Një ditë në Bruges është gjithçka që ju nevojitet për të parë vendet e tij më tërheqëse, por nuk jemi të sigurt nëse do të jeni në gjendje të largoheni pas vetëm 24 orësh në këtë qytet.
Turistët kënaqen duke shijuar çokollatën e shijshme të prodhuar në Bruges, kanalet e mrekullueshme dhe arkitekturën mesjetare.
Ky qytet në Provincën e Flandrës Perëndimore të Belgjikës arriti të shpëtonte nga shkatërrimet e Luftës së Parë dhe të Dytë Botërore që vuajtën shumë qytete të tjera europiane. Ky është një nga qytetet e pakta europiane ku janë ruajtur mirë ndërtesat mesjetare.
Zgjoni të pesë shqisat në Bruges, “Venecian e Veriut”
Për të parit
Kënaqni sytë duke admiruar ndërtesat mesjetare të cilat reflektohen në ujin e kulluar të kanaleve të Bruges. Natën, qyteti ndriçon rrugët e tij ujore, duke krijuar një pamje përrallore. Varkat turistike funksionojnë rregullisht nga ora 10:00 e mëngjesit deri në 6:00 të pasdites, nga marsi deri në mes të nëntorit. Ato mund të kenë orare alternative në muajt e dimrit.
Vizitorët gjithashtu mund të shijojnë veprat e artit në qytet. Një nga muzetë më të njohur është Sint Janshospitaal ose Saint John’s Hospital. Në shekullin XII, ndërtesa u përdor si spital. Ajo është një nga më të vjetrat në Europë. Sot, aty ruhet një koleksion i instrumenteve mjekësore dhe pikturave flamane.
Për të dëgjuarit
Tingujt e kambanave do t’ju shoqërojnë teksa shëtisni nëpër sheshet dhe parqet e Bruges. Vizitorët mund të dëgjojnë muzikë të mrekullueshme në Sheshin e Tregut në Bruges (me 47 këmbana), Grootseminarie, ose akademia teologjike e Bruges (me 26 kambana), Damme Town Hall (39 kambana) dhe Kisha Lissewege (24 kambana).
Për të shijuarit
Nuk ka më të shijshme se çokollata belge! Shijojeni atë pasi keni ngrënë patate të skuqura dhe birrë për drekë. Ishin pikërisht belgët që i shpikën patatet e skuqura, megjithëse shumë njerëz gabimisht i njohin ato me emrin “French Fries”. Ju gjithashtu mund të vizitoni muzeun Frietmuseum. Aty do të gjeni Fryshop ku mund të shijoni patate të skuqura tradicionale për vetëm 2.20 €. Muzeu hapet çdo ditë nga ora 10:00 e mëngjesit deri në 5:00 të pasdites dhe biletat kushtojnë 7 €.
Bruges është gjithashtu shtëpia e Muzeut të historisë Choco, i ndërtuar në vitet 1480 dhe ku mund të mësoni gjithçka mbi historinë e çokollatës. Vizitorët paguajnë një tarifë hyrëse prej 9,50 € dhe mund ta vizitojnë muzeun çdo ditë nga ora 10 e mëngjesit deri në 5 të pasdites.
Për nuhatjen
Ndërsa ecni në qytet, do të ndjeni aromën joshëse të pemëve Wisteria. Njerëzit që eksplorojnë Begijnhof Ten Wijngaerde në pranverë, mund të shijojnë aromën e lehtë të luleve daffodil në lulëzim. Por aroma më tërheqëse nga të gjitha, është pa dyshim ajo që ndihet nga dyqanet e çokollatës.
Për prekjen
Nga të gjitha ndjesitë që përjetojnë vizitorët në Bruges, më e thella është prekja e të njëjtëve gurë dhe tulla ku njerëz të panumërt kanë lënë gjurmët e tyre gjatë historisë. Zona u popullua për herë të parë nga Vikingët në shekullin IX. Udhëtarët ngjiten mbi të njëjtat 366 shkallë deri në kullën Belfort, 83 metra të lartë, ashtu siç kanë bërë kambanarët për 800 vite me radhë. / The Travel