“Brenda gjysmës së parë të 2020, energjinë do të duhet ta gjejnë vetë edhe 1100 biznese të tjera”

29/11/2019 10:08 PM 0 komente

Flet Elton Sevrani, Drejtor i Divizionit Tregtar në OSHEE

 

OSHEE do të shkëpusë nga rrjeti i tij të gjithë konsumatorët e lidhur në tension 35 kilovolt, që furnizohen nga Furnizuesi i Mundësisë së Fundit. Drejtori i Divizionit Tregtar në OSHEE, Elton Sevrani, shprehet se atyre u është dhënë dy vjet kohë që të gjejnë një furnizues privat dhe se sipas ligjit, afati mbaron në 31 dhjetor 2019.

Ai thekson se janë të paktën 33 biznese që sot e sigurojnë të vetme energjinë dhe të njëjtën gjë, mund të bëjnë dhe pjesa tjetër, teksa procesi do të avancojë me daljen në treg të lirë të 1100 bizneseve të lidhura në tension 20 kilovolt.

 

Prej marsit 2018, mbi 90 klientë të lidhur në tension 35 kv u nxorën në treg të lirë. Si është sot situata dhe çfarë do të ndodhë kur të përfundojë periudha tranzitore prej dy vitesh?

Në mbështetje të ligjit 43/2015, për nenin që adreson liberalizimin e tregut të energjisë, kemi afatin final 31 dhjetor 2019 kur Furnizuesi i Mundësisë së Fundit, pjesë e Furnizuesit të Shërbimit Universal të OSHEE-së furnizon klientët në nivelin e tensionit 35 kilovolt.

Kjo do të thotë që këta do të jenë klientët që do të furnizohen nga Furnizuesi i Shërbimit Universal dhe duhet që, në mënyrë të padiskutueshme, të gjejnë furnizues të tjerë alternativë.

Kjo për shkak të një detyrimi ligjor që ka OSHEE-ja (FSHU) e cila nuk mund të vazhdojë më furnizimin përtej kësaj date. Janë bërë të gjitha njoftimet për të gjithë palët, u kemi bërë të ditur afatet që duhet të respektojnë. Aktualisht, më shumë se 33 subjekte kanë dalë në treg të parregulluar, furnizohen me energji elektrike me kontrata bilaterale me furnizues alternativë. Për momentin, janë rreth 4 furnizues alternativë që furnizojnë këta klientë.

Kemi një grup klientësh rreth 9, të cilët po në përputhje me Vendimin e Këshillit të Ministrave, do të vazhdojnë të furnizohen nga Furnizuesi i Shërbimit Universal me çmime të parregulluara për periudhën e mëtejshme, ku bëjnë pjesë institucione si ujësjellës, qendra spitalore dhe disa subjekte të tjera të përcaktuara në legjislacion. Pjesa e mbetur prej 50 e ca subjekte duhet të gjejnë furnizuesin e tyre, në mënyrë që viti i ri 2020 t’i gjejë në një furnizim të rregullt të energjisë elektrike. Ky detyrim nuk është më i furnizuesit të shërbimit universal, por pjesë e tregut të parregulluar.

A kanë mundësi të gjejnë furnizues këto kompani që duhet të jenë pjesë e tregut të parregulluar?

Mundësitë janë, pasi në treg operojnë 4 kompani të cilat furnizojnë 33 klientë. Kjo do të thotë që ato kanë mundësinë të furnizojnë edhe bizneset e tjera që furnizohen nga ne. Problemi është që këto biznese janë mësuar me bashkëpunimin e gjatë shumëvjeçar me OSHEE-në. Një problem tjetër është që ato, në disa raste, kanë edhe detyrime të prapambetura, për të cilat OSHEE ka ndjekur format e likuidimit, qoftë me aktmarrëveshje, qoftë me likuidim pjesor.

Këto të gjitha transferohen te furnizuesi jopublik, i cili do të ketë një kontratë të re të pavarur dhe do të ketë një marrëdhënie të re me këta furnizues. OSHEE do të vazhdojnë furnizimin deri në datë 31 dhjetor për konsumatorët e lidhur në 35 kilovolt. Në bazë të legjislacionit nuk ka më detyrimin për t’i furnizuar klientët në tregun 35 kilovolt. Legjislacioni ka përcaktuar një afat dyvjeçar në funksionin e FMF. Ne jemi të detyruar të respektojmë legjislacionin shqiptar, ndërkohë duke parë vendet e tjera kemi përvoja nga më të ndryshmet, ku FMF është furnizues pa afat ose me afat të reduktuar.

Legjislacioni shqiptar e ka dy vjet dhe jemi të detyruar ta respektojmë. Nëse do të ishte pa afat, atëherë ata do të vazhdonin të merrnin një çmim të parregulluar, maksimalisht të lartë, por ama nuk do t’u cenohej furnizimi. Gjithsesi kalimi në treguan e parregulluar është një avantazh që ndihmon në liberalizimin dhe hapjen e tregut të energjisë në Shqipëri.

Kur pritet të dalin në tregun e lirë grupi i konsumatorëve të lidhur në tension 20 kilovolt?

Sipas ligjit, grupi i dytë i konsumatorëve është ai i lidhur në tension 20 kv. Ky grup do të ketë mundësinë të furnizohet për një periudhë dyvjeçare nga Furnizuesi i Mundësisë së Fundit, gjithmonë nëse nuk ka arritur të gjejë një furnizues në tregun e lirë. Ne parashikojmë që kjo kategori biznesesh të dalin në tregun e parregulluar brenda pjesës së parë të vitit të ardhshëm. Aktualisht janë duke u përfunduar instalimet e njësive të nevojshme, pra aspekti teknologjik që mundëson këtë hap. Ky proces ka avancuar pasi ka nisur prej kohësh.

Sa biznese të këtij tensioni llogarisni? A mendoni që procesi do të jetë më i thjeshtë apo më i vështirë për këtë grup që të dalë në tregun e parregulluar?

Numri i saktë nuk është finalizuar, me përfundimin e instalimit të pajisjeve të matjes do ta kemi edhe këtë shifër. Por është rreth atij numri i lakuar edhe më herët, rreth 1100 subjekte. Lidhur me bizneset në 20 kliovolt dhe integrimin e tyre në tregun e parregulluar do të ketë shumë rëndësi mënyra sesi operojnë. Në këtë kategori biznesesh ka nga subjektet që kanë konsum të madh, siç janë ato në agropërpunim te subjekte me konsum të ulët, siç mund të jetë një restorant. Grupi i subjekteve me konsum të ulët mund të shohë si alternativë grupimin, në mënyrë që ta ketë më të thjeshtë gjetjen e një furnizuesi. Të gjitha këto janë elemente që shihen gjatë procesit. Në fund të fundit, edhe ata kanë alternativën dyvjeçare të furnizimit nga FMF.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of