Klima e biznesit ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës është përkeqësuar së fundmi, teksa bashkëpunimi ekonomik nuk po përparon. Ankesat e bizneseve për barrierat që po hasin nga dy shtetet janë shtuar shumë. Janë paralajmëruar edhe bllokime të kufijve. E krahas barrierave, edhe numri i bizneseve që kanë vepruar në Kosovë dhe Shqipëri ka filluar të ulet.
Ditë më parë, INSTAT raportoi se gjatë vitit 2018, numri i bizneseve nga Kosova në Shqipëri ishte 423, duke shënuar rënie me 11% në raport me një vit më parë. Vitin e kaluar, 55 ndërmarrje nga Kosova e kanë mbyllur aktivitetin, ku 23 ishin në sektorin e prodhimit dhe 32 në sektorin e shërbimeve. Ndërmarrjet nga Kosova ishin në rritje vitet e fundit, pas një përkeqësimi që u vu re në vitin 2015, por duket se situata ka nisur të përkeqësohet sërish. Edhe pse qeveritë e dy shteteve të të njëjtit komb u angazhuan në mbledhje të përbashkëta për të rritur bashkëpunimin ekonomik, shihet të ketë ndodhur e kundërta.
Një anketim që bëri këtë vit qeveria e Kosovës me bizneset për të gjetur pengesat në eksport, Shqipëria zuri vendin e dytë pas Serbisë. Por, edhe të dhënat që ka siguruar Monitor.al tregojnë se edhe numri i bizneseve të Shqipërisë që veprojnë në Kosovë kanë filluar të ulet.
Vetëm gjatë vitit të kaluar janë mbyllur 22 biznese të Shqipërisë që kanë vepruar në Kosovë. Kurse nga viti 2002 e deri më tani, janë mbyllur 84 biznese. Në këto të dhëna që janë përgatitur nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë tregohet se aktualisht në Kosovë veprojnë 1 mijë e 297 biznese të Shqipërisë.
Gjatë vitit të kaluar janë regjistruar 191 të tilla, ndërsa këtë vit janë regjistruar 57 biznese. Kujtojmë se muaj më parë, Klubi i Prodhuesve paralajmëroi edhe protestë për bllokimin e pikës doganore me Shqipërinë, por kjo protestë u shty me shpresën që qeveria e Shqipërisë të ketë kohë mjaftueshëm për të reflektuar për zgjidhjen e barrierave tregtare. Por protesta mbetet ende si një mundësi reagimi.
Shansi i humbur
Që kur Kosova u bë shtet më vete 9 vjet më parë, shqiptarët dhe qeveritë e të dy anëve të kufirit kanë dështuar në krijimin e marrëdhënieve normale tregtare. Në të gjithë historinë e saj të tregtisë se lirë me jashtë, Shqipëria nuk njeh aq konflikte sa me Kosovën. Edhe Kosova nuk njeh pengesa në tregtinë me jashtë sa me Shqipërinë. Rezultati final ka qenë në dëm të krijimit të një tregu të përbashkët, prej të cilit do të vinin të mirat ekonomike për të dy anët e të njëjtit komb.
Qeveritë e dy shteteve kanë firmosur mbi 50 marrëveshje bashkëpunimi në letër, por në vend të lehtësimit, konfliktet po thellohen për ditë. Shifrat tregojnë qartë se, pavarësisht se pjesë e të njëjtit komb, tregtia ndërmjet vendeve mbetet modeste dhe shembujt tregojnë se, konkurrenca për tregjet ndërmjet vendeve ka penguar zgjerimin e tregtisë.
Marrëdhëniet me konflikte kulmuan në vitin 2013, kur u përfshinë edhe autoritetet shtetërore të dy vendeve. Për herë të parë që nga viti 1999, marrëdhëniet tregtare shënuan rënie në vitin 2013, për shkak se, bllokimi i qumështit shqiptar në tregjet e Kosovës u ndoq me bllokimin nga pala shqiptare të importit të mishit dhe të miellit nga Kosova. Më tej, konflikti vijoi nga pala e Kosovës me bllokimin e materialeve të ndërtimit. Gjatë verës së vitit 2013, qeveria e Kosovës zhvendosi pikat e zhdoganimit të mallrave, duke krijuar probleme për eksportuesit shqiptarë.
Sipas një studimi për tregtinë e jashtme, Kosova ka barrierat më të larta tregtare me Shqipërinë, pasi duhet të plotësohen 8 dokumente, ndërsa me vendet e tjera nuk janë më shumë se 6 apo 7 të tilla. / Fatos Shala
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.