Britanikët i përgjigjen Thaçit për zgjedhjen e drejtorit të doganave: Memorandumi është i ligjshëm

21/02/2017 10:09 AM 0 komente
TEMA TE NGJASHME:

Ambasada e Britanisë së Madhe i ka dhënë mbështetje qeverisë së Kosovës duke e kundërshtuar Presidentin Hashim Thaçi, i cili i shkroi letër kreut të Parlamentit, Kadri Veseli, rreth caktimit të drejtorit të ri të Doganave, Bahri Berisha. Thaçi pretendon se caktimi i drejtorit të Doganave nga një kompani britanike bie ndesh me ligjin aktual.

Debati mbi ligjshmërinë e memorandumit në mes të Ambasadës së Britanisë së Madhe, Kuvendit të Kosovës dhe Qeverisë së Kosovës për fuqizimin dhe sigurimin e procesit të përzgjedhjes së kandidatëve për postet e larta, fryt i të cilit është edhe zgjedhja e drejtorit të Doganave, ka marrë përgjigjen edhe të Ambasadës Britanike.

Pas letrës së Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, nëpërmjet së cilës ai i kërkonte kryeparlamentarit Kadri Veseli, nëpërmjet së cilës ia bënte me dije, se zgjedhja e drejtorit të Doganave bazuar në memorandumin që e kanë nënshkruar me Ambasadën Britanike ishte i jashtëligjshëm, të hënën ka ardhur reagimi i Ministrisë së Financave.

pala e tretë e përfshirë në këtë memorandum – e nënshkruar mes qeverisë së Kosovës, Kuvendit të Kosovës dhe Ambasadës së Britanisë – thotë se reagimi i qeverisë ka shpërfaqur faktin se konkursi ka qenë i ligjshëm.

“Ne vëmë re se Ministria e Financave e ka lëshuar një deklaratë në lidhje me ligjshmërinë e këtij procesi ku ceket se procesi ka qenë brenda dispozitës së Kodit Doganor dhe nuk është shkelur asnjë legjislacion në fuqi”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës Britanike për Insider.

Presidenti Thaçi në letrën e tij insiston që pikërisht angazhimi i kompanisë britanike si rekrutuese është joligjore.

Ambasadori britanik, Ruari O’Connell, kishte thënë në gusht të vitit të kaluar, se ambasada do të financojë një kompani të pavarur, e cila do të zgjedhë kandidatët dhe do të rekrutojë personat e kualifikuar.

“Ambasada britanike nuk do të vendosë për ju sepse jeni një popull që kërkoni që të respektoheni dhe të ketë punësime në baza meritore”, tha O’Connell.

Në reagimin e qeverisë, përkatësisht Ministrisë së Financave, ndaj letrës së presidentit, thuhet se në të gjitha fazat e konkursit, puna e Komisionit është monitoruar dhe asistuar nga partneri implementues i përcaktuar nga Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar në Prishtinë, siç parashihet në Memorandumin e Mirëkuptimit të nënshkruar nga Kryeministri i Republikës së Kosovës, Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe Ambasadorit të Mbretërisë së Bashkuar në Prishtinë, të datës 15.08.2016.

Madje sipas qeverisë, zgjedhja e drejtorit të Doganave nuk bëhet bazuar në Ligjin për Shërbyes Civil, të cilin presidenti thotë se e ka shkelur Qeveria kur është emëruar drejtori i ri i Doganave.

“Drejtori i Përgjithshëm i Doganës së Kosovës nuk është shërbyes civil dhe procedura e rekrutimit nuk i nënshtrohet Ligjit Nr.03/L-149 për Shërbimin Civil të Republikës së Kosovës dhe Rregullores QRK-Nr.06/2010 për procedurat e emërimit në pozita të larta në Shërbimin Civil të Republikës së Kosovës. Rrjedhimisht, në këtë proces të rekrutimit nuk mund të diskutohet për shkelje të legjislacionit për shërbimin civil”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Financave.

Drejtori i ri i Doganave, Bahri Berisha, ishte zgjedhur më 8 shkurt, një ditë pas dërgimit të letrës nga presidenti./Inside.com

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of