BQE, paketë të re stimujsh 500 mld euro për të nxitur ekonominë europiane të goditur nga Covid-19

10/12/2020 3:16 PM 0 komente

Banka Qendrore Europiane (BQE) ka prezantuar një paketë të re stimujsh, në një përpjekje për të ndihmuar ekonominë e zonës euro të rimëkëmbet nga pandemia e koronavirusit, duke premtuar të blejë 500 miliardë euro bono më shumë për një periudhë më të gjatë dhe duke siguruar fonde të lira shtesë për bankat.

BQE rriti madhësinë e programit të saj të blerjeve emergjente në periudhën e pandemisë nga 1.35 tn në 1.85 tn €. Ajo shtyu periudhën e zbatimit të programit nga qershori i ardhshëm deri të paktën në mars 2022, ndërsa riinvestoi të ardhurat e titujve të maturuar deri në të paktën në fund të vitit 2023, shkruan Financial Times.

Banka qendrore nisi gjithashtu një seri të re të ankandeve, që u ofrojnë bankave financim me norma thellësisht negative deri në minus 1 për qind – pra duke i paguar ato për të marrë hua para – me kusht që ato të ruajnë fluksin e kredisë për bizneset dhe familjet. Këto ankande do të zgjasin deri në Dhjetor 2021, ndërsa periudha e interesave ultra të ulëta është zgjatur me një vit deri në Qershor 2022.

Analistët thanë se lëvizjet ishin në përputhje me pritjet e tyre, pasi BQE njoftoi në tetor se kishte në plan të “riformatonte” politikat e saj.

Andrew Kenningham, ekonomist në Capital Economics, tha se masat e zgjeruara “theksojnë angazhimin e BQE-së për të përdorur bilancin e saj përtej emergjencës shëndetësore” dhe se kjo politikë mund të çojë në rënien e mëtejshme të rendimentit të letrave me vlerë.

Në një deklaratë që njofton vendimin, BQE tha se do të mbante normën e saj të depozitave të pandryshuar në minus 0,5 për qind ndërsa do të zgjerojë disa nga mjetet e saj të luftimit të krizës, duke përfshirë zgjatjen e kërkesave të kolateralit deri në qershor 2022 dhe zgjatjen e lehtësirave të saj për bankat e tjera qendrore në aksesin e tyre për likuiditete në euro deri në mars 2022.

Banka gjithashtu tha se vitin e ardhshëm do të nisin katër operacione të reja të rifinancimit afatgjatë të emergjencës pandemike, duke siguruar fonde për bankat me norma negative për të siguruar “një mbështetje efektive me likuiditet”.

Banka qendrore tha: “Masat e politikës monetare të marra sot do të kontribuojnë në ruajtjen e kushteve të favorshme të financimit gjatë periudhës pandemike, duke mbështetur rrjedhën e kredisë për të gjithë sektorët e ekonomisë, duke mbështetur aktivitetin ekonomik dhe duke ruajtur stabilitetin e çmimeve afatmesme”.

Sidoqoftë, ajo paralajmëroi se “pasiguria mbetet e lartë, duke përfshirë dinamikën e pandemisë dhe kohën e shpërndarjes së vaksinave”, duke shtuar se ajo vazhdon të monitorojë kursin e këmbimit pasi euro u ngrit në nivelin e saj më të lartë për më shumë se dy vjet kundrejt dollarit amerikan.

Në fillim të këtij viti, pandemia e zhyti zonën e euros në recesionin e saj më të thellë për një dekadë dhe blloku pritet të pësojë një rënie të dyfishtë në tre muajt e fundit të vitit 2020, si rrjedhojë e kufizimeve të reja në kontaktet sociale, që u morën për të përmbajtur një valë të dytë të pandemisë.

Sidoqoftë, përdorimi i pritshëm i vaksinave ka ushqyer shpresat e ekonomistëve për një rikthim të fortë të rritjes.

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of