Britania i ka dhënë një autorizim të kushtëzuar antiviralit kundër koronavirusit të zhvilluar nga “Merck”, pilula e parë, që ka rezultuar e suksesshme në trajtimin e Covid-19.
Ky është vendi i parë që miraton trajtimin, megjithëse nuk është e qartë se sa shpejt do të jetë në dispozicion pilula.
Pilula u licencua për personat 18 vjeç e lart, të cilët kanë rezultuar pozitivë për COVID-19 dhe kanë të paktën një faktor rreziku për zhvillimin e sëmundjes së rëndë.
Ilaçi, i njohur si molnupiravir, synohet të merret dy herë në ditë për pesë ditë nga njerëzit në shtëpi me Covid-19 të lehtë deri në mesatar.
Molnupiravir është gjithashtu në pritje të shqyrtimit nga rregullatorët në SHBA, Europë e më gjerë.
Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave njoftoi muajin e kaluar se do të mblidhte një panel ekspertësh të pavarur për të shqyrtuar sigurinë dhe efektivitetin e pilulës në fund të nëntorit.
Furnizimet fillestare do të jenë të kufizuara. Merck ka thënë se mund të prodhojë 10 milionë kure trajtimi (2 pilula x 5 ditë) deri në fund të vitit, por pjesa më e madhe e këtij furnizimi është blerë tashmë nga qeveritë në mbarë botën.
Në tetor, zyrtarët e Mbretërisë së Bashkuar njoftuan se siguruan 480 mijë kure trajtimi të molnupiravirit dhe presin që mijëra britanikë me sistem të dobët të kenë qasje në trajtim gjatë këtij dimri nëpërmjet një studimi kombëtar.
“Sot është një ditë historike për vendin tonë, pasi Britania e Madhe është tani vendi i parë në botë që miraton një antiviral që mund të merret në shtëpi për Covid-19”, tha sekretari britanik i shëndetësisë, Sajid Javid.
“Ne po punojmë me ritëm të shpejtë për të përcaktuar planet për të vendosur molnupiravir tek pacientët përmes një studimi kombëtar sa më shpejt të jetë e mundur”.
Mjekët thanë se trajtimi do të ishte veçanërisht i rëndësishëm për njerëzit që nuk i përgjigjen mirë vaksinimit.
Pilula antivirale ka rezultuar që redukton simptomat dhe përshpejton shërimin, duke lehtësuar ngarkesën e rasteve në spitale dhe duke frenuar shpërthimin e virusit në vendet e varfra me sisteme të dobëta shëndetësore./ AP