Banka e Shqipërisë njofton se ka vlerësuar dhe theksuar se pandemia e COVID-19 e gjeti sistemin bankar shqiptar likuid dhe të mirëkapitalizuar. Kjo situatë e shëndetshme pritet të vijojë edhe në të ardhmen.
Si një masë paraprake mbrojtëse, Banka e Shqipërisë ka siguruar dakordësinë e Bankës Qendrore Evropiane (BQE) për tú mbështetur me likuiditet në EUR nëpërmjet marrëveshjes REPO.
Marrëveshja REPO është një formë huamarrje e kolateralizuar. Përmes saj, Banka e Shqipërisë, shet përkohësisht tek BQE tituj që i disponon, duke marrë përsipër t’i blejë ato në një kohë të dytë, sipas kushteve të rëna paraprakisht dakord me BQE-në.
Likuiditeti i siguruar nëpërmjet kësaj marrëveshjeje, do t’i vihet në dispozicion sistemit bankar shqiptar nëpërmjet Bankës së Shqipërisë. Ky instrument është një mjet mbrojtje rezervë, që mund të vihet në përdorim në rast se do të ketë një mosfunksionim normal të tregut për shkak të ndonjë goditje nga COVID-19. Kjo linjë REPO do të jetë në fuqi në deri në fund të muajit qershor 2021, për aq kohë sa nuk do të vendoset një zgjatje e afatit, sipas burimeve zyrtare.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.