Banka Qendrore Europiane deklaroi të hënën se do të rrisë kontrollin mbi mënyrën se si bankat menaxhojnë riskun e kredisë dhe diversifikojnë fondet, ndërsa përshkroi prioritetet e saj për vitin 2023 në një kohë kur eurozona po shkon drejt një recesioni të mundshëm dhe po përballet me kosto të larta të huamarrjes.
Blloku i euros, i përbërë nga 19 vende, po përballet me goditjen e dyfishtë të inflacionit të lartë dhe rënies së madhe ekonomike, kryesisht si pasojë e luftës së Rusisë në Ukrainë, e cila e ka detyruar BQE-në që të shtrëngojë kushtet e financimit, edhe pse kjo gjë përkeqëson rënien ekonomike.
BQE, e cila mbikëqyr më shumë se 100 banka të mëdha në Europë, tha se tani do të shqyrtojë më me kujdes huadhënësit e ekspozuar ndaj sektorëve me risk më të lartë, duke përfshirë tregtinë e energjisë, dhe gjithashtu do të vështrojë nga afër kreditë hipotekore dhe ato për pasuritë e paluajtshme komerciale.
“Normat e larta të interesit dhe perspektiva e ngadalësimit ekonomik mund të sfidojnë kapacitetin e dhënies së kredive nga huamarrësit në të ardhmen,” tha BQE në një deklaratë.
Një rishikim i fundit mbikëqyrës konfirmoi gjithashtu se ka mangësi në kontrollet e riskut të bankave, veçanërisht për sa i përket monitorimit të huave, klasifikimit të huamarrësve në vështirësi dhe provigjioneve, tha BQE.
“Kjo i bën bankat më vulnerabël ndaj korrigjimeve në disa tregje të pasurive të paluajtshme, veçanërisht në segmentin e pasurive të paluajtshme për qëllime banimi, duke pasur parasysh dinamikën e çmimeve të vërejtura gjatë viteve të fundit,” tha BQE.
BQE do të kryejë rishikime më të targetuara për huadhënësit, në mënyrë që të inkurajojë njohjen “e drejtë dhe në kohë” të humbjeve të pritshme të kredisë nëpërmjet provigjioneve më të larta.
“Për më tepër, rritja e normave të interesit dhe kostot më të larta të ndërtimit kanë të ngjarë të ndikojnë negativisht në tregun e pasurive të paluajtshme komerciale, veçanërisht në sektorin e zyrave, i cili tashmë po goditet nga ndryshimi i praktikave të punës dhe rritja e cilësisë pas përfundimit të pandemisë”, tha BQE./ Reuters