Sa shpejt e pamendueshmja u bë e pakthyeshme. Një vit më parë, pak njerëz do të imagjinonin se legjionët britanikë, që kanë maninë për t’u ankuar në lidhje me direktivat e “kota”, buxhetet e fryra dhe burokracitë e shumta, do të votonin për t’u larguar nga një unitet grupi shtetesh që blejnë pothuajse gjysmën e eksporteve britanike, analizon ‘The Economist’.
Një tronditje e paundit, në nivelin më të ulët në 30 vitet e fundit, na tregon se çfarë do të vijë më pas. Teksa besimi bie, edhe ekonomia britanike mund të zhytet në recesion. Një ekonomi më pak energjike do të thotë për Britaninë më pak vende pune, të ardhura më të pakta nga taksat dhe rrjedhimisht masa më të ashpra. Rezultati do të trondisë ekonominë e brishtë botërore. Skocezët, që votuan në shumicë për të qëndruar në BE, do të jenë më të ashpër për t’u ndarë nga Mbretëria e Bashkuar, siç gati ia arritën në 2014-n. Skeptikët e Eurozonës sikurse Fronti Nacional Francez, inkurajohen nga dalja e Britanisë nga BE-ja. Institucioni i BE-së, i cili ka ndihmuar në ruajtjen e paqes në Europë për gjysmë shekulli, ka pësuar një goditje të rëndë.
Të menaxhosh pasojat, të cilat bënë që vendi të ndahet sipas moshave, shtresave dhe gjeografisë, duhet shkathtësi politike në terma afatshkurtër. Në terma afatgjatë mund të kërkohet një rishikim i betejave tradicionale politike, madje dhe të kufijve të brendshëm. Do të jetë një kohë e gjatë me pasiguri të dëmshme. Asnjë nuk e di se kur Britania do të largohet nga BE-ja dhe me çfarë kushtesh. Por, në mes të ngazëllimit të kampit të pro-daljes dhe akuzave të kampit të qëndrimit ne BE lindin dy pyetje: Çfarë do të thotë vota për Britaninë dhe Europën? Dhe çfarë do të vijë më pas?
Brexit, piktura e vogël
Vota për të dalë nga BE-ja është një shprehje inati ndaj “presionit”. Gjithkush, nga Barack Obama deri te liderët e NATO-s dhe FMN-së, udhëzonin Britaninë që të mos largohej nga BE-ja. Kërkesa e tyre u “përçmua” nga votues që refuzuan jo vetëm argumentet, por, edhe ekspertizën e tyre në përgjithësi. Segmente të mëdha të elektoratit britanik, të cilët kanë bartur barrën e shpenzimeve publike dhe kanë dështuar në ndarjen e mirëqenies së Britanisë, janë tashmë nën kontrollin e një populli të zemëruar.
Britanikët dhanë shumë arsye për refuzimin e BE-së, duke filluar që nga “deficiti” demokratik në Bruksel deri në dobësimin e ekonomive të Eurozonës. Por, elementi kryesor në thyerjen e marrëveshjes së anëtarësimit në BE për Britaninë duket se është lëvizja e lirë e njerëzve. Teksa numri i të ardhurve është zgjeruar, kjo ka rritur listën e shqetësimeve të votuesve.
Mbështetësit e largimit u premtuan britanikëve ekonomi më të mirë dhe kontroll ndaj emigracionit. Por, britanikët nuk mund ta arrijnë këtë rezultat, duke votuar pro daljes. Nëse ata duan të kenë akses në tregun e BE-së dhe të gëzojnë të mirat që vijnë prej tij, duhet të pranojnë lëvizjen e lirë të njerëzve. Nëse britanikët refuzojnë lëvizjen e lirë, duhet të paguajnë çmimin e të qenët të përjashtuar nga tregu i përbashkët i BE-së. Vendi duhet të vendosë ndërmjet frenimit të emigrimit dhe maksimizimit të pasurisë.
David Cameron nuk është njeriu për të bërë këtë zgjedhje. Të thërrasësh referendumin dhe të udhëheqësh një fushatë të “dështuar”, tregon një gjykim të gabuar dhe nuk mund të negociojë në mënyrë të besueshme largimin e Britanisë. Dhe ai dha dorëheqjen dhe vendi do të ketë për pak muaj një kryeministër të ri.
‘The Economist’ rekomandon që vendi duhet të zgjedhë një stil marrëveshjeje si ai i Norvegjisë, që i jep akses në tregun e vetëm më të madh në botë, por edhe që mban parimin e lëvizjes së lirë të njerëzve. Arsyeja është se kjo do të maksimizonte mirëqenien. Dhe kostot e supozuara të migrimit, faktikisht janë të dobishme, siç kanë thënë dhe vetë aktivistët pro largimit. Emigrantët europianë janë kontribuues në financat publike, kështu që ata paguajnë për shërbimet në shëndetësi dhe edukim. Pa emigrantët e BE-së, shkollat, spitalet dhe industritë e ndërtimit dhe bujqësia do të kenë shkurtime të krahut të punës.
Të parandalosh daljen e Francës (Frexit)
Detyra e vështirë do të jetë që t’u tregosh britanikëve se të marrësh pjesën e “tortës” falas nuk është një mundësi. Kryeministri i ri do të përballet me akuza, pasi do të jetë e pamundur të mbajë premtimet, qoftë për emigrimin apo ekonominë. Kjo është arsyeja pse zgjedhësit duhet të konfirmojnë një marrëveshje tjetër me anë të zgjedhjeve të përgjithshme sesa me referendum. E ndërkohë që marrëveshja përgatitet, ekonomia do të “vuajë” dhe emigrimi do të bjerë.
Brexit është një goditje e rëndë për BE-në. Paria në Bruksel ka humbur kontaktin me qytetarët e zakonshëm – dhe jo vetëm në Britani. Nga një pyetësor i fundit për Pew Research rezulton se në Francë, një nga anëtarët themelues dhe mbështetës i fuqishëm, vetëm 38% e njerëzve kanë një panoramë të pëlqyeshme për BE-në, 6 pikë më ulët se në Britani. Në asnjë nga vendet që u zhvillua pyetësori, rezultatet nuk tregonin që kishte pëlqyeshmëri që të transferoheshin fuqitë te Brukseli.
Çdo shtet e ndien ‘pendesën’ në mënyrën e vet. Në Itali dhe Greqi, ku ekonomia është e dobët, shfryhet kundër Gjermanisë, imponuese dhe të shtrënguar. Në Francë, BE-ja akuzohet se është “Ultra-liberale”. Në Europën Lindore, nacionalistët fajësojnë BE-në për imponimin e vlerave kozmopolitane si ajo e martesave homoseksuale.
Pavarësisht se BE-ja duhet të përballet me zemërimin popullor, shërimi gjendet në “lulëzimin” e ekonomisë. Plotësimi i tregut të përbashkët, le të themi me shërbimet dixhitale dhe tregun kapital, do të krijojë vende të reja pune dhe mirëqenie. Eurozona ka nevojë për një mbështetje më të fortë, duke filluar nga një bashkim i duhur bankar.
‘The Economist’ e shikon këtë votim me keqardhje dhe një rrezik për Britaninë që do të bëhet më e mbyllur dhe e izoluar dhe më pak dinamike. Do të jetë keq në qoftë se kjo do të çonte në tkurrjen e Britanisë në një Angli të vogël, por do të ishte më keq nëse do të çonte në një Europë të vogël. Udhëheqësit që përkrahën daljen e Britanisë nga BE-ja me premtimin e gjallërimit, janë duke shikuar përtej ekonomisë së shekullit të 21-të. ‘The Economist’ dyshon se Brexit do të arrijë këtë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.