Brazili pezullon shërbimin e pagesave të WhatsApp

25/06/2020 10:00 AM 0 komente

Brazili, tregu i dytë më i madh për WhatsApp, pezulloi shërbimin e pagesave nëpërmjet celularit, të aplikacionit të mesazheve të menjëhershme, WhatsApp, një javë pas hedhjes së një hapi tjetër, në atë që është pengesa më e fundit për Facebook.

Në një deklaratë, Banka Qendrore e Brazilit tha se e mori vendimin “për të ruajtur një mjedis konkurrues të përshtatshëm”, në hapësirën e pagesave nga celulari dhe për të garantuar “funksionimin e një sistemi pagesash që të jetë i zëvendësueshëm, i shpejtë, i sigurt, transparent, i hapur dhe ekonomik”.

Bankat në vend u kanë kërkuar Mastercard dhe Visa, të cilët janë ndër partnerët e pagesave të WhatsApp në Brazil, të pezullojnë transferimin e parave në aplikacionin e WhatsApp. Në rast të mosrespektimit të urdhrit, kompanitë do të ndëshkohen me gjoba apo sanksione administrative.

Në deklaratën e saj, Banka Qendrore në vend tha se ajo nuk e pati mundësinë të analizonte shërbimin e pagesave të WhatsApp, para debutimit të tij.

Njoftimi të martën është pengesa e fundit për Facebook, i cili e filloi testimin e WhatsApp Pay në Indi dy vjet më parë dhe nuk ka marrë ende miratimin rregullator për zgjerimin e shërbimit të pagesave në të gjithë vendin. Përveç Indisë, i cili është tregu më i madh i WhatsApp, aplikacioni po e teston Pay edhe në Meksikë.

Një zëdhënës i WhatsApp tha për TechCrunch se qëllimi i shërbimit është të përdorë një “model të hapur” dhe po vijon të angazhohet “me partnerë lokalë dhe Bankën Qendrore për ta bërë këtë të mundur”.

“Ndër të tjera, ne mbështesim projektin PIX të Bankës Qendrore për pagesat dixhitale dhe, së bashku me partnerët tanë, angazhohemi të bashkëpunojmë me Bankën Qendrore për të integruar sistemet tona kur PIX të bëhet i disponueshëm” – shtoi zëdhënësi.

PIX është shërbimi i pagesave i Bankës Qendrore, për të cilin ka siguruar partneritete me thuajse 1000 operatorë të sektorit. Banka Qendrore ka thënë më parë se parashikon ta lançojë PIX në nëntor të këtij viti.

Shërbimi i pagesave të WhatsApp debutoi në Brazil, javën e kaluar. Kjo ishte hera e parë që WhatsApp mundi të realizojë një përfshirje në nivel kombëtar të shërbimit të saj të pagesave në çdo treg.

Shërbimi u jep mundësinë përdoruesve të shkëmbejnë para me njëri-tjetrin si dhe të paguajnë bizneset. WhatsApp, në pronësi të Facebook, tha në atë kohë se nuk do t’u merrte asnjë komision përdoruesve për dërgimin apo marrjen e parave, ndërsa bizneset ndaheshin me një komision prej 3,99% për të marrë pagesat.

“Aty, më shumë se 10 milionë biznese të vogla dhe mikro janë zemra e komunitetit brazilian. Është bërë një zgjedhje e dytë për t’u dërguar një ‘zap’ bizneseve për të marrë përgjigje ndaj pyetjeve. Tani, përveç shikimit të katalogut të një dyqani, klientët mund të bëjnë edhe pagesa për produktet”  – shkruan kompania në një postim në blogun e saj, i publikuar javën e kaluar.

Mbetet e paqartë nëse WhatsApp, Mastercard dhe Viza e kanë respektuar urdhrin e Bankës Qendrore.

Burimi: Tech Crunch

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of