Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti dhe zëvendësguvernatori Sokol Havolli kanë mbajtur një takim virtual me drejtuesit e Shoqatës së Bankave të Kosovës dhe përfaqësuesit e bankave komerciale në vend.
Temë e diskutimit ishte gjendja aktuale në sektorin bankar dhe kontributi i këtij sektori në tejkalimin e gjendjes së krijuar nga pandemia COVID-19, sidomos pas masave të reja.
Mehmeti ka treguar se BQK-ja është e angazhuar në krijimin e të gjitha mundësive për të ndihmuar qytetarët dhe bizneset, por në të njëjtën kohë të mbajë stabil dhe likuid sektorin bankar.
Nga ana tjetër, përfaqësuesit e bankave shprehën gatishmërinë që të ndihmojnë në tejkalimin e kësaj situate dhe në përkrahjen e ekonomisë së vendit, që pavarësisht se prioritet i vendit mbetet ruajtja e shëndetit publik, një rëndësi të madhe ka edhe ruajtja e shëndetit të ekonomisë.
Kurse gjatë ditës së djeshme guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti ka thënë se, ekonomia e vendit për këtë vit pritet të shënoj një rënie prej 7.2 për qind.
Mehmeti gjatë një konference për medie, së bashku me kryeministrin Avdullah Hoti, ka thënë se, zbatimi Pakos së Rimëkëmbjes është mëse e nevojshme për të tejkaluar këtë gjendje.
“Sistemi bankar vazhdon të mbetet likuid dhe i qëndrueshëm. Bankat vazhdojnë të kreditojnë, kështu që në muajin gusht vlera ka arritur në 3.2 miliardë euro. Sipas parashikimeve tona, ekonomia e Kosovës për këtë vit pritet të shënoj një rënie prej 7.2 për qind, kjo vjen si rezultat i masave ndaj pandemisë COVID-19. Pakoja për Rimëkëmbjen Ekonomike është mëse e nevojshme për të tejkaluar këtë gjendje”.
Ai ka shtuar se, Banka Qendrore Evropiane ka vendosur një linjë të financimit për BQK-në, në vlerë prej 100 milion euro dhe është në dispozicion të ofroj likuiditet.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.