Do të ishte një financier amerikan, që i dha “emrin” BRIC ekonomive në zhvillim (Brazil, Rusi, Indi dhe Kinë).
Ndërsa Brazili dhe Rusia tërhoqën vëmendjen e investitorëve me pasuritë e lëndëve të para,
India dhe Kina me popullsinë e tyre miliardëshe premtonin fuqi të lirë punëtore dhe kosto të ulëta të prodhimit.
Vetëm pesë vjet më vonë, këto vende dhanë kontribut më të madh për zhvillimin e ekonomisë botërore se sa vendet e vjetra industriale.
Por në kohët e fundit, zhvillimi po pengohet. Për herë të parë, Kina duhet të përballojë deficitet tregtare, edhe shtetet e tjera të BRIC-ut po përballen me probleme. Rendimenti i tyre ekonomik po tkurret.
Në Kinë dhe Indi, objektivat e zhvillimit për vitin 2012 ranë në 7%. Ky nivel i krahasuar me vendet e industrializuara është i lartë,
ndërsa në krahasim me mesataren e rritjeve të viteve të fundit përbën një rënie të fortë. Shkak për frenimin janë rritja e çmimeve për lëndët e para, që duhet të importohen në sasi të mëdha nga të dyja vendet.
Brazili vuan nga rritja drastike e kostove të punës, inflacioni dhe vlerësimi i monedhës nga rritja e vazhdueshme e fluksit të kapitalit nga jashtë. Investitorët perëndimorë investojnë atje, sepse në vendet e tyre të origjinës, për shkak të masave kundër krizës, ku dominojnë zhvlerësimi i monedhës dhe normat e ulëta të interesit, nuk mund të nxjerrin fitime të mëdha. Në Rusi, varësia e njëanshme nga nafta e pengon zhvillimin.
Vendi duhet të modernizojë urgjentisht ekonominë e tij dhe ta zgjerojë atë, por korrupsioni dhe ndërhyrja e shtetit në jetën e biznesit frikësojnë investitorët. Kush ka para, i dërgon ato jashtë shtetit.
Vlerësohet se vetëm në vitin 2011, afro 85 miliardë dollarë kanë dalë jashtë vendit dhe kësaj i shtohet edhe fakti se ekonomitë në zhvillim nuk kanë mbetur të paprekura as nga kriza e borxhit të Perëndimit.
Eksportet në shtetet e industrializuara ngecin dhe kërkesa brenda vendit nuk mund t’i zëvendësojë humbjet.
Por shifrat e fundit janë të vitit të kaluar. “Në gjysmën e dytë të vitit 2012 do të përjetojmë përshpejtim të rritjes ekonomike”, thotë Maria Laura Lanzeni, eksperte e bankës gjermane “Deutsche Bank” për tregjet në zhvillim.
Sipas saj, nuk duhet të krahasojmë vitet e veçanta me njëri-tjetrin, por më shumë periudhat “pas krizës” dhe “para krizës” dhe atëherë mund të shohim që vendet në zhvillim, në radhë të parë Kina dhe India, vazhdojnë të rriten në mënyrë dinamike.
Maria Laura Lanzeni beson megjithatë se nga vendet në zhvillim, edhe në të ardhmen, do të sjellin impulse të rëndësishme për ekonominë botërore.
“Një tjetër pyetje është, nëse këto vende mund të jenë me të vërtetë lokomotiva të zhvillimit”, thotë Lanzeni. Këtë rol mund ta merrnin pastaj vetëm Kina dhe India.
Por ndërkohë, ekonomi të tjera në zhvillim hyjnë në qendër të vëmendjes. Sipas vlerësimeve të ekspertëve, këto ekonomi në zhvillim kontribuojnë me 1/4 e rritjes globale,
ndërsa në vitin 2050, sipas vlerësimeve, do të kontribuojnë me 40%. Ekspertët e shohin potencialin përkatës në vendet si Indonezia, Meksika dhe Koreja.
Natyrisht ritmet e rritjes së këtyre vendeve janë të ndryshme. “Ky është një grup heterogjen. Por unë besoj se këto vende mund të jenë shumë tërheqës për investitorët dhe kompanitë”, thotë Lanzeni.
Ndër vendet me perspektivë të mirë afatgjatë zhvillimi, banka amerikane e investimeve “Goldman Sachs” numëron shtetet aziatike si Vietnami, Filipinet, Pakistani dhe Bangladeshin.
Edhe pse në këto vende, pasiguria politike është ende pengesë për zhvillimin. E njëjta gjë vlen edhe për shtetet me popullsi të dendur si Egjipti dhe Irani në Lindjen e Mesme dhe Nigeria.
Nga ana tjetër, Afrika e Jugut, pas një faze të rritjes, zhgënjen me rënien e ritmeve të zhvillimit. Edhe në vendin dikur model, Turqi, rritja është ngadalësuar në mënyrë dramatike.
Pas rritjeve prej 8% brenda dy vitesh radhazi, Turqia vitin e kaluar ka shënuar rritje prej më pak se 3%.
“Jaguar Land Rover” krijon joint venture me “Chery” në Kinë
“Jaguar Land Rover” (JLR) dhe “Chery Automobile” kanë rënë dakord për krijimin e një joint venture, që do t’i hapë rrugën prodhimit të makinave “Jaguar” dhe “Land Rover” në Kinë.
Një kompani e re e përbashkët do të krijohet, me synimin për të ngritur edhe një qendër për kërkim e zhvillim. Kompania do të synojë gjithashtu zhvillimin dhe prodhimin e modeleve të reja,
si dhe ngritjen e një njësie prodhimi për motorët dhe krijimin e një rrjeti shitjesh në Kinë.
Dy kompanitë thanë se shpresojnë të rrisin më shumë fuqitë respektive. “Kërkesa për makina ‘Jaguar’ dhe ‘Land Rover’ vazhdon të rritet ndjeshëm në Kinë”,
thanë në një deklaratë të përbashkët, shefi ekzekutiv i JLR, Ralf Speth dhe shefi ekzekutiv i “Chery”, Yin Tongyao.
“Ne besojmë se JLR dhe ‘Chery’ mund të realizojnë së bashku potencialin maksimal për këto marka në tregun më të madh në botë për makinat”.
“Chery” prodhon makina më të vogla, më pak luksoze se JLR, por e njeh mirë tregun kinez. JLR është nën pronësinë e “Indian Tata Motors”.