Autoritetet publike në Europë do të fitojnë fuqi të reja për t’u hakmarrë ndaj vendeve që refuzojnë t’u japin kompanive europiane akses të drejtë në kontratat qeveritare,
në bazë të një plani reformash që mund të kufizojë marrëdhëniet me Kinën dhe të ngrejë ankesa për proteksionizëm.
Propozimi synon t’u japë më shumë fuqi negociatorëve të Bashkimit Europian, në përpjekjet e tyre për të ulur barrierat për kompanitë që kërkojnë kontrata shtetërore në tregjet në zhvillim, të tilla si Kina.
Por plani për të krijuar fuqi për autoritetet europiane që ata të hedhin poshtë ofertat nga tregjet e mbyllura ka provokuar një debat të ashpër në Komisionin Europian,
duke përballuar liberalët e tregtisë me ata që kërkojnë një politikë më të fortë të “reciprocitetit”.
Komisionerët nga Britania e Madhe dhe Suedia ende shprehin rezerva, ndërsa detajet pritet që të bëhen të ditura.
Debati lidhur me propozimin final po shihet me vëmendje nga Parisi, pasi Presidenti i saj, Nicolas Sarkozy,
kishte bërë thirrje në fushatën për t’u zgjedhur si president se do të ndiqte një përqasje sy më sy për vendet që shmangin kompanitë e huaja nga tregu i tyre i prokurimeve.
Ka një mbështetje të gjerë në Bruksel për këtë lëvizje – të promovuar nga Karel De Gucht, komisioneri i tregtisë – që ta lejojë Komisionin të kufizojë aksesin për tregun e prokurimeve të BE-së prej 2,000 miliardë eurosh,
kur shihet se një vend ka diskriminuar në mënyrë të përsëritur kompanitë europiane. Kjo masë krahasohet me procedurat ekzistuese antidumping.
Një propozim i dytë, më i diskutueshëm, i mbështetur nga Michel Barnier, komisioneri i tregut të brendshëm, mund t’u japë fuqi kryebashkiakëve dhe qeverive kryesore që tenderojnë një kontratë,
që të kthejnë ofertuesit e mundshëm nga vendet me të cilat BE nuk ka marrëveshje prokurimi.
Ndërsa kjo masë ka të ngjarë që të miratohet gjerësisht nga Komisioni, z. Barnier është gjendur nën presion që të shtrëngojë rregullat se kur mund të jepen këto fuqi.
Autoritetet publike mund të kenë nevojë të kërkojnë miratim paraprak nga BE dhe mund të përdorin fuqitë vetëm me kontrata që kanë një vlerë të konsiderueshme, ka të ngjarë mbi 5 milionë euro.
Zyrtarët e BE-së hodhën poshtë kritikat se propozimi do t’i japë dorë nismës së autoriteteve proteksioniste, duke argumentuar se kjo masë synon që të hapë tregjet botërore.
Një zyrtar tha se autoritetet në mënyrë përcaktuese do të duhet të “shqyrtojnë mirë situatën përpara se të veprojnë”, duke pasur parasysh rrezikun e masave hakmarrëse.
Reformat do të rrisin edhe transparencën dhe do të qartësojnë rregullat në mënyrë që tregu europian të jetë i hapur për ata që janë të tillë, thonë zyrtarët.
Brukseli dhe Uashingtoni janë përpjekur që të dy që t’i bëjnë presion Pekinit që të rishikojnë marrëveshjen në kuadër të Organizatës Botërore të Tregtisë, që lidhet me rregullat për prokurimet qeveritare.
Ky traktat, për të cilin ishte rënë dakord fillimisht në vitin 1996, ishte subjekt i një rishikimi në takimin e fundit të OBT-së në dhjetor.
Analistët tregtarë kanë argumentuar se kërcënimi i dukshëm i një instrumenti të tillë reciprociteti –
edhe në rast se nuk përdoret asnjëherë – mund t’i japë BE-së më shumë fuqi që të nxisin Kinën të marrë në konsideratë nënshkrimin e marrëveshjes.
Në BE, blerjet e qeverisë arritën në rreth 19% të PBB-së së bllokut. Ato janë bërë veçanërisht të rëndësishme gjatë viteve të fundit, teksa qeveritë nëpër botë kanë shpenzuar miliona në projekte publike për të nxitur ekonomitë e tyre.
Duke folur gjatë udhëtimit të tij në Azi në janar, z. Barnier tha: “Ne kemi nevojë të shohim të njëjtën mirëseardhje në Kinë si ajo që u japim kompanive kineze në Europë”.
Komisioni gjithashtu ka bërë publike ndryshimet për rregullat që punëdhënësit duhet të përmbushin kur dërgojnë punonjësit për të punuar në vende të tjera të Bashkimit Europian.
Kjo direktivë përcakton se çfarë kushtesh – përfshirë pagat – duhet t’u përmbahen punëtorët vizitorë teksa ata janë jashtë.
Unionet e tregtisë kishin bërë thirrje prej një kohe të gjatë që të rishikoheshin rregullat, duke argumentuar se ato bëjnë shumë pak për të parandaluar “dumpingun social”,
ku importohet forcë pune me kosto më të ulët se ajo lokale. Punëdhënësit vënë në dukje se një marrëveshje për minimumin e pagës në shumë vende është e mjaftueshme për të ndaluar pjesën më të madhe të abuzimeve.