Banka e Shqipërisë ka raportuar se çmimet e banesave janë rritur me 15.2% gjatë periudhës 2013-2018. Indeksi është përllogaritur mbi bazën e informacionit të raportuar nga shoqëritë e ndërtimit dhe agjentët që operojnë në tregun e pasurive të paluajtshme.
Treguesit e drejtpërdrejtë dhe të tërthortë të aktivitetit në tregun e pasurive të paluajtshme thonë se oferta dhe kërkesa kanë treguar përgjithësisht rritje gjatë periudhës.
Banka qartëson se në tregun e pasurive të paluajtshme, kërkesa përgjithësisht reflekton zhvillimet demografike, ecurinë e të ardhurave dhe kushtet e financimit për blerje apo zhvillim të pasurive të paluajtshme, ndërsa oferta është e lidhur me numrin e lejeve të ndërtimit.
Nga këndvështrimi i kërkesës, të dhënat e sektorit bankar për periudhën tregojnë një rënie të lehtë të tepricës së kredisë për blerje pasurish të paluajtshme gjatë gjashtëmujorit të 2018-s, por nivel më të lartë në krahasim me një vit më parë. normat e interesit të kredisë për pasuri të paluajtshme shënuan rritje të lehtë gjatë gjysmës së dytë të vitit.
Të intervistuarit raportojnë që rreth 54% e pronave për banim dhe e atyre për përdorim tregtar të shitura prej tyre janë blerë me hua bankare, nga vrojtimi i aktivitetit kreditues të Bankës së Shqipërisë, gjatë T4 2018, rezultoi se kërkesa e individëve për kredi për pasuri të paluajtshme është rritur, ndërkohë që kushtet e miratimit për këtë lloj kredie dhe për këtë kategori huamarrësish kanë vijuar të lehtësohen.
Koha mesatare e shitjes së pronave në rang vendi, në gjashtëmujorin e dytë të vitit, ishte mesatarisht 10.9 muaj ose rreth një muaj më e gjatë se në gjashtëmujorin e kaluar.
Për Tiranën dhe Zonat e Tjera, koha e shitjes është rritur me rreth 1-2 muaj, ndërsa për zonën e Bregdetit koha e shitjes është shkurtuar me rreth 2.5 muaj.
Nga këndvështrimi i ofertës të dhënat e INSTAT-it tregojnë një rritje të qenësishme të sipërfaqes dhe numrit të lejeve të ndërtimit për objekte banimi gjatë 2018. Rezultatet e vrojtimit tregojnë që vëllimet e shitjeve janë rritur vetëm për qendrën dhe periferinë e Tiranës, dhe shënuan rënie në bregdet dhe në Zonat e Tjera të vendi.
Teprica e kredisë për ndërtim është rritur me 8.7% në krahasim me fundin e gjashtëmujorit të parë, dhe me 3.1% në krahasim me fundin e vitit të kaluar.
Kredia për ndërtim zë 15% të tepricës së kredisë për bizneset dhe kjo peshë ka ardhur në rritje, por mbetet nën nivelin prej rreth 20% të regjistruar gjatë harkut kohor 2007–2011. Cilësia e kredisë për pasuri të paluajtshme është përmirësuar dhe raporti i kredive me probleme ka rënë në 5.7%, nga 6.8% në qershor 2018 dhe 7% një vit më parë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.