Normat e interesit të Eurozonës janë mbajtur të pandryshuara në një nivel të ulët rekord prej 1% nga Banka Qendrore Europiane, teksa rajoni i 17 vendeve po përpiqet që t’i rikthehet rritjes ekonomike.
Vendimi, i cili pritej gjerësisht, erdhi pas shenjave se Eurozona kishte hyrë në recesion, me aktivitetin ekonomik që ishte tkurrur në pjesën më të madhe të Europës Jugore.
Detyra e BQE-së ka qenë e komplikuar gjithsesi, për shkak të shtimit të divergjencave në Eurozonë dhe fortësisë së ekonomisë gjermane, më të madhes në rajon, ku papunësia ka rënë në nivele rekord të ulëta dhe “Bundesbank”
ka shprehur frikën rreth presioneve inflacioniste.
Jens Weidmann, presidenti i “Bundesbank”, i ka bërë thirrje BQE-së që të përgatitet për një strategji dalëse, për të lehtësuar masat e ndërmarra për të luftuar krizën, duke përfshirë huatë trevjeçare prej më shumë se 1 trilion eurosh,
që u janë dhënë bankave nga BQE-ja. Por Mario Draghi, presidenti i BQE-së, nuk pritet të sinjalizojë se zbatimi i një strategjie të tillë është i shpejtë.
Në fund të vitit të kaluar, teksa kriza e borxheve të Eurozonës u intensifikua, BQE uli sërish normat e interesit në nivele të ulëta që ishin parë në kohën e recesionit të thellë të vitit 2009.
Një muaj më parë, z. Draghi konstatoi shenja stabilizimi në ekonominë e Eurozonës dhe parashikoi rimëkëmbje graduale në vitin 2012.
Të dhënat e fundit të indeksit të menaxherëve tregonin se aktiviteti ekonomik është dobësuar në mars. Indeksi “I përbërë”, që mbulon industrinë prodhuese dhe shërbimet, ra nga 49.3 në shkurt në 49.1 në mars, niveli më i ulët i tre muajve.
Një shifër poshtë 50-s përfaqëson tkurrje të aktivitetit.
Gjithsesi, rënia e Eurozonës aktualisht është e butë, sipas Chris Williamson, shef ekonomist në “Markit”, që publikon këtë indeks. Duke pasur parasysh që besimi ekonomik në sektorin e shërbimeve është më i lartë sesa vjet,
“recesioni gjithashtu mund të jetë i shkurtër” shtoi ai.