Agjencia Kombëtare e Bregdetit, një institucion i ngritur qysh në mandatin e parë të qeverisë Rama do të kalojë një riorganzimim total sa i përket kompetencave dhe funksionimit. Një vendim i qeverisë miratuar në korrik por që vetëm tani është publikuar në Fletoren Zyrtare saktëson detyrat që do të kryejë kjo agjenci duke nisur nga krijimi i Inventarit Kombëtar të Zonës Bregdetare deri tek bashkëpunimi me organe të tjera kompentente në rastet kur konstatohen abuzime në terren nga ana e subjekteve në zonat bregdetare.
Konkretisht sipas vendimit Agjencia Kombëtare e Bregdetit do të japë kontribut gjithashtu në informimin, konsultimin dhe aksesin e publikut gjatë hartimit dhe zbatimit të politikave e të strategjive të lidhura me menaxhimin e integruar të zonës bregdetare si dhe do të marrë pjesë në hartimin e politikave e të strategjive kombëtare për menaxhimin e integruar të bregdetit dhe bashkërendimin e punës për zbatimin e tyre.
E njëjta propozon ndryshime dhe përmirëson kuadrin ligjor e nënligjor për menaxhimin e integruar të zonës bregdetare, bashkëpunon me organet përkatëse për projektet dhe aktivitetet për mbrojtjen e zhvillimin e bregdetit dhe monitorimin e zbatimit të tyre ndërkohë që nxit dhe bashkëpunon me organizma, institucione, investitorë dhe aktorë të tjerë ndërkombëtarë apo vendas dhe i fton ata për pjesëmarrje e përfshirje në projektet dhe zhvillimet me rëndësi për menaxhimin e integruar të zonës bregdetare
Vendimi i ri e ngarkon agjencinë me monitorimin e zbatimit me përpikëri të instrumenteve të planifikimit të territorit, të miratuara nga autoritetet qendrore e vendore në zonën bregdetare dhe kontrollin për zbatimin e kritereve dhe të kushteve nga subjektet që ushtrojnë veprimtari turistike, në përputhje me dispozitat ligjore në fuqi.
AKB ushtron gjithashtu kontroll dhe inspekton në mjediset dhe në dokumentacionin e subjekteve që ushtrojnë veprimtari turistike, inspekton dhe monitoron rregulloren për disiplinimin e zhvillimit të veprimtarive turistike detare, që zhvillohen në zonën bregdetare dhe respektimin e rregullave për përdorimin e pasurisë së patjetërsueshme publike në zonën bregdetare si dhe inspekton dhe kontrollon zbatimin e rregullave për kushtet dhe kriteret për ushtrimin e veprimtarive në stacionet e plazhit, sipas akteve nënligjore në fuqi.
Në çdo rast agjencia merr masa, vendos gjoba/masa administrative për shkeljet e konstatuara nga subjektet që ushtrojnë veprimtari turistike, në përputhje me dispozitat e ligjit, shqyrton ankesat për masat administrative dhe gjobat e vendosura ndaj subjekteve si dhe ndjek procesin e ekzekutimit të detyrimeve monetare të subjekteve të gjobitura, me qëllim arkëtimin e shumave në favor të institucionit.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.