Pandemia COVID-19 ka lënë gjurmë të mëdha në bizneset e Kosovës gjatë vitit që lamë pas. Banka Qendrore ka treguar se gjatë vitit 2020 nga pandemia u goditen hotelet, restorantet, ndërtimtaria dhe transporti. Pandemia COVID-19 ka ndikuar negativisht edhe në importin e mallrave, duke shkaktuar rënie prej 17.3 për qind.
Sektori i hoteleve dhe restoranteve po del të jetë më i godituri nga pandemia. Të dhënat e fundit të publikuara nga Banka Qendrore e Kosovës (BQK) thonë se ky sektor pati një rënie prej 39 për qind të aktivitetit ekonomik.
“Në baza sektoriale, nё gjysmën e parё tё vitit 2020, rënien mё tё lartё e shënoi sektori i hoteleve dhe restoranteve me 39.0 pёr qind, ndërtimtarisë me 35.5 për qind, transportit dhe magazinimit -33.1 pёr qind, aktiviteteve administrative dhe mbështetëse (-22.8 pёr qind), tregtisë (-5.0 pёr qind), etj. Nё anën tjetër, rritja mё e lartё ёshtё shënuar tek sektori i industrisë përpunuese (15.7 pёr qind), informimit dhe komunikimit (15.7 pёr qind), furnizimit me energji elektrike dhe gaz (12.8 pёr qind), shëndetësisë dhe punës sociale (11.1 pёr qind), industrisë nxjerrëse (5.8 pёr qind)”, thuhet në raportin e BQK-së mbi vlerësimin tremujor të ekonomisë.
Përkundër hapjes sё ekonomisë, vlerësohet se trendi i rënies sё aktivitetit ekonomik ka vazhduar edhe nё TM3 2020.
“ Këto vlerësime mbështeten nё rënien eksportit tё shërbimeve në periudhën raportuese, rënien e shpenzimeve kapitale tё qeverisë, rënien e IHD-ve, etj. Indikacion i rënies së kërkesës së brendshme është edhe rënia e importit të mallrave prej 9.3 për qind në TM3 2020. Në anën tjetër, remitancat kanë shënuar rritje edhe gjatё TM3 2020”.
BQK ka treguar se edhe indeksi i çmimeve të konsumit shënoi rritje të ngadalësuar prej 0.3 për qind deri në shtator 2020, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2019 kur ishte shënuar rritje prej 3.0 përqind. Duke filluar nga muaji korrik është shënuar rënie e çmimeve dhe mesatarja e deflacionit në TM3 2020 ishte 0.4 për qind.
Pandemia COVID-19 ka ndikuar në rënien e kërkesës vendore, duke ndikuar në rënien e të hyrave tatimore direkte për 6.3 përqind në TM3 2020.
Sipas BQK të gjitha kategoritë e të hyrave tatimore direkte shënuan rënie.
“Tatimi në të ardhurat e korporatave dhe tatimi në të ardhurat personale, si dy kategoritë kryesore të të hyrave tatimore direkte, shënuan rënie prej 2.5 përqind përkatësisht 3.7 përqind”.
Pandemia COVID-19 ka ndikuar negativisht edhe importin e mallrave, duke shkaktuar rënie prej 17.3 përqind në të hyrat tatimore indirekte të cilat arritën vlerën prej 335.5 milionë euro dhe përbëjnë 73.8 përqind të gjithsej të hyrave buxhetore në TM3 2020. TVSH-ja dhe akciza, si dy kategoritë kryesore të të hyrave tatimore indirekte, shënuan rënie prej 14.9 përqind përkatësisht 19.2 për qind.
Deri në shtator 2020, deficiti i llogarisë rrjedhëse ishte 308.1 milionë euro, që është për 129.7 përqind më i lartё krahasuar me periudhën e njëjtë tё vitit 2019.
Viteve tё fundit bilanci i llogarisё rrjedhёse ka qenё pozitiv gjatё tremujorit tё tretё, ndërsa gjatё TM3 2020, ёshtё shёnuar deficit prej 90.9 milionё euro (151.9 milionё euro suficit nё TM3 2019). Rritja e deficitit të llogarisë rrjedhëse nё TM3 2020 i atribuohet kryesisht zvogëlimit të bilancit pozitiv tё shёrbimeve.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.