Komisioni Europian do të paraqesë një propozim për një mekanizëm të përkohshëm i cili do të përshpejtojë zbatimin e projekteve të energjisë së rinovueshme, duke paralajmëruar se blloku ka të ngjarë të mos arrijë objektivin e tij për magazinimin e gazit përpara dimrit të ardhshëm.
Kjo “rregullore e re emergjente” u propozua nga Ursula von der Leyen përpara ligjvënësve europianë në Bruksel ditën e mërkurë dhe supozohet t’i japë mundësi bllokut që të “zëvendësojë 14 miliardë metra kub gaz” në vitin 2023.
Ligji i emergjencës do të bëhet sipas nenit 122 të Traktatit i cili i mundëson Këshillit Europian, me propozimin e Komisionit, që të ndërmarrë masa për të përballuar vështirësitë e rënda që shfaqen në furnizimin me produkte të caktuara, veçanërisht për energjinë.
Von der Leyen tha se ky mekanizëm, i cili do të “kufizohet në kohëzgjatje dhe në shtrirje”, është i nevojshëm sepse sezoni i ardhshëm i sigurimit të furnizimeve me gaz “do të jetë edhe më sfidues” se ai i mëparshmi.
“Europa mund të mos arrijë të sigurojë rreth 30 miliardë metra kub gaz, të cilat nevojiten për të mbushur magazinat tona,” paralajmëroi ajo.
Ky “rrezik i konsiderueshëm” vjen nga një sërë faktorësh të ndërthurur me njëri-tjetrin, duke përfshirë ndërprerjen e mëtejshme të furnizimeve me gaz nga Rusia në Europë dhe pamundësinë e prodhuesve të gazit natyror të lëngshëm (LNG) për të zëvendësuar këto furnizime, veçanërisht nëse rritja ekonomike në Azi do të bëjë që rajoni të rrisë blerjet e gazit natyror të lëngshëm.
BE-ja miratoi një legjislacion në qershor i cili u kërkon vendeve të BE-së që të sigurohen se depozitimi i gazit të arrijë nivelet 80% të kapacitetit përpara datës 1 nëntor dhe në 90% të kapacitetit përpara sezonit të dimrit 2023-2024.
Rusia ndërpreu furnizimet drejt bllokut përmes gazsjellësit Nord Stream 1 në fund të gushtit, megjithëse i kishte reduktuar në mënyrë drastike ato që më parë.
BE-ja ka arritur të gjejë furnizime alternative, kryesisht nëpërmjet gazit natyror të lëngshëm që ka ardhur nga anijet, si dhe ka ndërmarrë masa për të kursyer gazin në mënyrë që të sigurohet se ekonomia e saj do të mund t’i mbijetojë një dimri normal.
Magazinimi i gazit tani ka arritur në nivelin 95% të kapacitetit.
Organi ekzekutiv i BE-së ka paraqitur gjithashtu një paketë prej 225 miliardë eurosh, REPowerEU, e cila do të mundësojë diversifikimin e burimeve të energjisë dhe do të nxisë projektet e energjisë së rinovueshme, si dhe ka propozuar një tjetër ndryshim të Direktivës për Energjinë e Rinovueshme, i cili do të rrisë më tej objektivin për sigurimin e energjisë nga burimet e rinovueshme, duke e çuar atë në masën 45% deri në vitin 2030.
Eurodeputetët e kanë miratuar tashmë Direktivën për Energjinë e Rinovueshme, por Von der Leyen shprehu keqardhjen se “do të duhet kohë, më tepër se një vit, përpara se ajo të futet në legjislacionet kombëtare nga të gjitha shtetet anëtare”.
Mekanizmi i ri, tha ajo, “do të jetë në përputhje me atë që ju keni votuar”.
“Ai do të shërbejë për të siguruar këtë periudhë tranzitore, derisa të hyjë në fuqi Direktiva e re për Energjinë e Rinovueshme. Dhe, duke bërë këtë gjë, ne do të mund të zhbllokojmë një sërë projektesh për energjinë e rinovueshme që në 12 muajt e ardhshëm. Pra, ky është një veprim shumë vendimtar tani.”
“Sipas përllogaritjeve të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë, ne mund të zëvendësojmë 14 miliardë metra kub gaz vitin e ardhshëm. Kjo është pothuajse sa gjysma e nevojave që do të duhet të sigurojmë vitin tjetër, e cila mund të përmbushet thjesht duke përshpejtuar procedurat e këtyre projekteve. Kjo është realiste dhe ne mund t’ia dalim”, shtoi ajo.
Energjia e rinovueshme përbënte 22.1% të energjisë së konsumuar në BE në vitin 2020, sipas të dhënave nga Eurostat.
Suedia kishte peshën më të lartë në këtë shifër, me 60.1% të konsumit të saj bruto të energjisë finale që prodhohet nga burimet e rinovueshme. Ajo pasohej nga Finlanda dhe Letonia (43.8% dhe 42.1% respektivisht) ndërsa Belgjika, Luksemburgu dhe Malta ishin në fund të tabelës me shifra më të vogla se 20%.
Rreth 50 gigavat (GW) në energji të rinovueshme janë instaluar në të gjithë BE-në gjatë vitit 2022, një rekord i ri, i cili përkon me dyfishin e sasisë së instaluar vitin e kaluar.
“Ne mund ta përshpejtojmë akoma më shumë këtë proces. Ka projekte të panumërta për energjinë e rinovueshme që presin vetëm që të miratohen. Disa mund të ofrojnë energji me një çmim të lirë menjëherë, brenda disa javësh apo muajsh,” u tha Von der Leyen eurodeputetëve./ Euronews