Një euro dixhitale, e cila aktualisht është duke u dizajnuar nga Banka Qendrore Europiane, duhet të ketë një rol të kufizuar fillimisht pasi mund të çrregullojë sektorin bankar dhe të zgjerojë më shumë rolin e bankës qendrore, tha të martën, Presidenti i Bundesbank, Jens Weidmann.
“Një qasje graduale mund të ketë kuptim duke pasur parasysh rreziqet e përfshira, kjo do të thotë një euro dixhitale me një grup specifik karakteristikash dhe mundësi për të shtuar funksionalitete të tjera më vonë,” tha Weidmann në një konferencë.
Banka Qendrore Europiane i dha dritë jeshile euros dixhitale në fillim të kësaj vere, por fillimi i funksionimit të monedhës mund të jetë pesë vite larg.
Pasi Banka deklaroi se do ti duhet një testim dy vjeçar që do të shqyrtojë “çështjet kryesore në lidhje me hartimin dhe shpërndarjen” e euros dixhitale dhe do të analizojë ndikimin e saj të mundshëm në treg. Dhe pas kësaj, do të përpiqet të fillojë zhvillimin e euros dixhitale, një proces që “mund të zgjasë rreth tre vjet”.
Ndër shqetësimet e tij kryesore, Weidmann argumentoi se në kohë krize, konsumatorët mund të nxitojnë të konvertojnë depozitat e tyre bankare në para të bankës qendrore, duke destabilizuar sistemin financiar pasi tërheqin një burim kryesor financimi./ Reuters