Ndërtimi i Korridorit 8 të Transportit do të sjellë përfitime për të gjithë rajonin, përfshirë Kroacinë, tha Kryeministri i Bullgarisë, Boyko Borissov, në takimin me homologun kroat Andrej Plenkoviç të zhvilluar në Zagreb, njoftoi zyra e shtypit e qeverisë.
“Integrimi europian i Ballkanit Perëndimor do të vazhdojë të jetë një nga prioritetet kryesore të politikës së jashtme të Bullgarisë, pasi është i rëndësishëm në arritjen e stabilitetit, paqes dhe prosperitetit në rajon. Ne e vlerësojmë angazhimin e bërë nga Presidenca e ardhshme Kroate për të vazhduar temën e filluar gjatë Presidencës sonë”, tha Kryeministri Borissov.
Në fokus të takimit ishin konsultimet për përparësitë e Presidencës së ardhshme në gjysmën e parë të vitit 2020, e cila do të vazhdojë të punojë për përparimin e gjashtë vendeve të rajonit në drejtim të BE-së. Kjo ka qenë edhe një ndër temat më të rëndësishme të axhendës së Presidencës Bullgare, e vazhduar më pas edhe nga Presidenca Austriake, Rumune dhe Presidenca aktuale e Finlandës.
E ardhmja e Ballkanit Perëndimor është drejt BE-së, përsëritën kryeministrat Borissov dhe Plenkovich. Të dy kryeministrat diskutuan për thellimin e bashkëpunimit tregtaro-ekonomik midis Bullgarisë dhe Kroacisë, si dhe potencialin për të nxitur investimet dhe për të tërhequr investitorë të ndërsjellë. Sektorët më premtues të partneritetit midis kompanive bullgare dhe kroate janë infrastruktura, turizmi, industria ushqimore, teknologjitë e informacionit dhe telekomunikacionit, energjia, etj.
“Ne ndajmë një interes të përbashkët për projektet e infrastrukturës rajonale. Prandaj, ne besojmë se ndërtimi i Korridorit të 8 të Transportit do të jetë i dobishëm për të gjithë rajonin, përfshirë Kroacinë, pasi ai do të sigurojë një rrugë alternative për në Detin e Zi dhe më tej, për në Rajonin Kaspik dhe Azinë Qendrore”, u shpreh Kryeministri Borissov.
Kryeministri bullgar theksoi se të dyja vendet duhet të mbështesin bashkërisht politikën europiane për forcimin e infrastrukturës energjetike dhe zhvillimin e projekteve që synojnë diversifikimin e rrugëve dhe burimeve të gazit natyror. “Ne i konsiderojmë po aq të rëndësishme projektet e ndërlidhjes Greqi-Bullgari dhe terminalin LNG në ishullin kroat Krk”, tha më tej Kryeministri Borisov.
Në të njëjtin kontekst, projekti për ndërtimin e një qendre gazi në territorin e Bullgarisë synon të krijojë infrastrukturën e nevojshme që do të lidhë tregjet e gazit në BE me vendet e Komunitetit të Energjisë (Serbinë, Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe Bosnje- Hercegovinën) .