Qeveria britanike do të përjashtojë gjigantin kinez të teknologjisë, Huawei, nga përfshirja në rrjetin e ardhshëm 5G në Mbretërinë e Bashkuar, njoftoi të martën në Dhomën e Komunave, sekretari i Shtetit për Dixhitalizimin, Kulturën, Median dhe Sportin, Oliver Dowden.
Operatorët e telekomunikacionit duhet të heqin pajisjet e Huawei deri në vitin 2027 dhe po ashtu do të ndalohet blerja e pajisjeve Huawei brenda fundit të vitit.
Ndalimi i Huawei do të vonojë përhapjen e rrjetit 5G me dy apo tre vjet dhe do t’i shtojë kostot deri në 2 miliardë paund (2,2 miliardë euro).
Dowden tha se National Cyber Security Centre (Qendra Kombëtare e Sigurisë Kibernetike) e ndryshoi vlerësimin e rrezikut, pasi Shtetet e Bashkuara të Amerikës i vendosën sanksione gjigantit të teknologjisë.
“Duke u nisur nga paqartësitë [që krijojnë sanksionet] rreth zinxhirit të furnizimit të Huawei, Britania e Madhe nuk mund të jetë e bindur se mund të garantojë sigurinë e pajisjeve të ardhshme 5G të Huawei” – tha Dowden.
Zyrtarët amerikanë i kishin paralajmëruar homologët në Mbretërinë e Bashkuar mbi problemet e sigurisë së shoqërisë kineze. Qeveria e SHBA ka vendosur sanksione të reja ndaj kompanisë kineze në maj, duke ndalur atë të përdorin software amerikane.
Vendimi i njoftuar të martën përfaqëson një kthesë U për qeverinë britanike, e cila më parë kishte vendosur të lejonte Huawei të hynte në disa pjesë të rrjetit të ri të planifikuar 5G.
Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar, “neglizhente”
Ndërkohë, deputetët e opozitës e kritikuan vonesën e qeverisë për ndalimin e Huawei, duke deklaruar se politikat e tyre te shitësit me rrezik të lartë ishin neglizhuar.
“Është e qartë prej kohësh se ka pasur dyshime serioze mbi mundësinë për të lejuar Huawei të kontrollojë seksione të gjera të rrjetit të telekomunikacionit në vendin tonë, e megjithatë, qeveria ka refuzuar të përballet me realitetin” – theksoi ministrja e Dixhitalizimit, Chi Onwurah
Onwurah shtroi pyetjen se nëse politika e sigurisë e Mbretërisë së Bashkuar po këshillohet tani nga SHBA.
Disa deputetë këmbëngulën që Huawei të largohet sa më shpejt, por Dowden tha se kalendari ishte “realist”.
Burimi: Euronews