Britania ofron 4.6 mld paund për bizneset e goditura nga bllokimi i ri

05/01/2021 11:58 AM 0 komente

Pas njoftimit të një bllokimi të ri të hënën, Britania njoftoi sot se do të ofrojë një paketë tjetër mbështetëse prej 4.6 miliardë paund për të gjitha bizneset që përballen me bllokimin e tretë kombëtar.

Ministri i Financave, Rishi Sunak tha se bizneset e tregtisë me pakicë si dhe kompanitë e shërbimit dhe argëtimit do të jenë në gjendje të kërkojnë grante të njëhershme me vlerë deri në 9 mijë paund për t’i siguruar ato gjatë muajve të ardhshëm.

Të hënën, kryeministri Boris Johnson njoftoi se vendi do të hyjë në një izolim të ri pasi varianti i ri i koronavirusit i identifikuar në Britani po përhapet aq shpejt sa rrezikon mbingarkesën e Shërbimit Kombëtar të Shëndetit (NHS) brenda 21 ditësh.

“Kjo do të ndihmojë bizneset të kalojnë muajt në vazhdim, dhe në mënyrë thelbësore do të ndihmojë në mbajtjen e vendeve të punës, në mënyrë që punëtorët të jenë të gatshëm të kthehen kur të jenë në gjendje të rihapen,” tha Sunak.

Nën bllokimin e ri, njerëzit udhëzohen të punojnë nga shtëpia përveç nëse është e pamundur për ta bëjnë këtë. Të gjitha vendet e shërbimit duhet të qëndrojnë të mbyllura, si dhe dyqanet jo jetike.

Sportet e organizuara, si brenda ashtu edhe jashtë, janë anuluar me përjashtim të garave elitare.

Përveç granteve në mbarë Mbretërinë e Bashkuar, me vlerë rreth 4 miliardë paund, qeveria do të sigurojë 594 milion paund financim për administratat e Skocisë, Uellsit dhe Irlandës së Veriut.

Britania pësoi tkurrjen më të rëndë të çdo ekonomie të G7 në tremujorin e dytë të vitit 2020, kur vendi u godit nga bllokimi i tij i parë, me prodhimin e brendshëm bruto me gati poshtë 20 për qind.

Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD) ka vlerësuar se rimëkëmbja e Britanisë deri në fund të këtij viti do të jetë më e ngadalta nga të gjitha vendet e saj anëtare përveç Argjentinës./Reuters

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of