Investitorët japonezë mund të tërhiqen nëse Banka e Japonisë (Bank of Japan, BoJ) i jep fund politikës së saj monetare shumë të zbutur.
Tregjet e obligacioneve të Eurozonës janë në rrezik të një shitjeje të shkaktuar nga një tërheqje e papritur e investitorëve japonezë, nëse Banka e Japonisë i jep fund politikës së saj monetare tepër të butë, ka paralajmëruar Banka Qendrore Europiane.
“Nëse Banka e Japonisë vendos të normalizojë politikën e saj, kjo mund të ndikojë në vendimet e investitorëve japonezë, që kanë një gjurmë të madhe në tregjet financiare globale, duke përfshirë tregun e bonove të zonës së euros”, tha BQE në publikimin e fundit të situatës së stabilitetit financiar.
BQE tha se rreziku i “tërheqjes së papritur të investitorëve japonezë nga tregu i bonove të Eurozonës” ishte ndër kërcënimet e panumërta të mundshme për sistemin financiar BE-së, ndërkohë që gjykoi se blloku ishte kryesisht elastik, edhe pas trazirave të fundit bankare në SHBA dhe Zvicër.
Pasojat nga një ndryshim i mundshëm i politikës në Japoni, do të theksoheshin për tregjet e borxhit të Eurozonës, sepse do të përkonte me fillimin e tkurrjes së zotërimeve të obligacioneve të vetë
BQE këtë vit.
Kohët e fundit, BoJ sinjalizoi hapin e parë në ndryshimin e politikës së saj monetare shumë të zbutur, duke hequr dorë nga udhëzimet e ardhshme se normat e interesit do të mbeten në ose nën nivelet aktuale, pasi inflacioni në vend u rrit me normën më të shpejtë në katër dekada.
Investitorët japonezë kanë zotërime të konsiderueshme në obligacionet qeveritare të Eurozonës, veçanërisht obligacionet e Francës, si dhe investime të mëdha në bonot e thesarit të SHBA-së dhe obligacionet australiane.
BQE tha se normalizimi i politikës monetare japoneze, mund të çojë në “një rënie të shpejtë të diferencave të kursit dhe rritje të paqëndrueshmërisë së kursit të këmbimit”, për të cilën tha se mund të “zvogëlojë atraktivitetin” e tregtisë së kryer – në të cilën investitorët marrin hua me norma të ulëta në Japoni, për të investuar në obligacionet me yield më të lartë jashtë vendit.
Normat më të larta japoneze, mund të nxisin investitorët të riatdhesojnë paratë, ndërsa “humbjet e vlerësimit në portofolet lokale të obligacioneve dhe normat më të larta pa risk, mund të pengojnë sjelljen e investitorëve për të kërkuar investime me risk, duke përfshirë gatishmërinë e tyre për të investuar jashtë”.
Luis de Guindos, nënkryetar i BQE-së, tha se shtrëngimi i politikës së fundit – duke përfshirë një rritje prej 3.75 pikë përqindje në normën e depozitave, që nga vera e kaluar – “mund të zbulojë dobësitë në sistemin financiar”.
Ai tha se ishte “kritike” të monitoroheshin kërcënime të tilla, duke përfshirë rënien e çmimeve të pronave tregtare, kostot më të larta të huamarrjes për qeveritë dhe bankat, rritjen e falimentimeve dhe likuiditetin më të ulët në tregjet financiare.
Këto rreziqe në rritje, së bashku me pasigurinë në rritje mbi ekonominë, e bënë edhe më të rëndësishme për drejtuesit politikë, që të “zbatojnë plotësisht unionin bankar” në bllokun e monedhës së përbashkët, duke futur një skemë të përbashkët të garancisë së depozitave, tha De Guindos.
Bankat në Eurozonë kanë “dëshmuar se janë elastike” ndaj kolapsit të disa bankave amerikane dhe krizës në Credit Suisse, që e detyroi atë të shkonte në ‘krahët’ e rivalit të saj UBS, tha BQE, duke folur për pozicionet e “kapitalit të fortë dhe likuiditetit” midis huadhënësve të rajonit.
Por, Banka Qendrore Europiane paralajmëroi se kishte shenja të një përkeqësimi të cilësisë së kredisë në bilancet e bankave, pasi kostot më të larta të huamarrjes, rritja e dobët dhe inflacioni i lartë, shkaktuan ulje të aftësisë paguese. “Për këtë arsye, bankat mund të kenë nevojë të veçojnë fonde, për të mbuluar humbjet dhe për të menaxhuar riskun e borxhit.
Tregjet e pasurive të paluajtshme në Eurozonë “po përjetojnë ndryshime”, tha BQE. Rënia e fundit e çmimit të banesave, kishte qenë “e rregullt deri më tani”, por institucioni paralajmëroi se nëse kërkesa vazhdon të ndikohet nga rritja e kostove të hipotekave, rënia mund të bëhet “e çrregullt”.
Rënia në tregjet e pronave tregtare “mund të testojë qëndrueshmërinë e fondeve të investimeve”./ The Financial Times