Brexit është momenti ideal për të bërë anglishten gjuhën e përbashkët të BE-së

23/08/2019 10:02 PM 0 komente

Në pjesën më të madhe të kohës, që nga krijimi i tij, Bashkimi Europian kishte tri gjuhë kryesore. Gjermanishtja ishte gjuha e saj amtare. Frëngjishtja ishte regjistri i preferuar i diplomacisë së Brukselit. Anglishtja ishte gjuha e dytë që përdorej gjerësisht, shkruan The Economist.

Por në vitet e fundit, zhvillimi i internetit dhe pranimi i shteteve të Europës Qendrore dhe Lindore e kanë bërë anglishten gjuhë dominuese. Sot, më shumë se 80% e dokumenteve të Komisionit Europian shkruhen fillimisht në anglisht dhe më pas përkthehen në 23 gjuhët e tjera zyrtare të BE-së.
Anglishtja nuk është e vetmja gjuhë zyrtare e Bashkimit Europian, deklaroi Jean-Claude Juncker, president i Komisionit Europian, shtatorin e kaluar.

Disa e kanë mirëpritur Brexit si një mundësi për të rivendosur gjuhën franceze si gjuhë kryesore të BE-së, ose të paktën si mundësi për të hequr gjuhën angleze si një gjuhë zyrtare e BE-së. Por, përkundrazi! Kurrë nuk ka pasur një kohë më të mirë për BE-në që ta përqafojë anglishten si gjuhën e saj të vetme zyrtare.

Dalja e Britanisë e bën politikën edhe më të thjeshtë. Philippe Van Parijs, një filozof belg, argumenton se kjo do ta bëjë anglishten një gjuhë neutrale brenda BE-së (Irlanda dhe Malta gjithashtu e flasin anglishten) dhe njëkohësisht edhe gjuhën ideale për shkëmbim midis europianëve të gjuhëve të huaja rivale.

Filozofi belg thotë më tej se, duke marrë parasysh rrënjët e saj latine dhe gjermane, rikthimi i saj brenda kontinentit europian do të ishte një veprim riatdhesimi. Së dyti, Europa po rritet së bashku politikisht. Nga protestat kundër emigracionit te demonstratat ambientaliste nga nxënësit e shkollave, shkaqet po i kalojnë kufijtë më shumë se kurrë më parë. Pjesëmarrja në zgjedhjet europiane të muajit të kaluar shënoi rekordin e këtyre 25 viteve të fundit, pas një fushate të udhëheqësve, nga Matteo Salvini i së djathtës populiste në Itali tek Emmanuel Macron i qendrës liberale në Francë, të cilët patën ndikim të madh, madje edhe përtej shteteve të tyre.

Në këtë epokë politike europiane një gjuhë e pranuar në mënyrë universale do të bënte më shumë kuptim, dhe anglishtja është e vetmja gjuhë kandidate e mundshme. Në fakt, disa shtëpi të mëdha botuese në kontinente të ndryshme, duke përfshirë shumicën e gazetave më të mëdha të Gjermanisë, Spanjës dhe të Greqisë, tani publikojnë versione online në gjuhën angleze, në mënyrë që të kenë mundësi të marrin pjesë në debatet paneuropiane. Formalizimi i anglishtes do të inkurajonte të tjerët të ndiqnin të njëjtin shembull.

Përkrahësit më të mëdhenj të një BE-je anglofone nuk janë britanikët dhe as amerikanët, por Joachim Gauck, ish-presidenti i Gjermanisë dhe Mario Monti, ish-kryeministri i Italisë. Një ankesë tjetër nga ana e atyre që e kundërshtojnë anglishten si gjuhën e vetme të BE-së, është se subjekte të tjera shumë të rëndësishme si Amerika, Kanadaja dhe Zvicra, nuk kanë një gjuhë të vetme zyrtare.

Ndryshe nga BE, ata të gjithë kanë shekuj të tërë që merren me politika të përbashkëta dhe një gjuhë të madhe të shumicës. Nga ana tjetër, vetëm 18% e qytetarëve të BE-së flasin gjuhën gjermane si gjuhën e tyre të parë. Por zgjedhja e vërtetë nuk është midis një Europe anglofone dhe një Europe poliglote por midis asaj që shumë dëshirojnë dhe asaj që ka mundësi të realizohet. Sipas ekonomistit francez në Bruksel, Nicolas Véron, anglishtja është në fakt gjuha formale e punës e BE-së; një zhvillim që e ndihmoi atë dhe të tjerët të krijonin Bruegel, një nga organizatat e para të mendimit paneuropian në 2005. Rreth 97% e 13-vjeçarëve në BE janë duke mësuar gjuhën angleze.

Numri i kurseve universitare në gjuhën angleze është rritur nga 725 në vitin 2002 në mbi 8,000. Lëvizjet e ndryshme politike në mbarë kontinentin zhvillohen në gjuhën angleze, faqet e rrjeteve sociale të ndryshme kanë si gjuhë të tyren të dytë, përveç gjuhës së tyre zyrtare, gjuhën angleze. Në një tubim të liderëve nacionalistë në Milano të mbajtur përpara zgjedhjeve europiane, liderët finlandezë, danezë, holandezë, çekë dhe gjermanë iu drejtuan turmës italiane, në gjuhën angleze.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of