Jozef Síkela paralajmëron se mungesa e marrjes së masave rrezikon të sjellë një dëm ekonomik i cili do të minonte mbështetjen për Ukrainën.
Brukseli po vepron shumë ngadalë për të parandaluar përkeqësimin e krizës energjetike të BE-së vitin e ardhshëm, ka paralajmëruar ministri çek i energjisë, pasi ai kërkon që të hiqen bllokimet lidhur me planin për kufizimin e çmimit të gazit, i cili është ideuar për të lehtësuar presionin mbi industrinë dhe konsumatorët.
Jozef Síkela, vendi i të cilit mban presidencën gjashtëmujore të radhës në BE, vlerësoi veprimet e ndërmarra deri më tani për të ulur kërkesën për gaz dhe për të ndërtuar infrastrukturën e re të energjisë pas reduktimit të furniziemve për Europën nga Rusia, por tha për Financial Times në një intervistë se blloku duhet të “vazhdojë” me marrjen e masave, ose përndryshe mund të vijnë dëme ekonomike që do të minonin mbështetjen publike për Ukrainën.
“Ne duhet të ruajmë paqen sociale. Ne duhet t’i mbajmë ekonomitë në një gjendje të mirë dhe funksionale. Ne duhet të sigurohemi që presidenti rus, Vladimir Putin, nuk do të jetë në gjendje të krijojë trazira sociale, vështirësi ekonomike ose një recesion në Europë, sepse në këtë skenar, çdo gjë që kemi investuar deri më tani për të ndihmuar Ukrainën, do të zhdukej”, tha ai.
Përpjekjet për zgjidhjen e krizës energjetike kanë ngecur. Qeveritë e BE-së kanë një mosmarrëveshje me Komisionin Europian lidhur me vendosjen e një kufiri për çmimin e gazit, i cili mund të parandalojë rikthimin e çmimeve në nivelet rekord që u arritën gjatë verës.
Síkela tha se ishte “i zhgënjyer” që, pavarësisht kërkesave të përsëritura nga vendet anëtare, komisioni ende nuk kishte paraqitur detaje për mënyrën se si mund të funksiononte tavani për çmimet e gazit.
Gjermania, Danimarka dhe Holanda janë kundër vendosjes së një kufiri të tillë, i cili është pjesë e një sërë propozimesh në diskutim për uljen e çmimeve të gazit, nëse nuk ka siguri se ai nuk do të rrisë konsumin ose nuk do të shtojë rrezikun që furnizimet të dërgohen në vende të tjera të botës.
Masat e tjera në legjislacion përfshijnë një sistem të ri për të koordinuar nevojat për gaz, në mënyrë që BE-ja të mund të bashkojë fuqinë e saj blerëse për të siguruar furnizime, ashtu siç bëri për vaksinat kundër Covid-19, si dhe mekanizmat e emergjencës që do të sigurojnë se të gjitha shtetet kanë furnizime të mjaftueshme, në rast se ato ndërpriten.
Por, Síkela tha se kishte frikë që klauzola e paqartë në lidhje me vendosjen e një kufiri për çmimet nuk do të mjaftonte për të kënaqur “një pakicë bllokuese” të vendeve të BE-së, e cila përfshin Italinë dhe Greqinë, që kanë kërcënuar se do të mbajnë pezull të gjitha propozimet derisa komisioni të paraqesë një plan më të detajuar.
Charles Michel, presidenti i Këshillit Europian, i dërgoi të hënën një letër presidentes së komisionit, Ursula von der Leyen, ku thuhej se qytetarët dhe industria prisnin “sa më shpejt rezultate konkrete” dhe propozimet për vendosjen e një kufiri për çmimet duhet të paraqiten “sa më shpejt të jetë e mundur”.
Ambasadorët europianë do të debatojnë për grupin e fundit të propozimeve ditën e premte, përpara një takimi të ministrave të energjisë që do të mbahet më 24 nëntor./ Financial Times