Banka Qendrore e Kosovës ia ka revokuar licencën kompanisë së sigurimeve ‘Kosova e Re’, pas 11 muajve nën administrim të përkohshëm. Likuidimi i ‘Kosovës së Re’ vjen pas paaftësisë së kompanisë për t’i përmbushur kërkesat ligjore për kapital të përcaktuara me ligj.
Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti, ka njoftuar se bordi ekzekutiv ka vendosur të revokojë licencën e kompanisë së sigurimeve, “Kosova e re”.
Mehmeti ka thënë se kjo ka ndodhur si shkak i mos përmbushjes se kushteve ligjore dhe gjendjes financiare të kompanisë së sigurimeve, “Kosova e re”.
“Bazuar në kompetencat e BQK-së në takimin e mbajtur sot, bordi ka marrë vendim që siguruesit, ‘Kosova e re’ t’i revokohet licenca e datës 25 shkurt 2002. Siguruesi, ‘Kosova e re’ ka pasur problem me gjendjen financiare. ‘Kosova e re’ nuk ka arritur të përmbush kushtet ligjore dhe nuk ka pasur gjendje të mirë. Aksionarët nuk iu kanë përgjigjur kërkesës së BQK-së për rritjen e kapitalit në pajtueshmëri me kushtet ligjore. Kështu janë hapur procedurat e likuidimit të detyrueshëm”, tha Mehmeti.
Ai ritheksoi se aksionarët e “Kosova e re” nuk i kanë marrë seriozisht kërkesat e BQK-së.
“Nuk është vendim i lehtë. Kemi bërë përpjekje të vazhdueshme, kemi shqiptuar gjoba në fillim. Pas një periudhe të gjatë të administrimit, kemi pasur mirëkuptim e kemi vazhduar administrimin me kusht që të ketë shenja që aksionari e ka seriozisht, mirëpo nuk e kemi pa asnjë veprim konkret që do ta shpëtonte”, shtoi ai.
Banka Qendrore e Republikës së Kosovës udhëzon të gjithë policëmbajtësit dhe kreditorët e tjerë, që të përcjellin njoftimet në ditët në vijim nga Likuidatori dhe BQK-ja lidhur me udhëzimet mbi procesimin e kërkesave që kanë në raport me Siguruesin në Likuidim “Kosova e Re”.
“Me këtë rast, BQK-ja shpreh vlerësim të lartë për Siguruesit që operojnë në tregun tonë të cilët kanë shprehur gatishmërinë për të marrë përsipër të gjitha policat aktive të sigurimit të detyrueshëm të Siguruesit “Kosova e Re” në mënyrë që qytetarët të mos kenë nevojë të riblejnë policat e sigurimit.
BQK-ja, në pajtim me detyrat dhe përgjegjësitë e caktuara nga Ligji për Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës dhe ligjet tjera përkatëse që rregullojnë veprimtarinë e institucioneve financiare, do të vazhdojë aktivitetet e saj për të siguruar përputhje të plotë të veprimtarisë së institucioneve financiare me kërkesat e përcaktuara nga ligjet dhe rregulloret në fuqi”.
BQK ka treguar se revokimi i licencës së Siguruesit “Kosova e Re” nuk rrezikon qëndrueshmërinë e sektorit të sigurimeve në Kosovë.
Kosova e re ka qenë nën administrim të përkohshëm nga Banka Qendrore e Kosovës që nga 1 nëntori i vitit 2020 deri më 30 prill të 2021.
Mirëpo, pas kalimit të afatit të administrimit të përkohshëm, BQK-ja kishte vendosur ta fusë edhe në listën e zezë këtë kompani në mënyrë që t’i jepte afat edhe dy muaj shtesë.
BQK-ja i kishte dhënë afat edhe dy muaj kësaj kompanie në mënyrë që të reflektonte në përmirësimin e gjendjes financiare të saj dhe në përmbushjen e kërkesave ligjore për kapital, solvencë dhe aseteve në mbulim të provizioneve teknike.
Bordi i BQK-së para se ta jepte këtë vendim për listën e zezë, kishte konstatuar se siguruesi “Kosova e Re” nuk kishte shfaqur kurrfarë faktesh për përmirësim të gjendjes financiare.
“Si rezultat i gjendjes së rënduar financiare dhe mos përmbushjes së kërkesave ligjore për kapital, si dhe në funksion të përmirësimit të gjendjes financiare, me qëllim të mbrojtjes së policëmbajtësve dhe sigurimit të stabilitetit financiar të sektorit, BQK-ja gjatë këtij viti ka marrë vendimin për vendosjen nën administrim të përkohshëm të siguruesit “Kosova e Re”, ishte thënë në njoftimin për media të BQK-së në dhjetorin e kaluar, kur edhe ishte njoftuar për futjen nën administrim të kompanisë.
Kompania “Kosova e Re” është në pronësi të kompanisë nga Ferizaj “Fitorja” SHPK.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.