Breshëri në zonën e Shkodrës shkatërroi gjithçka që u shpëtoi përmbytjeve; Dëme të mëdha në bujqësi

14/05/2021 12:12 PM 0 komente

Sasitë e mëdha të breshërit që ranë sot në rajonin e Shkodrës dhe përreth tij e kanë dëmtuar rëndë sektorin bujqësor. Sasitë e mëdha të reshjeve shkatërruan të mbjellat e pranverës në fusha dhe në sera, vreshtat dhe të gjithë frutikulturën.

Fermerë nga zona pohuan se reshjet shkatërruan të gjitha të mbjellat e sezonit. Breshëri ishte gati si një fatkeqësi natyrore dhe shkatërroi gjithçka që kishte mundur të ngrihej pas përmbytjeve masive që zona e Shkodrës përjetoi në fund të këtij dimri.

Fermerët të alarmuar pohuan se humbjet janë të mëdha dhe thuajse mundi i një sezoni është shkatërruar.

Altin Prenga që drejton njësinë e Agroturizmit Mrizi i Zanave tha se, në zonën Shkodrës ka shumë furnitorë të cilët janë dëmtuar plotësisht. Zoti Prenga është i shqetësuar dhe kërkon më shumë vëmendje të opinionit publik dhe grupeve të interesit për bujqësinë.

Shqipëria klasifikohet në zonën e kuqe për rrezikshmërinë qe ka nga fatkeqësitë natyrore sipas indeksit të Bankës Botërore, por Shkodra është nga Rajonet më të ekspozuara ndaj tyre.

Gjatë këtij dimri përmbytën rreth 4 mijë hektarë tokë të cilat për gati tre javë ishin të mbuluara nga uji. Tokat bujqësore u ndotën se tepërmi nga mbetjet që la tharja e ujit. Ekspertët e bujqësisë në zonë pohuan se përmbytjet i kanë kripëzuar se tepërmi tokat. Teksa në vitin 2010, qyteti me rrethina u përmbyt tërësisht duke pësuar dëme kolosale, të cilat sot e kësaj dite mbeten të pakompensuara.

Breshëri i sotshëm shkatërroi gjithçka që i kishte shpëtuar përmbytjeve, sidomos vreshtat dhe perimet e sezonit.

Bujqësia është linja më e brishtë e ekonomisë shqiptare. Sektori është i ekspozuar se tepërmi nga ndryshimet klimaterike në vend dhe fitimet e ulta, Për bizneset bujqësore në Shkodër ku vit nisi me pengesa të shumëfishta, si pandemia përmbytjet dhe së fundmi breshëri.

Të dhënat e INSTAT tregojnë se nga viti 2009-2018 Shkodra kishte rritjen më të ulët ekonomike pas Kukësit. Në dhjetë vite ekonomia e Shkodrës u zgjerua vetëm më 8%, teksa në qarqet e tjera zgjerimi i ekonomisë ishte më ritme dy-tre dhe katër shifrore.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of