasje në Kryeministri”, etj.
Intervista 3
Flet Albert Gjoka, menaxher i platformës “Bukinist.al”
“Duhet të shkojmë drejt marketimit dixhital të librit, që të nxisim lexuesit dhe shitjet”
Si lindi ideja e Bukinist, platformës së shitjes online të librave fizikë?
Bukinist është themeluar në korrik të vitit 2016, është pjesë e kompanisë Net Trade Albania, e cila mendoi që të investonte në tregun e librit online. Emrin e mori nga novela e Stefan Zweig. Ideja ishte që të ndërtohej një platformë që jo vetëm të lejonte akses online për blerjen e librit, por edhe të rekomandohen libra. Që nga nisja, platforma ka ecur shumë mirë. Ne kemi në databazën tonë mbi 10 mijë klientë (lexues), një pjesë e mirë e të cilëve besnikë.
Kërkesat kanë qenë të larta, brenda dhe jashtë Shqipërisë. N.q.s do t’i bënim një ndarje gjeografike, 60% e kërkesave janë nga Tirana, rreth 15% nga jashtë Shqipërisë, pjesa që mbetet janë nga rrethet. Si çdo shërbim tjetër komercial, edhe libri shkon te lexuesi aty ku ai është, në rrethe dhe Tiranë, pa kosto shtesë transporti. Sa u përket formave të pagesës, në Tiranë e rrethe dominojnë me pagesë në dorë, në momentin e dorëzimit të pakos, ndërsa jashtë me kartë krediti ose paypal. Megjithatë, kemi vënë re që një pjesë e shqiptarëve brenda territorit po nisin që të bëjnë pagesa edhe me paypal. Arsyeja se pse pagesat janë kryesisht me kesh në masën 80% lidhet edhe me interesin e lartë të kartave të kreditit.
Si ka qenë ecuria ndër vite e Bukinist?
Ka qenë me rritje mbi 50% për çdo vit që kalon. Aktualisht, pas 2 vitesh e gjysmë aktivitet, vlerësojmë se rritja ka qenë e konsiderueshme dhe gjithnjë e më shumë shihet në rritje interesi për të blerë libra online. Pasi e porosit njëherë, shihet tendenca për ta ripërsëritur. Planet tona janë ambicioze në kuadër të promovimit të kulturës së të blerit një libër online. Synimet janë edhe organizimet e aktiviteteve herë pas here.
Si ka qenë qasja e shtëpive botuese për të bashkëpunuar me ju?
Ne kemi vendosur kontrata me një pjesë të konsiderueshme të shtëpive botuese në Shqipëri, Kosovë dhe në vende të tjera. Planet tona ishin të qarta rreth marketingut dhe distribucionit të librit, kishte botues që ishin shumë të hapur që në fillim, ka edhe skeptikë. Ndonëse rrjetet sociale dhe interneti në përgjithësi ka fituar një rol masiv në përdorim nga të gjithë, mendoj se edhe skeptikët do të ndryshojnë këndvështrim. Marketingu dhe shpërndarja kanë qenë dhe janë dy pika nevralgjike të problematikave të librit në Shqipëri dhe marketingu dixhital u mundëson shumë në këtë drejtim shtëpive botuese.
Sa i përket shijeve të lexuesve, cilat zhanre porositen më tepër?
Duhet theksuar që ai që është bestseller në tregun botëror, është edhe në Shqipëri. Autorë si Khaled Hussein, Paolo Coelho, Zafon, Isabel Allende etj., mbeten të preferuar me të gjithë librat që ofrojnë. Megjithatë, ka lexues për secilin zhanër. Është vënë re një tendencë në rritje për porositjen e librave të zhvillimit personal, të biznesit, manuale etj. Kjo kategori zë vendin e tretë sa i përket shitjeve, ndryshe nga trendi i tregut në përgjithësi. Te Bukinist, vendin e parë, sa u përket shitjeve, e zë romani, kryesisht ai i huaj, vendin e dytë letërsia për fëmijë.
A ka interes libri për fëmijë? A nxisin prindërit shqiptarë fëmijët e tyre që të lexojnë?
Ndonëse besojmë se fëmijët e sotëm janë një brez teknologjik, prova që shitje të librave për fëmijë ka pasur dhe ka, është fakti që janë shtuar shumë shtëpitë botuese si dhe botimet për to. Ndryshe nga panaire të mëparshme, këtë vit vihen re më shumë stenda të dedikuara për fëmijët. Mendoj se prindërit shqiptarë, siç sakrifikojnë për edukimin e fëmijëve, ashtu edhe bëjnë sakrifica për blerjen e librave për to. Librat për fëmijë në ditën e sotme janë të shtrirë në një gamë shumë të gjerë, si nga mosha, ashtu edhe lloji. Nisin që me 0-3 vjeç, deri te letërsia e mirëfilltë për një grupmoshë më të lartë.
Si e vlerësoni të ardhmen e tregut të librit dhe vështirësitë?
Francezët kanë një shprehje “Botimi nuk të bën të pasur por edhe nuk të lë të varfër”. Duhet kuptuar që botimi nuk është një akt patriotik, është një aktivitet biznesi si gjithë të tjerat. Libri, duke qenë një pasuri intelektuale dhe shpirtërore, ka specifika të tjera, por unë besoj se marketingu dixhital është e ardhmja që do të nxiste zhvillimin e këtij tregu dhe më duhet ta pranoj që Bukinisti është investitori i parë që operon në këtë drejtim. E shoh të mundshme që jemi një hapat e parë, pozitivë në krijimin e disa standardeve për marketimin dhe menaxhimin e librit.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.
Gjate gjithe diskutimit asnje nga shtepite botuese nuk tregon problemin e cmimit. Jam dakort me parafolesin. Eshte e vertete qe cmimet ne Europe per librat eshte edhe me i larte por duhet patur parasysh edhe ekonomia e vendit tone. Nuk mund te blejme nje liber 2500 lek kur rrogat nuk kalojne vleren e 30000 lekeve ne muaj. Ndaj njerezit presin panairin me shprese te blejne libra me cmim me te ulet(max 20% ulje).
Çmimi I lartë I librit është arsyeja e rënies se leximit. Ja fusin me top çmimeve.