Brezi Z, veçanërisht gratë, kanë filluar të riformësojnë vendin e punës. Brezi Z kërkon barazi page dhe largohet nëse nuk e arrin. Punonjësit zgjedhin kompani, që pasqyrojnë vlerat e tyre dhe investojnë në shëndetin e tyre.
Dita Ndërkombëtare e Gruas javën e kaluar, ishte një rast për të vëzhguar përparimin e bërë gjatë dekadave të fundit, si dhe për të imagjinuar mundësinë, që paragjykimet dhe diskriminimi mund të eliminohen.
Nga vjen ky optimizëm? Nga Gjenerata Z.
I lindur midis 1997 dhe 2010, ky grup është më i larmishëm, i arsimuar dhe ka njohuritë më të mëdha në teknologji në historinë njerëzore.
Pandemia ka luajtur një rol disproporcionalisht të madh në jetët e tyre, por ata po kthehen të fortë, me më shumë elasticitet dhe pragmatizëm se më parë, dhe një këmbëngulje të palëkundur për të gjetur karriera që pasqyrojnë vlerat e tyre.
Këto përfundime kanë dalë nga një studim që përfshinte 10,000 punonjës të brezit Z në SHBA dhe Mbretërinë e Bashkuar nga Forumi Oliver Wyman dhe The News Movement.
Në qendër të këtyre vlerave është barazia.
Gen Zers pretendojnë paga të drejta, politika gjithëpërfshirëse dhe transparencë, dhe kur ato atribute nuk materializohen, ata largohen.
Dhe ndryshe nga brezat e mëparshëm, Brezi Z diskuton hapur sfidat e shëndetit mendor, infertilitetit dhe tema të tjera, dikur tabu, dhe kërkojnë përfitimet, që u nevojiten për t’i trajtuar ato.
Edhe pse më të “vjetrit” e këtij brezi janë vetëm 26 vjeç këtë vit, ata tashmë po riformojnë shoqërinë, ekonominë dhe vendin e punës.
Kompanitë që i injorojnë ato, rrezikojnë shumë.
“Brezi im është i emocionuar për ndryshimin dhe po shtyn barazinë në shumë fusha”, tha një 24-vjeçare, që punon si konsulente mjedisore dhe fotografe.
“Jemi velur me standardet e vjetruara të punës. Ne duam të drejta dhe përfitime më të mira, gjëra që na mbrojnë më mirë.”
Brezi Z mban qëndrim
Ata përqafojnë përkatësinë dhe ndryshueshmërine gjinore dhe zgjedhin kompanitë dhe markat, që mbështesin dallimet e tyre, luftën kundër ndryshimeve klimatike, seksizmit dhe pabarazisë së të ardhurave.
Ky brez ka 92% më shumë gjasa të marrë pjesë në protesta sesa brezat e tjerë, dhe janë të gatshëm të luftojnë në çdo fushë, edhe në punë.
Pothuajse 40% e Brezit Z tha se do të diskutonin seksizmin në vendin e punës, krahasuar me 24% të gjeneratave të vjetra.
Dhe ata presin që punëdhënësit e tyre t’i bashkohen bisedës dhe të ofrojnë përfitime gjithëpërfshirëse. Më shumë se 20% e të anketuarve thanë se, do të merrnin në konsideratë punë të tjera nëse punëdhënësit nuk janë të angazhuar në çështje sociale.
Kompanitë duhet të jenë proaktive. Ato duhet të dinë se çfarë përfaqësojnë dhe çfarë i japin përparësi punëtorëve, dhe të angazhohen shpesh me bordin, punonjësit dhe palët e tjera të interesuara, për të siguruar që të gjithë të jenë në linjë.
Biznesi ka gjithashtu një mundësi: Brezi Z ka 39% më shumë gjasa t’u besojë punëdhënësve, sesa qeverisë.
Dhe ata besojnë se një nga mënyrat më të mëdha për të bërë ndryshim, është nga brenda, kështu që kompanitë që dalin përpara, do të kenë më shumë aftësi për të formësuar rezultatet.
Kontrolli mbi rrugët e tyre
Deri në vitin 2025, Brezi Z do të përbëjë një të tretën e popullsisë globale, dhe ata nuk janë të gatshëm të bëjnë të njëjtat gabime në karrierë si prindërit e tyre, ose të luftojnë për të balancuar punën dhe familjen.
Më shumë se gjashtë në 10, janë duke kërkuar në mënyrë aktive ose pasive për punë të tjera, sepse duan paga më të mira, ekuilibër punë-jetë, ose mundësi karriere dhe rritjeje.
Gratë, veçanërisht, nuk po rrinë duarkryq.
Pothuajse 30% e grave përmendën mundësi më të mira të përparimit dhe rritjes, si arsye për të lënë punën, krahasuar me 22% të meshkujve.
Dhe ato po përmirësojnë aftësitë e tyre, për t’i gjetur ato mundësi. Shumë thanë se përmirësuan aftësitë e intervistimit, negocimit dhe karrierës nga mediat sociale që ndjekin në TikTok, YouTube dhe platforma të tjera.
Brezi Z gjithashtu dëshiron më shumë kontroll mbi rrugët e karrierës, me opsionin për të shpejtuar dhe për të ngadalësuar, pavarësisht nëse është për të akomoduar një familje, për të ndjekur diçka jashtë punës ose për të pasur më pak stres. Dhe ata nuk duan një rrugë të vetme karriere.
Një qëndrim i shëndetshëm
Brezi Z është më i gatshëm se gjeneratat e vjetra, për të diskutuar tema shëndetësore dhe për t’i dhënë përparësi kujdesit që u nevojitet.
Ata vlerësojnë kompanitë që ofrojnë përfitime, që ndihmojnë për të përballuar stresin, të tilla si pushimet, dhe pothuajse një e treta thanë se do të shkonin në zyrë më shpesh, nëse do të kishte komoditete si dhoma meditimi dhe karrige masazhi.
Pothuajse një e treta e grave të Brezit Z, tha se nuk kanë turp të diskutojnë për ciklet menstruale në punë, krahasuar me 19% të gjeneratave të tjera.
Tema është e rëndësishme për gratë e këtij brezi; 17% thanë se janë të interesuara të ngrijnë vezët e tyre dhe 10% thanë se planifikojnë t’i nënshtrohen një trajtimi fertiliteti.
Kompanitë që ofrojnë përfitime të lidhura me stresin, përfitime të fertilitetit dhe oferta të tjera shëndetësore, kanë një shans më të mirë për të tërhequr dhe mbajtur punëtorët e Brezit Z.
“Ndihem vërtet i fuqizuar nga ajo që gjenerata ime po bën, duke folur veçanërisht për shëndetin mendor dhe mirëqenien,” tha një profesionist 25-vjeçar i burimeve njerëzore. “Njerëzit ndihen të stresuar. Brezi Z po bën diçka për këtë, ndërsa gjeneratat e tjera ulin kokën.” / World Economic Forum