Greqia është e gatshme të mirëpresë turistët britanikë këtë verë pavarësisht nëse ata kanë marrë një vaksinë të koronavirusit apo jo, ka deklaruar Ministri i Turizmit Harry Theocharis.
Greqia, e cila ka udhëhequr thirrjet për një certifikatë të gjerë vaksinimi të Bashkimit Europian për të ndihmuar hapjen e turizmit veror, arriti një marrëveshje me Izraelin në fillim të këtij muaji për të lehtësuar kufizimet e udhëtimit për ata që mund të provojnë se janë vaksinuar.
Athina është në bisedime edhe me Britaninë për një marrëveshje të ngjashme, por udhëtimi nuk do të kufizohet vetëm për ata që kanë marrë vaksinën anti-Covid-19, tha Theocharis për ITV News.
“Të gjithë britanikët, pavarësisht nëse kanë marrë një vaksinë kundër koronavirus ose jo, do të kenë mundësinë të udhëtojnë në Greqi për pushimet e tyre verore”.
Ai tha se britanikët që kanë një çertifikatë vaksine nuk do të duhet të futen në karantinë ose të bëjnë një test negativ PCR përpara se të fluturojnë për në Greqi.
Turizmi përbën rreth një të pestën e ekonomisë greke dhe punëson një në pesë punëtorë. Për shkak të pandemisë vitin e kaluar Greqia pati të ardhura nga turizmi vetëm 4 miliardë euro, nga 18 miliardë euro në vitin 2019.
Britania, ku më shumë se 18 milionë njerëz deri më tani kanë marrë një dozë të parë, nuk ka vendosur ende nëse do të lejohen pushimet jashtë vendit./Reuters