Problemi i produktivitetit në Britani vazhdon dhe po përkeqësohet. Ka shumë shkaktarë dhe pak zgjidhje të lehta, shkruan The Economist
Në dokumentarin e shkurtër “Powers of Ten”, i vitit 1977, kamera tregon fillimisht një çift të ulur në një piknik, në një park buzë liqenit, më pas pamja zgjerohet duke treguar planetin Tokë dhe në fund të gjithë universin.
Një fushë e zgjeruar shikimi nxjerr në pah shkallën e gjërave. Kështu ndodh edhe me sfidat me të cilat përballet Britania.
Po ta zmadhojmë pamjen e Britanisë, mund të vëmë re problemet e menjëhershme me të cilat përballet një qeveri e dobësuar, me kryeministrin në ike, duke filluar nga një shërbim shëndetësor në krizë, e deri tek rritja e kostos së jetesës.
Megjithatë, po ta zmadhojmë edhe më shumë pamjen, do të vëmë re një problem madhor që ka kapluar vendin: norma anemike e rritjes në vend. Një ekonomi më e shëndetshme do të rriste standardet e jetesës së njerëzve. Rritja më e shpejtë ekonomike është mënyra për të harmonizuar taksat më të ulëta dhe shërbimet publike më të mira.
Megjithatë, OECD-ja, një klub i përbërë nga shtete të pasura, llogarit se vetëm Rusia e sanksionuar rëndë, do të ketë një ecuri më të dobët ekonomike se Britania në vitin 2023, nga shtetet e G20-s. Ndërsa rritja mesatare vjetore e PBB-së gjatë dekadës para krizës financiare 2007-‘09, ishte 2.7%, Zyra e Buxhetit (OBR) parashikon se normaliteti i ri është afër nivelit 1.7%.
Debati politik po zhvendoset me shpejtësi në këtë terren. Kryeministri në ikje, Boris Johnson thotë se rritja ekonomike është prioriteti i tij kryesor. Ministrat e kabinetit po kërkojnë uljen e taksave. Partia Laburiste po punon për një strategji rritjeje.
Por fjalët janë shumë më të lehta se veprat. Le ta zmadhojmë sërish pamjen mbi Britaninë dhe do të kuptojmë se problemi i rritjes ekonomike të vendit po përkeqësohet.
Është me rëndësi jetike që të kuptohet se sa e keqe është gjendja. Kjo do të thotë se duhet të përqendrohemi në një çështje – produktivitetin.
Produktiviteti
Rritja afatgjatë e produktivitetit, ose aftësia për të prodhuar më shumë me më pak, është gjithçka që ka vërtet rëndësi për rritjen e standardeve të jetesës. Edhe pse në teori, ekonomitë mund të rriten kur njerëzit punojnë më shumë orë, vjen një pikë kur kjo strategji kufizohet nga shëndeti i punonjësve dhe numri i orëve në ditë.
Rritja e produktivitetit të punës, ose sasia që mund të prodhojnë punëtorët në një orë, mund të ndodhë me investime. Ose mund të ndodhë me produktivitet më të madh total të faktorëve (TFP), një matje e efikasitetit të përgjithshëm me të cilin përdoren kapitali dhe punëtorët. TFP-ja mund të gjurmohet në faktorë si praktikat më të mira të menaxhimit, ose konkurrenca më e fortë.
Britania dikur përcaktonte ritmin në produktivitet. Në fillim të shekullit XIX, ajo ia kaloi Holandës si “vendi më produktiv” në botë.
Një shekull më vonë, Amerika doli në krye. Një studim nga Stephen Broadberry në Universitetin Oksford dhe Doug Irwin nga Kolegji Dartmouth, ka treguar se rreth vitit 1850, punëtorët amerikanë prodhonin afërsisht 10% më pak se kolegët e tyre britanikë. Deri në vitin 1910, ata prodhonin 25% më shumë.
Britania nuk e rifitoi kurrë epërsinë e saj. Dy Luftëra Botërore e goditën rëndë, ndërkohë që konkurrenca e brendshme u zbeh. Vendet e tjera të zhvilluara europiane u industrializuan me ndihmën e barrierave mbrojtëse tregtare.
Nga fundi i shekullit XX, produktiviteti i punës në Britani ishte më i ulët se ai i Amerikës, Francës dhe Gjermanisë (shih grafikun 1). Edhe pse përputhej me PBB-në e Francës për orë në fillim të viteve 1970, deri në vitin 2000, mbeti mbrapa saj me mbi 10%.
Të papriturat
Fillimi i këtij shekulli ishte premtues. Midis viteve 1997 dhe 2007, rritja e produktivitetit britanik ishte në vend të dytë, vetëm pas Amerikës, brenda vendeve të G7-s (shih grafikun 1); prodhimi për orë u rrit me një normë mesatare vjetore prej 1.9%. Gjatë asaj dekade, PBB-ja e Britanisë për orë u rrit nga 88% e asaj të Gjermanisë, në 93%.
Por më pas, në mënyrë katastrofike, goditi kriza globale financiare. Ngadalësimi i produktivitetit që pasoi ishte global, por ai i Britanisë ishte veçanërisht dramatik.
Midis viteve 2009 dhe 2019, shkalla e rritjes së produktivitetit të vendit ishte e dyta më e ngadaltë në G7. Një studim nga Nick Crafts në Universitetin Warwick dhe Terence Mills në Universitetin Loughborough, llogarit se ngadalësimi ekonomik i Britanisë gjatë kësaj periudhe, ishte më i rëndi në 250 vjet.
Nuk ka dyshim se kostoja e kësaj dekade të humbur ishte mjaft e madhe. Nëse shkalla e rritjes së produktivitetit të Britanisë nuk do të kishte rënë pas krizës financiare globale, PBB-ja për person në vitin 2019, do të kishte qenë 6,700 £ (8,380 dollarë) më e lartë.
Por ka një debat të ashpër mbi pyetjen se çfarë shkoi keq. Diane Coyle, drejtoresha e Institutit të Produktivitetit, e krahason kërkimin për të gjetur burimin e rritjes së dobët të produktivitetit të Britanisë, me përfundimin e një romani mister të Agatha Christie. “Rezulton se fajtorë janë të gjithë”.
Disa goditje të mëdha gjymtuan ekonominë britanike gjatë asaj dekade, madje edhe përpara se pandemia të jepte një tjetër goditje. Kriza financiare frenoi fluksin e kredisë.
Një studim i botuar në vitin 2020, zbuloi se kompanitë me bilanc më të dobët para krizës, që u përballën me një reduktim veçanërisht të rëndë të kredisë, përjetuan reduktime më të mprehta të TFP-së, pjesërisht për shkak se ulën risinë.
Kërkesa në rënie ndrydhi stimujt për të investuar dhe për të inovuar: rreth gjysma e ekonomistëve europianë të anketuar në shkurt 2020, e lidhën ngadalësimin ekonomik të Britanisë me kërkesën e dobët për shkak të krizës financiare, ose politikat shtrënguese.
Më pas ndodhi Brexit. Sipas një vlerësimi, pasiguria e shkaktuar nga largimi i Britanisë nga BE-ja, uli investimet e biznesit deri në 11% në vitin 2019. Ngritja e barrierave tregtare me partnerin më të madh tregtar të Britanisë, ka ngrënë kohën e menaxherëve, i ka bërë zinxhirët e furnizimit më pak efikasë dhe ka rritur kostot. Asnjë nga këto dukuri nuk ka ndihmuar.
Të dhënat e industrisë tregojnë edhe faktorë të tjerë shkaktarë. Ngadalësimi i rritjes së TFP-ve brenda shërbimeve financiare dhe sigurimeve, kontribuoi deri në një të tretën e rënies në mbarë ekonominë midis viteve 2007 dhe 2019, sipas Jonathan Haskel nga Imperial College London dhe Peter Goodridge nga Universiteti Manchester.
Shërbimet e teknologjisë së informacionit, prodhimi i pajisjeve të transportit dhe farmaceutika, gjithashtu kontribuuan, megjithëse janë industri që zakonisht mendohet të jenë ndër pikat e forta të Britanisë. Në përgjithësi, industritë e rënda dhe me teknologji intensive, u goditën më rëndë gjatë viteve 2010.
Ka mënyra të ndryshme për të interpretuar këto zbulime. Ndërmarrja e tepërt e rrezikut në industrinë e shërbimeve financiare, fryu artificialisht produktivitetin e matur të Britanisë në vitet 2000. Tani që industria është më e rregulluar, ajo mund të mos duket aq produktive sa dikur, por rreziku i një shembjeje financiare është më i ulët. Një interpretim tjetër është se përfitimet e ndryshimit teknologjik po zvogëlohen për të gjithë.
Disa, si John Fernald nga INSEAD Business School dhe Robert Inklaar, nga Universiteti Groningen, argumentojnë se pjesa më e madhe e ngadalësimit të TFP-ve të Britanisë në dekadën para pandemisë, reflektoi një performancë më të dobët në Amerikë, e cila përcakton ritmin e produktivitetit në nivel global.
Produktiviteti
Që të arrinte nivelin e produktivitetit të punës së Amerikës, PBB-ja e Britanisë për person do të duhej të ishte 6600 £ më e lartë.
Edhe nëse është e vështirë të përcaktohen shkaqet e sakta të ngadalësimit të produktivitetit në vitet 2010, është më e lehtë të identifikohen fushat ku Britania duhet të përparojë më shumë në të ardhmen. Ato ndahen në tre kategori të mëdha: investimet, njerëzit dhe përhapja e njohurive.
Dobësia më e dukshme është investimi. Britania investon vazhdimisht më pak se Franca, Gjermania dhe Amerika; gjithashtu ka shpenzuar prej kohësh më pak në kërkim dhe zhvillim (shih grafikun 2).
Rregullimet për kapitalin në dispozicion të punëtorëve, shpjegojnë pothuajse të gjithë hendekun midis PBB-së për orë të punuar, në Britani dhe në Francë, dhe rreth një të tretën e hendekut midis Britanisë dhe Gjermanisë. Pasiguria rreth së ardhmes për firmat britanike, është një shpjegim për këtë mungesë, por jo i vetmi.
Financimi është një tjetër arsye. Anna Valero nga Shkolla Ekonomike e Londrës, thotë se një pjesë e problemit në krahasim me Amerikën, mund të jetë se në Britani është më e vështirë të rritet kapitali që mbështet ndërmarrjen e rrezikut.
Krahasuar me Gjermaninë, ku bankat lokale kanë marrëdhënie afatgjata me firmat, është më e vështirë të gjesh mbështetje financiare.
Një problem tjetër është se investimet pengohen nga vështirësia për të ndërtuar në Britani. Sipas një indeksi të fundit nga OECD-ja për qeverisjen e përdorimit të tokës, që mat se sa të fragmentuara janë vendimet e planifikimit, sistemi i Britanisë doli i dyti vetëm pas Letonisë midis 18 vendeve të anketuara.
Në vendndodhje të njohura për inovacion, siç janë Oksfordi dhe Kembrixhi, ndërtimet kufizohen nga rregulla të rrepta që ruajnë arkitekturën historike dhe fshatin përreth. Strehimi është jashtëzakonisht i shtrenjtë, duke e bërë më të vështirë tërheqjen e të ardhurve që mund të punojnë në mënyrë produktive atje.
Kategoria tjetër përfshin njerëzit. Megjithëse ka qenë e suksesshme në nxitjen e më shumë të rinjve për të shkuar në universitet, Britania ka pasur vështirësi për t’i pajisur njerëzit me aftësi specifike që kërkohen nga punëdhënësit, duke filluar nga inxhinieria tek saldimi.
Përqindja e popullsisë me kualifikime të nivelit të mesëm, d.m.th. njerëz që nuk marrin një diplomë, por që vazhdojnë të qëndrojnë në arsim pas moshës 16-vjeçare, është rreth 32%, shumë nën mesataren e OECD-së prej 42%.
Niveli i bashkëpunimit ndërmjet shkollave profesionale, kolegjeve, bizneseve dhe pushtetit vendor, është minimal. Planet për të mësuarit gjatë gjithë jetës kanë mbetur thjesht plane.
Cilësia e njerëzve në krye të firmave duket se është gjithashtu një problem. Krahasuar me Gjermaninë dhe Amerikën, menaxherët e Britanisë kanë mangësi. Një studim i publikuar në vitin 2021, zbuloi se vetëm rreth 11% e firmave ishin po aq të mirëmenaxhuara sa 25% e firmave më të mira amerikane.
Qeveria po përpiqet ta trajtojë këtë problem përmes programit të saj “Ndihmë për t’u rritur”, i cili ofron trajnime të subvencionuara në menaxhim, për drejtuesit e bizneseve të vogla. Ky projekt nuk ka dhënë rezultatet e dëshiruara.
Trajnimi më i mirë na çon në një kategori të tretë, përhapjen e njohurive. Produktiviteti përmirësohet kur njerëzit me aftësi të larta punojnë me njerëz të tjerë me aftësi të larta, kur lidhjet e transportit janë të integruara dhe kur idetë përhapen.
Gjeografia është një dimension i këtij problemi: pabarazia rajonale është shumë e lartë në Britani. Sipas një analize të pabarazive të tilla të brendshme të kryer nga Philip McCann në Universitetin Sheffield, Britania është më e pabarabartë se Franca në 15 nga 21 matjet dhe më e pabarabartë se Gjermania në 17 prej tyre.
Përmirësimet në produktivitetin e përgjithshëm, mbështeten pjesërisht në nxitjen e risisë dhe pjesërisht në përpjekjen për të ndihmuar firmat më pak produktive që të arrijnë ato më të suksesshmet. Kjo është shumë më e vështirë nëse, siç thotë Bart van Ark nga Instituti i Produktivitetit, shumë firma janë “në rajone që janë në thelb të bllokuara”.
Problemi i difuzionit në Britani nuk është vetëm gjeografik. Edhe pse Britania ka universitete kërkimore që janë ndër më të suksesshmit në botë, ajo nuk arrin që t’i përcjellë mirë këto njohuri te kompanitë. Për shembull, në krahasim me Amerikën, vendi mbështetet më shumë në universitete dhe më pak në laboratorë, të cilët janë më të përqendruar në kërkimin e aplikuar. Mesatarisht, britanikët marrin patenta për shpikje sa gjysma e njerëzve në Amerikë, Francë dhe Gjermani.
Telashe në horizont
Pra, duket se Britania ka shumë probleme për të zgjidhur. Dhe këto probleme vetëm sa po rriten. Efektet e konkurrencës më të dobët ndërkombëtare për shkak të Brexit, do të dëmtojnë dinamizmin.
OBR-ja mendon se produktiviteti i Britanisë do të jetë 4% më i ulët në krahasim me skenarin nëse vendi do të kishte qëndruar në BE. Britanikët po plaken, një tjetër problem; Angazhimet për ndryshimin e klimës ofrojnë mundësi, por kanë edhe kosto.
Disa shpresonin se pandemia do t’i nxiste gjërat. Edhe pse produktiviteti u rrit kur pandemia u shfaq për herë të parë, kjo ishte për shkak se u mbyllën sektorët relativisht joproduktivë.
Të dhënat më të fundit tregojnë se produktiviteti i është rikthyer ritmit para Covid-19. Në mars, OBR-ja tha se pandemia do të dëmtonte përgjithmonë TFP-në, pjesërisht sepse firmat po mbajnë inventarë më të mëdhenj në rast të ndërprerjeve të ardhshme.
Më pas lind pyetja nëse politikanët janë të aftë të bëjnë ndryshimet që nevojiten. Dokumentari “Powers of Ten” përfundon duke e zmadhuar përsëri pamjen në mënyrë të qëndrueshme, duke ngushtuar gradualisht fushën e shikimit derisa arrin në nivelin nën-atomik.
Një pamje më e ngushtë e Britanisë, nxjerr në pah gjithashtu një gjendje të zymtë. Problemi i produktivitetit ka penguar qeveri shumë më të afta se kjo.
Johnson nuk ka bërë asnjë përparim që nga fitimi i një mazhorance në vitin 2019 dhe erozioni i autoritetit të tij pas votës së besimit nga Parlamenti, i ul edhe më tepër shanset për nisma të guximshme dhe afatgjata. Por të paktën, nuk ka dyshim se ku duhet të përqendrohet kjo qeveri dhe pasardhësit e saj.
Përktheu: Lira Muça